BE-ja kërcënon me ndalesë eksportet e vaksinave AstraZeneca

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërcënoi me ndalimin e eksportit të vaksinave AstraZeneca kundër COVID-19, nëse blloku nuk pranon më parë dërgesat e premtuara nga ana e kompanisë, shkruan REL.

“Ky është mesazhi për AstraZeneca: së pari përmbushni kontratën tuaj me Evropën pastaj filloni të dërgoni në vendet e tjera”, i tha von der Leyen grupit mediatik Funke të Gjermanisë.

Ky paralajmërim bëhet në kohën kur vendet Bashkimi Evropian po përpiqen të përshpejtojnë fushatën e vaksinimit. Shumë vende anëtare po përballen me rritje të numrit të të infektuarve dhe kanë rivendosur kufizimet e lëvizjes.

Von der Leyen tha se kompania farmaceutike anglo-suedeze AstraZeneca kishte shpërndarë vetëm 30 për qind të 90 milionë dozave të vaksinës që kishte premtuar për tremujorin e parë të vitit.

Kompania ka fajësuar për vonesat e prodhimit uzinat e saj në BE, por zyrtarët evropianë janë të zemëruar që AstraZeneca ka qenë në gjendje të realizojë kontratën e saj në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa nuk ka arritur ta zbatojë me Bashkimin Evropian.

Ursula von der Leyen kishte kërcënuar edhe të mërkurën se do të kërkonte kompetenca emergjente për të bllokuar eksportet e vaksinave për të siguruar “reciprocitet” me furnizuesit e tjerë.

Imunizimi kundër COVID-19 në vendet e Bashkimit Evropian ka ngecur për shkak të vonesave në shpërndarjen e vaksinave por edhe për arsye se disa vende evropiane e pezulluan përdorimin e vaksinës se Oxford-AstraZeneca kundër COVID-19, për shkak të frikës nga efektet anësore të mundshme.

Pavarësisht se Rregullatori evropian i barnave tha se vaksina AstraZeneca është e sigurt dhe efektive, disa vende hezitojnë të vazhdojnë fushatat e tyre të imunizimit.

Autoriteti shëndetësor i Finlandës ka njoftuar një pezullim në përdorimin e vaksinës që do të zgjasë të paktën një javë.

Zyrtarët kanë thënë se kjo është një masë paraprake pasi u raportua për mpiksje të gjakut te dy pacientë që ishin injektuar me këtë vaksinë, raporton BBC.

Ndërkohë, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia thanë të premten se u duhej më shumë kohë për të vendosur nëse do të rinisnin vaksinimet me vaksinën e AstraZeneca-s.

Gjermania, Italia, Franca, Spanja dhe Holanda janë ndër vendet që kanë rifilluar fushatat e tyre të vaksinimit me AstraZeneca. Autoritetet shëndetësore në Francë kanë rekomanduar që vaksina t’u ofrohet vetëm njerëzve të moshës 55 vjeç e lart.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) rishikoi sigurinë e kësaj vaksine pasi 13 vende evropiane pezulluan përdorimin e saj për shkak të frikës nga një lidhje me mpiksjen e gjakut.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka kërkuar vendeve të vazhdojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca.

Të premten, ekspertët në OBSH thanë se vaksina kishte “potencial të jashtëzakonshëm për të parandaluar infektimin dhe për të zvogëluar vdekjet në të gjithë botën”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button