Komuna e Tetovës vitin 2020 e ka mbyllur me 2 milionë euro humbje

Me humbje prej 121 milion denarë e gjysmë apo dy milion euro humbje, Komuna e Tetovës e ka përmbyllur vitin 2020. Këto para i shtohen listës së borxheve të kësaj komune, e cila më shumë ka harxhuar se sa ka fituar. Opozita sot në seancën e këshillit komunal kritikoi këtë, duke potencuar se kjo komunë u jep më shumë rëndësi punësimeve se sa investimeve reale, shkruan Portalb.mk.

Llogaria përfundimtare e Komunës së Tetovës për vitin 2020 ka një deficit prej 121.689.428 milion denarësh, që përkthyer në euro është rreth 2 milionë euro, kjo shifër u bë publike sot në seancën e 42 të Këshillit Komunal.

Sa ishin planifikuar të hyrat dhe të dalat e kësaj komune për vitin 2020 dhe si rezultoi?

Sipas Sektorit për Financa, për vitin 2020 ishin planifikuar të hyra prej 1.714.301.244 denarë apo  27.816.895,11 euro ndërsa janë realizuar të hyra prej 1.371.855.414 apo 22.260.240,60 euro – Sipas kësaj, Komuna e Tetovës ka dështuar të arrijë planin e saj paraprak sa ju përket të hyrave.

Ndërkaq, për shpenzime për vitin 2020 ishin planifikuar 1.990.093.580 apo 32.287.075,77 euro denarë kurse janë realizuar 1.493.544.842 denarë apo 24.231.119,56 euro, as në këtë pjesë nuk i ka shkuar komunës sipas planit.

Sipas Besar Durmishit, këshilltar nga Lëvizja BESA, kjo vjen për shkak se sipas tij, për Komunën e Tetovës më të rëndësishme janë punësimet dhe harxhimet e panevojshme se sa të merren me problemet reale me të cilat përballen qytetaret e Tetovës.

“Më shumë i jepet rëndësi punësimeve dhe harxhimeve të panevojshme, se sa problemeve reale të qytetarëve dhe investimeve kapitale” tha Besar Durmishi, këshilltar nga Lëvizja BESA.

Për mungesën e investimeve kapitale, ju përgjigj kryetari i Këshillit Komunal, Bekim Memeti, i cili fajësoi situatën me pandeminë e virusit korona.

“Për shkak të pandemisë kishte shumë pak investime kapitale”, tha Memeti.

Borxhet dhe mbingarkesa me punëtorë nuk e ndalojnë komunën të punësojë, Arifi me deklarata kontradiktore

Komuna e Tetovës është e mbingarkuar me punëtorë përderisa është borxhliu më i madh mes komunave në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, kjo nuk përbën problem për autoritetet komunale të cilët të një muaj më herët votuan planin për punësim të 32 personave tjerë. Rikujtojmë deklaratën e kryetares Arifi se kësaj komune nuk i nevojiten më shumë se 150 punonjës edhe pse aktualisht ka mbi 400. Opozita në Këshillin Komunal atëherë akuzuan se punësimet e fundit bëhen për shkak të zgjedhjeve lokale dhe jo sepse ka nevojë.

12 milionë denarë në muaj ju kushtojnë taksapaguesve tetovar këta punonjës, këtë e konfirmoi kryetarja Arifi e cila një muaj më herët potencoi se “Nuk ka çfarë të bëje” për shkak se ashtu e ka trashëguar komunën.

“Komuna e Tetovës është komuna që ka më së shumti të punësuar brenda administratës, numri i të punësuarve nuk është rrit shumë, tash jemi 420 vetë, çdo muaj nënshkruaj afër 12 milion denarë për pagat e punëtorëve. Është barrë e madhe por unë atë e kam trashëguar si të tillë, dhe logjika ime ka qenë që në qoftë se në tërë shtetin nuk ka pasur tendenca të prerjeve administrative apo fillimit të ndonjë procesi me BE-në, edhe pse me vështirësi, ne do ta mbajmë këtë sasi të të punësuarve me çmimin e lartë. Komuna e Tetovës është komuna e cila paguan më së shumti paga në nivel të shtetit” tha Teuta Arifi  TV21.

Ndërkaq, deklarata e kryetares Arifi se “Komuna e Tetovës mund të jetë efektive pa problem me 150 persona të punësuar” bie në kundërshtim me planin e ri për punësime të reja dhe jo vetëm.

Komuna e Tetovës është borxhliu më i madh në shtet

Një prej premtimeve parazgjedhore të kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ishte pikërisht ulja e borxhit komunal. Megjithatë, borxhi përveç që nuk është ulur, kjo komunë tashmë cilësohet si “borxhliu” më i madh prej gjithsej 80 komunave në vend, ndërsa për vetëm 3 muaj, Komuna e Tetovës ka rritur borxhin për 1,4 milionë euro.

Edhe pse nga Komuna e Tetovës nuk tregojnë se kujt i kanë borxh, gjetjet e hulumtimit të “Scoop” më 21 janar 2021, në bashkëpunim me Institutin për të Drejtat e Njeriut dhe Medium, tregojnë se pikërisht kjo komunë është borxhliu më i madh prej gjithsej 80 komunave në vend.

Aktualisht Komuna e Tetovës ka të akumuluar një borxh prej gjithsej 9,4 milionë euro, menjëherë pas saj është Komuna e Ohrit me 6,7 milion euro kurse në vendin e tretë është Komuna e Karposhit me 5,2 milion euro borxh.

Thuajse të gjitha ndërmarrjet të cilat funksionojnë në Komunën e Tetovës janë të mbingarkuara me punëtorë dhe funksionojnë në humbje, kjo nuk e ka ndaluar asnjëherë Komunën e Tetovës që të publikoje shpallje të reja për punësim.

Rikujtojmë se edhe pse edhe Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” është një nga ndërmarrjet me më shumë punonjës në vend, nga kjo ndërmarrje disa muaj më herët publikuan shpallje për punësimin e 8 punëtorëve të ri, përkundër faktit që edhe kjo ndërmarrje sapo kishte marrë kredi prej 6 milion denarëve për të paguar punëtorët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button