Profesori i akuzuar për plagjiaturë, thotë se nuk kemi të drejtë ta nënçmojmë aq shumë Universitetin e Tetovës

Ish Rektori i Universitetit të Tetovës dhe profesor aktual, Nexhbedin Beadini, mbrëmë në programin “200” në Alsat M, ka folur në lidhje me skandalin e plagjiaturave të punimeve shkencore nga ana e disa profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, në mesin e të cilëve u gjet edhe emri i tij. Ai nuk i pranoi akuzat për plagjiaturë dhe këtë e quan nënçmim për universitetin, njofton Portalb.mk.

“Absolutisht jo. Nëse do t’i futemi kësaj pune, do ti futemi në përgjithësi për të parë se cila është e vërteta. Por që nuk kemi asnjëri të drejtë që ta nënçmojmë aq shumë Universitetin e Tetovës. Sido që të jetë unë jam apostrofuar, që nuk do të thotë se  është e vërtet kjo, sepse një revistë që nuk ka adresë dhe emër ë ka apostrofuar”, u përgjigj Beadini në pyetjen e gazetarit nëse i pranon akuzat e revistës “Veritas”.

Beadini, megjithatë thotë se çështja e plagjiaturës lidhet me të drejtën aktuale, e cila duhet që të zgjidhet përmes procesit gjyqësor.

“Ka organe kompetente, është Këshilli mësimor-shkencor i fakultetit, është udhëheqësia doktorale e studimeve të ciklit të tretë, është Rektorati i Universitetit të Tetovës, është Senati. Këto janë organet kompetente që do ta vlerësojnë punën tonë akademike, dhe është Ministria e Arsimit, por jo me kompetencën e plagjiaturës dhe vjedhjes, sepse kjo është e drejtë autoriale. E drejta autoriale shkon përmes procesit gjyqësor dhe kjo kështu do të ndodhë. Sido që të jetë le ta thotë inspektorati punën e vet, ne do ta themi punën tonë dhe të shohim se ku jemi”, deklaroi Beadini.

Beadini paralajmëroi se do të marrë përgjegjësi në rast se institucionet e konfirmojnë plagjiaturën.

Inspektorati në UT

Inspektorati i Arsimit dje ka hyrë në hapësirat e Universitetit të Tetovës për të hulumtuar në lidhje me rastin e studimit të revistës anonime “Veritas” për plagjiaturat dhe shkeljet e mundshme tjera ligjore të disa profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë. Nga ky inspektorat për Portalb.mk theksuan se nuk dihet sa ditë do të zgjasë inspektimi.

Të pyetur se kur do të dihet epilogu i këtij inspektimi të jashtëzakonshëm, nga Inspektorati i Arsimit theksuan se një gjë e tillë ende nuk dihet, pasi që inspektimi mund të zgjasë disa ditë.

“Inspektimi ka filluar, nuk dihet se a do të mbarojë për një ditë dhe sa do të zgjasë, pasi të jetë gati raporti atëherë mund të deklarohemi për mediat” theksuan për Portalb.mk nga Inspektorati i Arsimit.

Ndërkaq, ankesa për plagjiatura dhe shkelje tjera të mundshme ligjore në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Tetovës deri tek Inspektorati i Arsimit ka arritur me datë 17 mars, pikërisht në ditën kur edhe u bë publike studimi i “Veritas”.

Portalb.mk sërish ka tentuar të kontaktojë dhe pret përgjigje nga gjithë të akuzuarit për plagjiaturë dhe për arritje në vendin e punës duke mos respektuar Ligjin për Arsim të Lartë, të njëjtit nuk përgjigjen në pyetjet tona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button