Duaja mahnitëse – kush e lexon këtë lutje Allahu, xh.sh., do t’i japë dalje nga situata që gjendet

Një ditë, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., duke iu drejtuar sahabëve të tij, tha:

            – “Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk ka asnjë besimtar i cili e lexon këtë dua (lutje) e që Allahu, xh.sh., nuk do t’i japë dalje nga situata në të cilën gjindet.”

Ju pyes juve, kush është ai i cili u betua?

Pejgamberi, s.a.v.s., a thua a ka pasur nevojë për këtë? Jo, sepse ai është “es-Sadik” (i sinqertë, ai që flet vetëm të vërtetë) dhe “el-Masduk” (atij që i besohet të folurit e të cilit e ka vërtetuar Allahu). Të folurit e tij pranohet pa dyshuar. A thua përse u betua? Për shkak të vlerës dhe rëndësisë së madhe të lutjes me të cilën dëshiron ta mësojë ymetin e tij. Këto fjalë të Pejgamberit, s.a.v.s., i drejtohen secilit njeri në fatkeqësi dhe sprovë me qëllim që zemrën ta lidhë kryesisht me Allahun, xh.sh., dhe nga Ai të kërkojë dalje nga çdo situatë.

KJO DUA E KA TREGIMIN E SAJ

Pikërisht gjatë kohës së sundimit të Omer ibn el-Hattabit, r.a., ndodhi një situatë jo e rëndomtë në xhaminë e Pejgamberit, s.a.v.s.

Sa’d ibn Ebi Vekkasi, r.a., kaloi pranë Othman ibn Affanit, r.a., dhe i dha selam, por ky nuk iu përgjigj në selam. I habitur dhe i lënduar me gjestin e Othmanit, Sa’di menjëherë shkoi tek halifi Omer dhe u ankua për Othmanin. Omeri e thirri Othmanin dhe e pyeti përse nuk u përgjigj në selam.

Othmani së pari mohoi që Sa’di i ka dhënë selam, por pas insistimit dhe betimit të Sa’dit, iu kujtua që ai i ka dhënë selam, por për shkak të preokupimit me brengat e tij nuk mundur t’i përgjigjet në selam.

– “E çfarë të ka brengosur kaq shumë që nuk ke mundur t’i përgjigjesh në selam Sa’dit?” – e pyeti Omeri.

– “Mu kujtua një hadith i Pejgamberit, s.a.v.s., që fundin asnjëherë nuk e kam kuptuar.” – u përgjigj Othmani dhe vazhdoi: – “Njëherë, ishim ulur me Pejgamberin, s.a.v.s., në xhami kur na tha: ‘Pasha Allahun, në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk ka asnjë besimtar i cili e lexon këtë lutje e që Allahu nuk do t’i japë zgjidhje nga situata në të cilën gjindet’. Me padurim pritëm që të na thotë se cila është ajo lutje, mirëpo në atë moment në xhami hyri një beduin dhe e pyeti Pejgamberin, s.a.v.s., për disa çështje të fesë. Pejgamberi, s.a.v.s., e ndërpreu të folurit e tij dhe tërësisht iu përkushtua beduinit. U ndamë dhe nuk kuptuam për çfarë lutje bëhej fjalë. Edhe sot ende nuk e di cila është ajo lutje për të cilën Pejgamberi, s.a.v.s., u betua.”

– “As unë nuk e di.” – u përgjigj Omeri.

– “Por, unë e di.” – u tha Sa’di dhe u tregoi që pasi kishin dalur nga xhamia e kishte përcjellur Pejgamberin, s.a.v.s., deri tek shtëpia e tij dhe e kishte pyetur për këtë lutje.

Pejgamberi, s.a.v.s., i tha: – “Po, Sa’d. Kjo është lutja e vëllait tim, Dhunnunit (Junusit), a.s.: La ilahe il-la ente subhaneke, in-ni kuntu minedh-dhalimin.

            Nuk ka zot pos Teje, Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes.”

(El – Enbija, 87)

Mbani mend këtë lutje. Përcjelluni të dashurve tuaj. Pasha Allahun, di njerëz që kjo lutje u ka hapur dyert e mëshirës së Allahut dhe u ka ndihmuar t’i realizojnë dëshirat e tyre. Këtë lutje e ka bërë Junus ibn Metta, a.s., duke kërkuar nga Allahu që ta shpëtojë nga barku i peshkut.

Kur melekët e dëgjuan lutjen e tij, thanë: – “Zë i njohur nga robi i njohur nga vendi i panjohur.”

Allahu, xh.sh., u tha: – “Ky është zëri i robit tim, Junus ibn Metta.”

Kurani në këtë rast thotë:

            “(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, po në errësira ai tha se: “Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes!”

            Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.”

(El – Enbija, 87-88)

Kanë thënë dijetarët islam nga këto fjalë “ne i shpëtojmë besimtarët”, kuptohet që kjo lutje nuk ka të bëjë vetëm me Junusin, a.s., por për gjithë besimtarët, mu sikur që ka theksuar hadithi: – “Nuk ka asnjë besimtar…”

Andaj, mos hezito, nëse ke ndonjë problem, brengë, sprovë, lutju Allahut, xh.sh., me këtë lutje me zemër të sinqertë, bindje dhe përulësi në kohët kur kjo lutje në veçanti pranohet dhe sipas këtij hadithi lutja yte do të pranohet. Do të shohësh mrekulli me sytë e tu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button