Tetovë, 4 muaj nga nënshkrimi i kontratës prej 40 mijë eurove për rrugën “116”, punët assesi të fillojnë

Kanë kaluar mbi 4 muaj nga kur 40 mijë euro të taksapaguesve tetovarë janë ndarë për rikonstruimin dhe asfaltimin e rrugës “116” dhe disa rrugicave dytësore, punët për këtë ende nuk kanë filluar. Edhe pse nga Komuna e Tetovës thonë se “punët shkojnë sipas planit”, Portalb rikujton se plani i komunës ishte që punët të fillojnë në mars.

Gazetari i Portalb.mk ishte sot në rrugën “116” për të verifikuar se a kanë filluar punët për rikonstruimin dhe asfaltimin e kësaj rruge këtë muaj, ashtu siç u premtua paraprakisht nga Komuna e Tetovës, edhe atë nga muaji nëntor.

Gjendja e kësaj lagje ishte e mjerueshme, me shumë gropa dhe në disa pjesë thuajse e pakalueshme.

Foto-Galeri nga lagjja “116”

This slideshow requires JavaScript.

Pse ndryshoi plani i Komunës së Tetovës?

Në nëntor të vitit të kaluar, nga Komuna e Tetovës u shprehën se plani i tyre për rrugën “116” është që të fillojnë punët për asfaltimin dhe rikonstruimin të fillojnë në mars të këtij viti.

“Në mars planifikohet të fillojnë punimet, tash është duke u realizuar programi i infrastrukturës” deklaruan nga Komuna e Tetovës më datë 24 nëntor.

Sot që flasim, jemi në fund të muajit mars ndërsa punët ende nuk kanë filluar, autoritetet komunale vazhdojnë të insistojnë se punët ju shkojnë sipas planit, ndërkaq fajin ja adresojnë kushteve klimatike.

“Procedura e furnizimit publik është mbyllë. Kontrata me operatorin ekonomik është nënshkruar. Me përmirësimin e kushteve klimatike, punimet do te vijojnë sipas planit. Bëhet fjalë për asfaltim te rrugës dhe disa rrugicave dytësore në rrugën 116” theksuan sot nga Komuna e Tetovës.

Çfarë thotë kontrata prej 40 mijë eurove?

Sipas kontratës në fjalë, të publikuar në sistemin për furnizime publike, bartësi i furnizimit publik që në këtë rast është kompania e lartpërmendur, është i detyruar që lëndën e kontratës, që është rikonstruimi i rrugës, ta realizoje në afat prej 60 ditëve nga dita e vënies së punëve, por nuk përcaktohet afat kohor për fillimin e punëve.

Ndërkaq, shuma e saj është 2,5 milion denarë apo 40.633 euro.

Kontrata mes Komunës së Tetovës dhe kompanisë Be-Grupa.
Kontrata mes Komunës së Tetovës dhe kompanisë Be-Grupa.

Rruga 116 në Tetovë, e harruar nga viti 1991

Hera e fundit kur është shtruar me asfalt rruga “116” në Tetovë ka qenë para pavarësisë së Maqedonisë (1991), ajo aktualisht është në gjendje të tmerrshme.

Kjo rrugë është e mbushur përplot me gropa, asfalt të dëmtuar të cilat pamundësojnë kalimin e disa veturave të banorëve të kësaj lagje. Faktin se kjo rrugë është e lënë pas dore, e vërtetojnë edhe mbeturinat të cilat gjenden në secilin cep të kësaj lagje.

Banorët e kësaj lagje disa here me radhë kanë kërkuar nga institucionet kompetente që ta rregullojnë të njëjtën, mirëpo kërkesat e tyre nuk janë përfillur. Në nëntor të vitit të kaluar, banorët e kësaj lagje formuluan një kërkesë në të cilën nënshkrues ishin mbi 200 banorë të lagjes, me anë të së cilës kërkuan nga Komuna e Tetovës rikonstruimin e rrugës në mënyrë urgjente.

Megjithatë, përgjigjen nga Komuna e Tetovës këta banorë e morën disa javë më herët, pra me 1 vit vonesë nga ku edhe ua kishin dërguar kontratën e komunës me kompaninë për rikonstruimin e kësaj lagje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button