RMV, kriza me pandeminë tregoi se puna nga shtëpia duhet të formalizohet me ligj

Formalizimi i punës nga shtëpia në kuadrin ligjor, që është shfaqur si nevojë për mënyrë të re të organizimit të punës në kohë pandemie, është një nga rekomandimet kryesore të ekspertëve të Konventës Kombëtare të BE-së. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, theksoi se tema është e një domethënie thelbësore për përcaktimin e mekanizmave ligjorë për rregullimin e kësaj çështjeje, transmeton Portalb.mk.

Jagoda Shahpaska
Jagoda Shahpaska

“Pandemia nuk është vetëm shëndetësore, por edhe ekonomike dhe sociologjike që ka goditur edhe ekonomi shumë të fuqishme, pasi virusi është i pa kompromis. Në periudhë krize, përparësi ishte ruajtja e vendeve të punës dhe ndihmimi i kategorive të prekshme, me qëllim që t’ju ndihmojmë edhe kompanitë ashtu edhe punëtorët. Puna nga shtëpia, e cila është shfaqur si një koncept i ri dhe si mënyrë e re e punës, është bërë përvojë serioze dhe kjo do të përfshihet në legjislacionin e ri në të ardhmen. Reforma sociale është vënë në test. Me përgjegjësi siguroj se ajo na mundësoi ta kapërcejmë krizën”, deklaroi Shahpaska.

“Puna nga shtëpia si mënyrë organizimi e procesit të punës do të vazhdojë pas përfundimit të pandemisë që  kërkon rregullimin sistematik të kësaj materie”, tha profesori në Fakultetin Filozofik në Shkup, Jovan Pejkovski. Përveç kësaj, siç shtoi ai, do të jetë e nevojshme të specifikohen detaje të tjera të tilla si numri maksimal dhe minimal i orëve të punës, paga minimale, mënyra e ngritjes në karrierë, sipas cilave kushte mund të ndërpritet kontrata e punës, përdorimi i pushimit mjekësor dhe pushimi, mbrojtja në punë nga shtëpia, mbrojtja e amësisë, periudha e pagimit të rrogës, puna nga shtëpia për një kohë të caktuar dhe të pacaktuar, cili është detyrimi për të informuar punëdhënësin në kuptimine ndryshimeve në detyrimet dhe kushtet, puna jashtë orarit në rast të rritjes së ngarkesës së punës, cilat janë përgjegjësitë e punëdhënësit, mirëmbajtja e pajisjeve, instalimet, forcimi i internetit, digjitalizimi, investimi në teknologjinë e informacionit, mbrojtja e të dhënave dhe të ngjashme.

Në këtë kërkesë u ndërlidhën edhe profesorët Llazar Jovevski, nga Fakulteti i drejtësisë dhe Zoran Mihajlloski nga Kolegji amerikan, i cili theksoi se mënyra e punës nga shtëpia duhet të rregullohet me reformën e Ligjit për marrëdhënie pune që është në proces e sipër.

Një pjesë e ekspertëve u pajtuan se kriza gjithashtu ndikoi edhe në ekuilibrin e barazisë gjinore.

Burrat-Gratë

“Kriza ka edhe dimension gjinor, përveç mekanizmit ligjor për të cilin po diskutojmë. Kriza shëndetësore ka hapur shumë sfida. I ka prekur të gjitha vendet në botë nga aspekti gjinor dhe ka intensifikuar pabarazinë ekzistuese, “tha Gabriela Maxhovska nga MPPS.

Në këtë u ndërlidh edhe profesoresha universitare Makedonka Raduloviq, e cila foli për cenueshmërinë e grave të punësuara në tregun e punës dhe e cila rekomandoi futjen e kontrollit mbi zbatimin e rregullativës së re, si dhe se duhet të hapen kopshte që do të punojnë 24 orë, për prindërit me turne, si dhe sigurimin e asistentëve familjar.

Në debat u përfshinë edhe ekspertët sllovakë Daniel Shkobra dhe Tomas Strazhaj, të cilët theksuar se qëllimi i seancave të tilla, si dhe i vetë Konventës Kombëtare, është të ndajnë përvojat dhe të ndihmojnë ekspertët të mbështesin njëri-tjetrin.

“Në planin e BE-së për rimëkëmbje nga pandemia janë përfshirë jo vetëm 27 anëtarët, por edhe disa vende të tjera, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut. Dua të theksoj se Sllovakia mbështet plotësisht përpjekjet për të filluar negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian,” tha Strazhaj.

Në këtë kontekst, debati u përmbyll nga koordinatorja e Konventës Kombëtare, Mileva Gjurovska, e cila deklaroi se përvoja tre-vjeçare e Konventës Nacionale tregoi se jo vetëm që funksionon metodologjia e re për negociatat e anëtarësimit për anëtarësimin në BE, por gjithashtu e ka rritur interesin për shumicën e aktorëve në jetën shoqërore në vendin tonë, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve të punës që ishte edhe tema e debatit dhe që i përket pikërisht klasterit të sferës ekonomike.

“Ekonomia ishte një pikë e veçantë e pandemisë dhe mund të matet nga krizat më të mëdha në botë. Prandaj, rregullimi i mënyrës së punës nga shtëpia kërkon masa afatgjate”, përfundoi Gjurovska.

Debati u organizua nga Konventa Kombëtare e BE-sën cikli i dytë i Grupit të 2-të Punues, me temën “Mekanizmat ligjorë për rregullimin e marrëdhënieve të punës në kushte pandemie të shkaktuar nga KOVID 19.

Ndërkohë, acquisi i BE-së, në fushën sociale (Kapitulli 19), synon rritjen e punësimit, përmirësimin e kushteve të punës dhe të jetesës, krijimin e mekanizmave të mbrojtjes sociale me standardet e duhura, promovimin e dialogut me partnerët social, zhvillimin e burimeve njerëzore në mënyrë që të sigurojë punësim të qëndrueshëm, luftimin e varfërisë dhe përjashtimit social dhe ofrimin e mundësive të barabarta për meshkujt dhe femrat.

Duke pasur parasysh sa më sipër, acquis përfshin standarde minimale në fushën e legjislacionit të punës, barazisë, shëndetit dhe sigurisë në punë, si dhe antidiskriminimitFondi Social Evropian është mjeti kryesor financiar përmes të cilit BE-ja mbështet zbatimin e strategjisë së saj të punësimit dhe kontribuon në përpjekjet për përfshirje sociale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button