Është dyfishuar numri i të hospitalizuarve nga virusi korona në Tetovë, Nuredini: Kulmi pritet pas 20 prillit

“Piku” apo kulmi i virusit korona sipas koordinatorit të Qendrës Kovid në Tetovë, Gzim Nuredini, pritet të ndodhë pas datës 20 prill, në Spitalin Klinik të Tetovës aktualisht sipas Nuredinit gjendja është alarmante dhe kanë ngelë shumë pak krevat të lirë, të gjithë të hospitalizuarit janë në gjendje të rëndë shëndetësore, shkruan Portalb.mk.

Për vetëm një muaj, numri i personave të shtrire në Spitalin Klinik të Tetovës si pasojë e Kovid-19 ka pësuar rritje drastike, edhe atë, me datë 9 mars kishte gjithsej 23 persona të hospitalizuar ndërsa sot ka 48.

Kjo sipas mjekut dhe koordinatorit të Qendrës Kovid në Tetovë, Gzim Nuredini, vjen për shkak të mos respektimit të masave, ai shtoi se piku i virusit korona pritet të ndodhë pas datës 20 prill andaj paralajmëroi riorganizim të punës dhe stafit mjekësorë.

Gzim Nuredini, mjek.
Gzim Nuredini, mjek.

“Sipas epidemiologëve piku pritet të ndodhë pas 20 prillit dhe kjo është tregues se ditëve në vijim do të ketë numër më të madh të të hospitalizuarve. Kështu, duhet qytetarët të jenë shumë të kujdesshëm në veprimet e tyre dhe të respektojnë masat. Secilën herë themi se sëmundja është vdekjeprurëse. Se nuk ka terapi specifike. Ne këtu kemi terapi vetëm për përkrahje” tha Gzim Nuredini, koordinator i Qendrës Kovid, Tetovë.

Nuredini potencoi se jo të gjithë personat të cilët janë të shtrirë në spital për shkak të virusit korona kanë sëmundje tjera shoqëruese, por ata që kanë komorbilitete tjera, që janë shumicë, janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Ka pacientë me komorbilitete dhe sëmundje të zemrës, me sëmundje tjera kronike, mirëpo ka edhe pa sëmundje tjera. Këto me sëmundje shoqëruese janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe të gjithë në mbështetje të oksigjenit. Në qoftë se vazhdon kështu do të duhet të riorganizojmë jo vetëm kuadrin dhe personelin teknik, por edhe hapësirat e spitalit. Tani janë të mbushura dy kate të repartit intern dhe infektives si qendër Kovid. Gjatë ditës do të mund të marrim edhe disa dhoma në qoftë se eventualisht do të jetë e nevojshme” tha mjeku Nuredini.

Ai gjithashtu shtoi se ka informata se një numër i pacientëve pozitiv me virusin korona në Tetovë fshehin kontaktet e tyre, në mënyrë që ti ikin izolimit dhe kështu rrezikojnë të infektojnë të tjerët, marrë parasysh shpejtësinë me të cilën shpërndahet varianti i ri britanik.

“Ka persona që fshehin kontaktet e tyre kur i lajmërojnë kompetentët për këtë, pra nga policia apo inspekcioni sanitar. Kam informacione nga kolegët as nuk paraqiten që të anashkalojnë izolimin. Kjo është shumë e rrezikshme, sidomos tani që kemi variantin britanik që shpërndahet shpejtë. Për një kohë të shkurtër shumë njerëz mund të infektohen” tha Nuredini.

Ndryshe, aktualisht ka 12-13 krevate spitalore të lira në repartin infektiv të Spitalit Klinik të Tetovës, Nuredini shtoi se ka dhoma me të cilat në mënyrë automatike mund të bëhet kyçja në sistemin për oksigjen për pacientet me Kovid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button