Si do të ndihemi kur të takohemi me të dërguarin e Allahut, s.a.v.s., në ditën e gjykimit

Abdussamed Nasuf Bushatliq

Paramendoni sesi është ndier Ebu Bekri, r.a., kur Pejgamberi, s.a.v.s., para sahabëve tha: “Allahu më dërgoi tek ju dhe thatë – gënjen, ndërsa Ebu Bekri tha: ‘Të vërtetën e thotë’. Më ndihmoi me jetën dhe pasurinë e tij, andaj a do ta lini të qetë mikun tim?”

Si është ndier Omeri, r.a., kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i tha: “Omer, shejtani asnjëherë nuk të ka takuar, e që nuk është nisur rrugës tjetër.”

Si është ndier Othman ibn Affani, r.a., kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., pasi që e kishte përgatitur ushtrinë në Tebuk, tha: “Nuk do t’i bëjë dëm çfarëdo që bën Othmani, pas kësaj që ka bërë sot.”

Si është ndier Ali ibn Ebi Talibi, r.a., kur Pejgamberi, s.a.v.s., para luftës së Hajberit, tha: “Nesër këtë flamur do t’ia dorëzoj njeriut të cilin e do Allahu dhe i Dërguari i Tij, s.a.v.s., dhe i cili e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, s.a.v.s.”, dhe kur të nesërmen e kuptoi se kjo kishte të bëjë me të.

Si është ndier Muadh ibn Xhebeli, r.a., kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i tha: “Muadh, unë të dua për hir të Allahut.”

Si është ndier Sa’d ibn Ebi Vekkasi, r.a., kur në luftën e Uhudit i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i tha: “Gjuaj, gjuaj Sa’d, ti je në vend të babait dhe nënës sime!”

Si është ndier Abdullah ibn Abbasi, r.a., kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e përqafoi dhe bëri lutje: “O Allah, jepi kuptimin e fesë dhe mësoje në shpjegimin e Kuranit!”

Si është ndier Ubej ibn Ka’bi, r.a., kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i tha: “Allahu më urdhëroi që ta lexoj ty kaptinën El-Bejjineh.” Ubej ibn Ka’bi tërë i entuziazmuar pyeti: “I Dërguar i Allahut, a thua Allahu më përmendi tek ti?”

Si është ndier Saib ibn Jezidi, të cilit si fëmijë i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ia kishte lëmuar flokët derisa po luante me fëmijët tjerë, dhe kur kishte arritur pleqërinë e thellë (rreth 90 vjet) dhe mjekra e flokët i ishin thinjur në tërësi, pos vendeve që i kishte prekur dora e bekuar e Pejgamberit, s.a.v.s.

Si është ndier Ebu Musa el-Esh’ariu, r.a., kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i tha: “Sikur të më kishe parë kur dje të kam dëgjuar sesi lexoje Kuran.”

Si janë ndier ensarët kur i Dërguri i Allahut, s.a.v.s., tha: “Sikur të gjithë njerëzit të shkonin në një rrugë, ndërsa ensarët në rrugën tjetër, und do të shkoja me ensarët.”

Si është ndier Bilal ibn Rebbah, r.a., kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i tha: “Bilal, unë i dëgjova rrahjet e nalleve tua në Xhenet.”

Dhe në fund, si do të jetë ndjenja jonë, nëse do Allahu, kur do të takohemi me të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., dhe kur ai të thotë: “Ju jeni vëllezërit e mi për të cilët kam qarë duke dëshiruar që të takohem me ju në Havdin tim (burim në Xhenet). Ju jeni vëllezërit e mi që keni besuar në pejgamberinë time, e nuk më keni parë.”

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button