fbpx

ASH: Derisa ishte ministër, Arbër Ademi e zyrtarizoi librin e Sociologjisë ku nënçmohen shqiptarët

Njësoj si në librin e Gjeografisë për vitet e dyta për gjimnaz, ashtu edhe në librin e Sociologjisë nënçmohen shqiptarët me materiale fashiste, paralajmëron Aleanca për Shqiptarët, njofton Portalb.mk.

“Ky libër që e shihni këtu është libri i Sociologjisë për vitet e dyta të gjimnazit të reformuar. Njësoj sikurse libri i Gjeografisë dikur edhe ky libër shpërndan propagandë fashiste dhe nënçmues ndaj shqiptarëve dhe komuniteteve tjera jomaqedonase në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Më konkretisht, në faqen 116 të këtij libri bëhet dehumanizimi i shqiptarëve duke i trajtuar ata si të paedukuar, të cilët nuk janë të aftë të kontrollojnë natalitetin e tyre dhe si pasojë propozon që të vendosen masa kontrolli për natalitetin e shqiptarëve. Në anën tjetër, propozon që të stimulohet nataliteti te maqedonasit, sepse sipas këtij libri, shtimi i shqiptarëve shkakton probleme politike, ekonomike dhe sociale. Ky libër është asgjë më pak sesa një doracak i shpërndarjes së frymës fashiste anti-shqiptare dhe fatkeqësisht po ky libër u autorizua në vitin 2020 nga ministri i atëhershëm Arbër Ademi”, tha Omer Ajdini nga ASH.

Ajdini, para ministrisë i dogji disa faqe, ku siç tha ai janë me përmbajtje fashiste.

“Faqet me elemente fashiste në mënyrë që të tregojmë që mentaliteti fashist nuk duhet të ketë vend në librat shkollor me të cilat synohet indoktrinimi i fëmijëve tanë. Përmes një letre zyrtare drejtuar ministres Carovska, kërkojmë që urgjentisht ky libër të tërhiqet nga përdorimi dhe të ndalohet fyerja e shqiptarëve dhe shpërndarja e fashizmit në shtetin tonë!”, tha Ajdini.

Arbër Ademi, nuk iu përgjigj thirrjes tonë telefonike dhe porosisë, në lidhje me akuzat e opozitës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button