Në regjistrim e popullsisë nga 1 prilli do të përfshihen edhe qytetarët që nuk kanë nënshtetësi, paralajmëroi Selami

Në regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, pritet të përfshihet edhe regjistrimi i qytetarëve pa nënshtetësi, paralajmëroi zv.drejtori i Entit shtetëror të statistikave, Ilmi Selami, transmeton Portalb.mk.

“Janë krijuar kushte më të volitshme deri më tani që kemi pasur regjistrim, mu për atë se kemi një kornizë solide ligjore, institucionale dhe resurse njerëzore të mjaftueshme që do të sigurojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuate në gjithë administratën e regjistrimit. Në këtë drejtim, kjo kornizë ligjore që është kualitative, siguron përveç tjerash edhe regjistrimin e njerëzve që nuk kanë nënshtetësi”, deklaroi Selami, në një intervistë për EN, duke mos dhënë projeksion se sa do të mund të jetë numri i personave pa nënshtetësi.

Ai theksoi që numri i qytetarëve pa nënshtetësi në bazë të partive në pushtet është rreth një mijë, derisa partitë opozitare theksojnë që ka rreth 30-60 mijë qytetarë

Selami njoftoi që deri më sot janë regjistruar rreth 150 mijë persona, ndërkohë ai vlerësoi që deri më 21 prill shpreson të jenë mbi 300 mijë të regjistruar nga diaspora.

Përndryshe, regjistrimi i popullsisë pritet të realizohet në periudhën prej datës 1 deri më 21 prill të vitit 2021. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Përndryshe Kuvendi është jo-funksional për shkak të mungesës së kuorumit për punë dhe votim, duke pasur parasysh se dy deputetë nga shumica e 62 në periudhën e kaluar përfunduan në izolim për shkak të kovid-19. Përveç kësaj, grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativën me mbi 32,000 amendamente bllokoi 20 ligje, mes të cilëve edhe vendimin për vazhdimin e gjendjes së krizës me rreth 400 amendamente, si kushtëzim për mbështetjen e Ligjit për Shtetësinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button