Gruaja dhe karrika

Lufta për barazi gjinore nuk mbaron kurrë. Edhe vendet të cilat shpesh lëvdohen për arritje të mëdha në këtë sferë, sërish përballen me situata kur kjo rezulton të mos jetë gjithmonë e vërtetë. Sepse lufta për barazi gjinore nuk ngërthen vetëm mundësinë që gratë të votojnë, të marrin pjesë në jetën publike dhe politike, të shkollohen, të punojnë dhe të udhëheqin me të njejtat mundësi si edhe burrat. Lufta për barazi gjinore reflektohet edhe në momente në dukje të parrëndësishme e të cilat megjthiatë i shfaqin konstruktet sociale dhe simbolikën e patriarkatit edhe në qarqet më të larta të mundshme.

Ursula Von Der Leyen njihet ndërkombëtarisht si presidentja e Komisionit Evropian. Një vështrim i shpejtë mbi biografinë e saj tregon qartë një karierë mbreslënëse. Mjeke e diplomuar, disa herë radhazi ministre e shtetit dhe ministre federale e Gjermanisë, bashkëpunëtore në kabinetin e kancelares Merkel dhe udhëheqëse e disa dikastereve: Ministre e çështjeve familjare dhe e rinisë (2005-2009), Ministre e punës dhe politikës sociale (2009-2013), Ministre e mbrojtjes (20013-2019), Presidente e Komisionit Evropian (2019 e më pas), nënë e shtatë fëmijëve. Vetëm në Wikipedia ka disa faqe përplot me informata rreth biografisë së pasur të kësa figure të shquar të politikës evropiane. Ata që e njohin nga afër tregojnë që kur ka shërbyer si ministre e mbrojtes, ditëve të javës ka qëndruar në zyrë ditë e natë me qëllim që fundjavën ta ketë të lirë për familjen. E gjithë kariera e saj është një dëshmi se sa shumë duhet të investoje në vete dhe sa shumë duhet të sakrifikojë gruaja për tu bërë pjesë e qarqeve të larta politike. Duke e ditur këtë sigurisht edhe nga eksperienca personale, ka qenë pikërisht Ursula Von Der Lein që ka inicuar reforma në politikën sociale të Gjermanisë duke vendosur mbrojtje më të mirë për nënat, pushime më të gjata të lindjes si dhe pushim të paguar për babanë e fëmijës, sipas shembullit të vendeve skandinave që në mënyrë të ngjashme i rregullojnë këto çështje. E megjithatë, përskaj të gjitha këtyre zhvillimeve impresionuese, presidentja e Komisionit Evropian, nuk arriti të ulet në të njëjtin nivel gjatë një takimi zyrtar në Turqi, ku ajo dhe kolegu i saj, Charles Michel i cili shërben si president i Këshillit të Unionit Evropian, takuan presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan.

Ajo që ndodhi në Ankara dje nuk ishte thjesht një lëshim protokollar karakteristik për shoqëritë maçiste të cilat ende tentojnë të jetojnë në kohën e sulltanateve ku gratë e kanë vendin në harem. Ai farë “lëshimi” protokollar ku ishin vendosur vetëm dy karrige për “burrat e rëndë” dhe asnjë karrikë por një sofa e largët për gruan e cila ska çka përzihet në muhabete të burrave, ishte një simbolikë shumë e dukshme dhe e pritshme, nga kabineti i shefit të shtetit i cili vetëm javën e kaluar u tërhoq nga ratifikimi i Konventës së Stambollit për ndalimin e dhunës ndaj grave. Qasjen e tij dhe të kabinetit të tij ndaj barazisë gjinore e tregonte qartazi ky gaf i qëllimshëm politik. Fakti që Erdogan ka përkrahës të flaktë edhe në mesin tonë, tregon qartazi se çfarë politike përkrahet nga bashkëqytetarët tanë, nga të njohurit tanë, nga miqtë tanë që në këtë mënyrë e shprehin qartë edhe qëndrimin e tyre rreth barazisë gjinore, rreth nesh në përgjithësi.

Sado frustruese të jetë, kjo situatë është tërrësisht e pritshme në një konstelacion të tillë si ky i Turqisë së tashme. Aspak nuk është i habitshëm fakti që mes dy kryetarëve, të të njëjtës pozitë, ti jepet përparësi burrit, ndërsa gruaja të detyrohet të qëndrojë në një pozitë tërësisht inferiore. Kjo shumë qartazi e shpreh sistemin e vlerave që momentalisht sundon në Turqi dhe këtu nuk ka asgjë të kontestueshme.

Problemi qëndron diku tjetër. Në dy vende tjera qëndron problemi, thënë më konkretisht.

Problemi i parë në gjithë këtë situatë është qëndrimi tërësisht i parpërshtatshëm dhe i papranueshëm i kolegut të Ursula Von Der Leyen, presidentit të Këshillit të Unionit Evropian, Charles Michel. Duke qenë kreu i njërit nga institucionet kryesore të Unionit Evropian, prej tij pritet që të besojë plotësisht tek vlerat themelore të këtij Unioni mes të cilave është pikërisht barazia gjinore. Fakti që ai u përshtat aq shpejt dhe pa asnjë problem me logjikën sulltanore të Erdoganit, duke u ulur në karriken e tij pa përfillur kolegen e vetë që mbeti në këmbë tregon gjithçka që duhet të dimë rreth ndjeshmërisë për barazi gjinore të këtij personi. Ai nuk duhej të kishte pranuar atë pozitë maskiline, tërrësisht të kundërt me vlerat që në fakt pikërisht ai duhet ti përfaqësojë, dhe të kapardiset aty si mysafir i stulltanit duke u përshtatur me shpejtësinë e dritës me rregullat te të cilat ai personalisht në asnjë mënyrë nuk duhet ti promovojë. Lehtësia me të cilën ai u përshtat në këtë situatë dhe injoroi tërësisht pozitën e palakmueshme të koleges së tij të të njëjtit rang tregon më shumë për atë që ndodh në Unionin Evropian se sa për atë që ndodh në Turqi. Ishte thjesht një skenë e papranueshme të cilën gazetarët në mbarë botën e përshkruan përmes titujve si: “Dy presidentë u takuan me Erdoganin, gruaja në mesin e tyre nuk fitoi karrikë për tu ulur”.

Por kjo lehtësi frustruese e z. Michel nuk duhet të na habisë edhe aq. Edhe në vende si Unioni Evropian burrat fitojnë me lehtësi dhe në mënyrë të natyrshme pozita të larta për të cilat gratë duhet të luftojnë me vite dhe të demonstrojnë aftësi ekselente. Vetëm një shikim i shkurtër në biografinë e Charles Michel e dëshmon këtë. Një politikan ordinar, jurist i diplomuar, familja e të cilit as nuk përmendet në faqen e Wikipedias (përkundër faktit që potencohet tek biografia e Von Der Leyn se ajo ka shtatë fëmijë), kryeministër i Belgjikës dhe tani president i Këshillit të UE. Më thjeshtë s’ka ku shkon. Secili mund të vërtetohet se çfarë ekselence duhet të tregojë një femër për tu bërë presidente e Komisionit Evropian dhe çfarë pritshmërishë mediokre lidhen me kolegun e saj të të njëjtit rang, presidentin e Këshillit të UE. Kur kjo bëhet e qartë, bëhet poashtu shumë e qartë lehtësia me të cilën Michel u ul në atë karrikë, duke besuar pa asnjë problem se kjo është diçka që atij i takon natyrshëm, normalisht, pse duhet të ulet një grua në karrikën e tij, ajo le të kërkojë një karrikë tjetër, pa çka se është në pozitë të barabartë me të!?

Problemi tjetër qëndron tek vet Ursula Von Der Leyen që pranoi një poshtërim të tillë. Nuk e di pse e bëri një gjë të tillë, ndoshta për të mos shkaktuar skandal diplomatik, për të mbaruar më shpejt me vizitën, apo për çfarë tjetër. Por situata ishte skandaloze që para se ajo të pranojë të ulet në atë sofan larg takimit kryesor ku ajo nuk ishte përfshirë. Ajo sofa ishte aq larg takimit sa që mundej lirisht të gjendet në Bruksel. Sa për një sofa të largët, më mirë të kishte qëndruar në Bruksel. Në raste si këto janë gjithmonë gratë ato që mundohen të tregojnë pjekuri, të mos bëjnë skandal, të përshtaten me situatën. Thellësisht jam e bindur se qasja e tillë nuk e ndihmon përparimin e barazisë gjinore. Qasja e tillë vetëm ua lehtëson punën burrave si Erdogani që kanë marë mbi vete zotimin tua tregojnë një herë e përgjithmonë grave vendin e tyre. Në ato raste të bërit skandal nga ana e z. Von Der Lein do të ishte gjëja më e natyrshme. Të ikurit nga skandalet vazhdojnë ti ngujojnë gratë në konstruktet sociale që shoqëria patriarkale ua cakton atyre dhe të cilat shihen si gjëja më e natyrshme në botë.

Fundja cili është mesazhi që zonja presidente e Komisionit Evropian e dërgon te të gjitha gratë që e shohin takimin e saj me presidentin Erdogan? Bindjuni protokollit edhe kur ai është idiotesk? Pranoni trajtim të pabarabartë vetëm me qëllim që të mbeteni në të njejtën dhomë? Merni me vete karrikën kur të shkoni në takim në Turqi? Ajo duhej të insistojë që me veprimin e saj të përçojë një mesazh më të fuqishëm se kaq tek gratë e Turqisë por edhe të gjithë botës.

Dhe kur jemi te mesazhet. Jam shumë e lumtur që mesazhe motivuese për gratë e Ballkanit Perëndimor vinë për të dytën rradhë nga Kosova. Zgjedhja e Vjosa Osmanit për presidente dhe fjalët e saj me rastin e inaugurimit se vendi i grave është aty ku ato duan të qëndrojnë është një moment i ndritshëm që tregon se në raste të caktuara, kur porosi motivuese priten nga Evropa, e në fakt është pikërisht një vend i vogël si Kosova ai që mund të motivojë më tepër dhe të të bëjë të ndjehesh mirë për ditët historike në të cilat po jeton.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button