Maqedonia në Euro 2021 dhe Gjermania

Motivimi i të shkruajturit rrjedh nga pasioni i momentit të përjetimit të ndjesisë së rëndësisë, peshës dhe vlerës që të jep performanca e shfaqur në garën në të cilën nuk je thjeshtë një pjesëmarrës dhe aspak indiferent por je dikush që pyetesh për atë që do të ndodh deri në minutën e 93 (siç e kemi shumë të njohur si metodë ne që merremi me sport- futboll).

Përse vendosa tash dhe përse vendosa në këtë mënyre të bëj një hyrje në atë ndjesinë dhe idenë që kam për të bërë një analizë me shumë kujdes rrugën, zhvillimin, progresin si dhe ngritjen e A seleksionit të Maqedonisë dhe duke bërë një analogji të saktë e koncize ku ishim e ku erdhëm, si dhe pse, dhe çka ndikoj që sot fatmirësisht të jemi këtu ku jemi, e që padyshim duam dhe me patjetër që duhet të synojmë akoma lartë e më lartë.

Rruga e suksesit dhe arritja deri në këtë pikë ku aktualisht qëndron reprezentacioni A i Maqedonisë ka kaluar nëpër shumë etapa, faza dhe momente të vështira vendimmarrëse që kanë qenë sportive, emotive, diskriminuese edhe politike. Çelësi i këtij suksesi historik të futbollit në nivel reprezentacioni siç padyshim janë plasmani në Euro 2021 dhe fitorja ndaj Gjermanisë (që përpara 20 vjet ishte ëndërr garimi kundër kalibrit të këtyre kombëtareve, e jo më suksesi), e suksese të tjera që skam aspak dyshim që do të pasojnë edhe pas kësaj periudhe duke pasur parasysh shumë aspekte të tjera relevante, padyshim që qëndron lidhur ngushtë më të gjithë hierarkinë duke filluar nga poshtë e duke u ngjitur në krye të bartësve të proceseve sportivo-futbollistike në Maqedoninë e Veriut. Në këtë shportë të suksesit patjetër që kanë merita; secili trajner i grupmoshave të reja nëpër shkollat dhe akademitë e futbollit në nivel vendor, secili punëtor sportiv në formën dhe mënyrën e vet që mund të kontribuojë, selektorët e grupmoshave të reja, Federata e futbollit të Maqedonisë, dhe në krye vet aktorët më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të këtij sporti- FUTBOLLISTËT.

Duke analizuar me kujdes suksesin e reprezentacionit të Maqedonisë që po e shijojmë pa asnjë fije dyshimi që të gjithë ne që e bëjmë në një farë mënyre jetën  sportive futbollistike në vend dua të dal edhe të analizoj me vëmendje, SI ERDHËM DERI KËTU?

Është një gjykim i imi personal që s’do mend që duhet të jetë me çdo kusht i drejtë dhe përfundimtar. Qasja dhe rruga serioze në këtë projekt të titulluar “NGRITJE E CILËSISË SË FUTBOLLLIT TË KOMBËTARES” në nivel të seleksionimeve të reja nga U15- U21 dhe A seleksionit buron përpara shumë viteve kur u fillua me projektin një stadium në çdo komunë ku u ndërtuan shumë fusha futbolli në gati çdo komunë edhe pse jo me cilësinë më të lartë të kushteve, por megjithatë ishte një fillim i ri me një qëllim të mire për përmirësimin e infrastrukturës sportive në futboll që është një themel dhe një nevojë bazike në ngritjen e performancës dhe cilësisë.

Aspekti i dytë tejet i rëndësishëm ishte dhe që në kontinuitet pëson evoluim dhe modifikim është puna që bëhet nga Qendra për edukimin e trajnerëve, organ në kuadër të federatës së futbollit, që është njëri ndër momentet dhe pikat më kyçe në gjithë këtë autostradë që nuk duhet ecur por duhet vrapuar me shpejtësi super intensive për të arritur aty ku sot pretendojmë të jemi si vend në plan futbollistik e që shpresojmë që jemi duke ecur drejtë në atë rrugëtim. Edukimi dhe çertifikimi i trajnerëve që punojnë me grupmoshat e reja ishte dhe është akoma një nevojë e kohës duke pasur parasysh shumë aspekte pedagogjike, profesionale, njerëzore dhe progresive, sepse aty ku fillon edukimi i brezave të ri padyshim që në parim duhet edukuar dhe duhet rritur dijen dhe përgatitjen profesionale të mentorëve- trajnerëve të tyre. Kjo u bë dhe mbindërtohet falë trajnimeve, seminareve, punëtorive, materialeve dhe doracakëve të tjerë që për punën e trajnerëve janë tejet të rëndësishme dhe efikase. Në vend në nivel republikan që nga periudha 2010 e këndej në RMV janë të zhvilluara shumë akademi futbolli të grupmoshave të reja të cilat punojnë dhe evaluojnë me metoda më specifike dhe më të përparuara për zhvillimin e rritjen e futbollistëve të rinj, me metoda trajnimi nga më progresivet, me mënyra të ndjekjes dhe përkujdesjes ndaj talentëve nga më të nevojshmet e me pjesëmarrje nëpër turne ndërkombëtare të forta nëpër Evropë, që padyshim që më vonë në kuadër të zhvillimit të këtyre futbollistëve të rinj, reflektohet dhe jep rezultatet e veta edhe në seleksionimet e reja edhe në A seleksionin e Maqedonisë.

Moment tjetër tejet i rëndësishëm në këtë proces zhvillimoro- profesional është edhe seleksionimi dhe përzgjedhja e talentëve të ri nëpër të gjitha regjionet e vendit dhe me një masovitet tejet të madh dhe poashtu nëpërmes një filtri shumëdimensional që në fund të procesit të selektimit grupet e përzgjedhura të futbollistëve të keni cilësi humane, fizike, profesionale taktiko- teknike, sociale dhe menaxhuese, që nëpërmes proceseve stërvitore nëpërmes programeve për punë me grupmoshat e reja të seleksionimeve të reja që vijnë nga Youth programet e UEFA-së do të ngrisnin cilësitë dhe perfosmansat e tyre në nivel shumë më të lartë.  Një pikë tejet e rëndësishme që duhet cekur në këtë paragraf analitik është padyshim edhe projekti super produktiv dhe efikas i quajtur UEFA FFM ACADEMY (që nëse nuk gaboj aplikohet tashmë 5 vite) dhe që jep super rezultate që tani dhe që pa hamendje akoma më tepër do të reflektojë në vitet në vijim. Përse i vura kaq shumë theks këtij momenti?- Për arsyen e thjeshte se mënyra e përzgjedhjes, trajtimi i futbollistëve në aspekt profesional, si atë teknik, taktik, human, social, anatomik dhe mënyra e të ushqyerit janë format më moderne dhe më të sofistikuara që aplikohen nëpër shtetet mjaft të zhvilluara në futboll. Skauting shërbimi jashtë vendit dhe gjithandej nëpër Evropë ku luajnë lojtar të ri, por dhe seniorë që bartin nënshtetësi të RMV-së, është një mekanizëm shumë i rëndësishëm i aplikuar me mjaft mjeshtëri, duke detektuar, duke i bindur dhe duke ju dhënë mundësi të mbartin me shumë sukses fanellën e seleksionit, proces ky i cili në vazhdimësi është një kontinuitet i mirëfilltë drejt suksesit.

Duke analizuar hollësisht dhe në mënyrë shumë korrekte të gjitha këto aspekte tejet të rëndësishme për zhvillimin dhe progresin e futbollit në nivel të reprezentacionit A dhe ekipet e moshave pranë federatës vihet në fokus që ngritja e cilësisë në një periudhë afatgjate të mesme diku rreth 10 deri në 15 vjet, futbolli ka ngritje dhe një rendiment tejet të madh, e që për këtë flasin faktet dhe arritjet: kualifikimi i ekipit U21 në Euro 2017 në Poloni, kualifikimi i A reprezentacionit në Euro 2021 që padyshim është më i madhi në historinë e futbollit tonë, seleksionet U-15, U-17, U-19 dhe U-21 nuk janë më vetëm një ekip vetëm numër dhe një “training ekip” për oponentët e tyre, por është një ekip me elemente mjaft cilësore në ngritje e sipër që pretendon çdoherë të mbindërtohet më kualitete të reja dhe novitete që i kërkon padyshim futbolli modern.

Suksesi në nivelin senior të A reprezentacionit padyshim që ishte i pritshëm duke analizuar me logjikën e analizën e futbollit si trajner me  disa elemente tejet kualitative të lojtarëve që ishin pjesë e ekipit që para 3-5 viteve, dhe që pas suksesit historik asokohe në vitin 2017 të U-21 ku shumë nga këta lojtarë vazhduan shkallët e ngjitjes në seleksionin më të mirë ose A- reprezentacionin, ishte vetëm çështje momenti dhe kohe kur do të vijë edhe suksesi i radhës duke pasur në mendje konsolidimin e ekipit A me shumë kualitet fizik, teknik, taktik, të nevojshëm për të arritur performansë të nevojshme për kërkesat e futbollit cilësor të nivelit më të lartë.

Të gjitha këto aspekte që përmenda më lartë padyshim që s’do ishin aspak të rëndësishme dhe aspak të realizueshme pa ngërthyer këtu edhe elementit e përfaqësimit të drejtë etnik që s’ka qenë rast në periudhën përpara këtij momenti historik, duke filluar që nga udhëheqësia brenda federatës, selektorëve të grupmoshave, përzgjedhjes së drejtë e korrekte të futbollistëve të grupmoshave të reja për seleksionimet e reja nga U-15 deri në U-21 si dhe faktori më i rëndësishëm në tërë këtë rrugë suksesi, ofrimi dhe dhënia e mundësive në mënyrë transparente të gjithë lojtarëve të rinj seniorë të ofruar në reprezentacion pa marrë parasysh etnitetin.

Meritat më të mëdha në këtë arritje historike që deri në këtë moment kurorëzohet me fitoren kundrejt Gjermanisë që për mendimin tim është e baraspeshuar me kualifikim në Euro 2021, padyshim që shkojnë për futbollistët, që janë aktorët kryesorë të këtij valsi modern, duke mos anashkaluar edhe meritat e përzgjedhësit dhe stafit teknik që brenda një periudhe relativisht të shkurtë kohore arriti të harmonizojë dy grupe dy gjenerata futbollistësh, ata “të vjetërit” që ishin me vite në kombëtare dhe të rinjtë që erdhën nga U21 e që patën një ngërthyrje shumë efikase, shumë socializuese dhe shumë produktive mbi të gjitha në plan teknik, taktik dhe ekipor në përgjithësi. Sistemi e stili i lojës i aplikuar nga përzgjedhësi dhe stafi teknik si dhe metodat e implementuara të rotacionit në raste nevoje që është element më se i nevojshëm në dinamikën e futbollit modern duke ju dhënë mundësi  një grupi mbi 30 lojtarësh përgjatë eliminatoreve që të shprehin cilësitë e tyre në fushë dhe që në mbi 80% të rasteve lirisht mund të konstatojmë që kanë qenë të suksesshme, absolutisht duke ditur mundësitë, kapacitetet, resurset, traditën dhe aspektet tjera kyçe në këtë fenomen të quajtur arritje suksesi në nivelin më të lartë.

U edukuam si trajnerë dhe si futbollistë këto 10 vite e më tepër dhe andaj filluan që të vijnë edhe rezultatet që përmenda në disa raste më lartë, e që pa hamendje do duhet të rritemi e te zhvillohemi akoma më tepër duke rritur cilësinë duke filluar që nga mosha e vogël e fëmijëve nëpër çdo akademi dhe shkollë futbolli që punon në vend, e duke vazhduar në nivel të seleksionimeve të reja duke filluar nga U-15 e duke arritur deri tek A- reprezentacioni për të qenë aty ku sot mendoj që padyshim meritojmë të jemi, por që për të qëndruar qoftë edhe në këtë nivel duhet të rrisim akoma më shumë cilësinë, punën, seriozitetin, transparencën, investimin, edukimin e shumë e shumë elemente tjera të nevojshme për progres.

Fundin e zbukuron vepra, e padyshim vepra më e madhe e gjithë kësaj që thash deri këtu është ajo lojë, ai karakter dhe ato performanca që kanë dhuruar aktorët kryesore të gjithë kësaj historie, FUTBOLLISTËT e kombëtares, që duhet patjetër t’ju FALEMINDERIT DJEM të gjithëve pa asnjë përjashtim me suksesin dhe rezultatet e juaja na e bëni më të lehtë neve trajnerëve që punojmë dhe edukojmë breza të ri duke ju dhënë atyre por edhe neve motivim akoma dhe me të lartë për punë dhe angazhim më të madh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button