RMV, Fisniku do të punësohet te ndërmarrja “Parqe dhe gjelbërime” për të dëshmuar se barrierat mund të tejkalohen

I punësuari i ri në Ndërmarrjen Publike “Parqe dhe Gjelbërime” do të jetë Fisnik Selimi, i cili përkundër pengesave, na ka dëshmuar se me motiv dhe vullnet mund të tejkalohen barrierat drejt suksesit, transmeton Portalb.mk.

Selimi me entuziazëm mirëpret hapjen e dyerve nga ky institucion, si një mundësi e vetme deri më tani për të shprehur aftësitë, kryesisht në komunikim dhe punë me kompjuter.

Fisnik Selimi dhe Ardijan Muca, drejtori i NP Parqe dhe Gjelbërime

Ai është një 19 vjeçar nga Shkupi, i cili në fëmijërinë e tij të hershme si pasojë e një sëmundje ka humbur shikimin. Ai është përballur me sëmundjen ende pa e parë mirë botën e pa u njohur me gjërat që e rrethojnë, tregon ai për Portalb.mk. Por, kjo nuk e ka penguar atë që të përshtatet me rrethin e të zhvillohet sikurse edhe moshatarët e tij të cilët nuk përballen me këtë pengesë, të ndjekë ëndrrat me shumë guxim dhe të ecë drejt horizonteve të cilët nuk njohin kufi.

Edhe pse për një person, humbja e shikimit do t’i shkaktonte pengesa e vështirësi për rrugën e zhvillimit të tij, kjo gjë nuk ka ndodhur me Fisnikun, i cili me vullnetin dhe këmbënguljen e palodhur, ka arritur që të thyejë të gjitha barrierat që i kanë dalë para.

Madje, ambiciet e tij janë shumë të larta. Ai është student i vitit të dytë në Fakultetin Juridik dhe përkrah kësaj merret edhe me shumë aktivitete të tjera, siç janë noti e fitnesi. Ai mund të përdorë pa problem mjetet teknologjike, si laptop dhe telefona të mençur.

“Gjatë javës, dy ditë shkoj në kurs të anglishtes nga një orë e gjysmë. Bëj edhe sport, në fitnes, not kam filluar pak më parë. Në not shkoj me trajner. Më shumë ditë shkoj në fakultet. Studioj juridikun e përgjithshëm në Universitetin AAB në Prishtinë, jam në vitin e dytë. Studimet i bëj me incizim me audio, i incizoj ligjëratat e profesorëve, është një pajisje që quhet diktafon dhe me atë ua regjistroj zërin dhe më pas kur vjen koha i provimeve i dëgjoj. Unë si i verbër kam pasur shumë ndihmë prej shumë personave, kolegëve në fakultet. I kam vërejtur se çdoherë, në qoftë se ngritem nga ulësja më ndihmojnë dhe nuk largohen deri sa të ulem prapë”, deklaroi ai për Portalb.mk.

Ai ka dëshmuar se si mund të përdor edhe laptopin dhe mjetet teknologjike, telefonin, përkundër kufizimeve.

“Për të verbrit janë të rregulluara programet akustike apostafat për to. Deri më tani nuk më ka penguar asgjë. Kam përkrahjen e prindërve, përkrahjen e familjes dhe nuk jam dëshpëruar për asgjë deri më tash, kam arritur shumë gjëra që i kam dashur. Këtë vit e kam edhe një asistent i cili më përcjell nëse më duhet ndonjë ndihmë ose diçka. P.sh shkoj në fitnes me të dhe mund ta thërras atë për çdo gjë që më duhet. Në komunikacion ka shumë pengesa. Kam dëgjuar se në Evropë kanë shumë kushte të mira për të verbrit. P.sh kanë forma orientuese në tokë, kanë diçka të vendosur në rrugë, për ta ditur i verbri se ku e ka rrugën e tij. Ose në qoftë se është në rrugë kryesore ose që duhet të kalojë në semafora, është semafori me sinjal, tregon se kur duhet të ndalosh dhe kur duhet të kalohet. Këtu ka vetëm në dy vende semafora për të verbër dhe diku janë me sistemin e verbër”, theksoi Selimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button