Aksion policor në Strugë, janë arrestuar djemtë e Dilaver Bojkut

Mbrëmë në aksionin e koduar policor “I arratisuri” janë arrestuar djemtë e Dilaver Bojkut, respektivisht Erben dhe Besnik Bojku. Njësitet e policisë kanë arritur të kapin vëllezërit në rrugën rajonale Strugë-Dibër, gjegjësisht në hyrje të Veleshtës, ku edhe janë arrestuar derisa të dy kanë qenë të armatosur, shkruan Alsat.mk.

Erben Bojku kërkohej me tre fletarrestime të brendshme dhe një fletarrest ndërkombëtarë me kërkesë të Gjykatës Themelore në Strugë, për kryerjen e veprës penale vrasje dhe tregti ilegale me armë. Erben Bojku është dënuar me gjithsej 21 vite burg. Ndërsa, Besnik Bojku është arrestuar për posedim të armës.

Babai i dy vëllezërve, Dilaver Bojku ka qenë i dënuar për prostitucion të paligjshëm në fshatin Veleshtë të Strugës, ndërsa në gusht të vitit 2017 u qëllua për vdekje në kafenenë e tij në afërsi të ish stacionit të autobusëve në Strugë.

Ministria e Punëve të Brendshme pritet të jep më shumë detaje nga aksioni policore gjatë ditës së nesërme.

LEXO:  Strugë, pas të shtënave me armë zjarri mbetet i vrarë Dilaver Bojku

Kush ishte Dilaver Bojku – Leku?

Dilaver Bojku, i njohur me nofkën Leku, personi ka lindur në vitin 1959 në Veleshtë të Strugës. Ai u be i njohur, në radhë të parë për policinë e Maqedonisë, e më vonë edhe për Interpolin dhe FBI-në amerikane, si dhe për publikun më të gjerë, për aktivitet e tij të shumta kriminale, në radhë të parë për prostitucion. Atë e vranë në vitin 2017.

Si i ri, pas një qëndrimi në Zvicër, ku punoi në ndërtim, në vitet ’80 kthehet në Maqedoni. Atje hap klube nate, ku ofrohej nder te tjera prostitucion dhe drogë.

Deri ne vitin 2000, ai ka operuar në linjën Ballkan-Evropë, duke sjellë prostituta nga shtetet e ish-Jugosllavisë, Ukraina, Molldavia dhe duke çuar si klandestine në vendet e Bashkimit Evropian shqiptarë, kurdë, pakistanezë dhe afgane. Me punë operative dhe me bashkëpunim të FBI-së (dega Budapest) me policitë evropiane, Bojku identifikohet, grumbullohen dëshmi për punët kriminale dhe shpallet fletarrest ndërkombëtar.

Në shkurt të vitit 2003 arrestohet nga policia e Maqedonisë, me ç’rast në klubet e tij zbulohen dhjetra vajza që kanë qëndruar ilegalisht në vend. Gjykata e Strugës e dënon me 6 muaj burg për mbajtje të një femre pa dëshirën e saj, gjë që në opinion pritet me habi të madhe, për shkak të dënimit të butë që i është shqiptuar. Pas ankesës së prokurorisë dënimi i rritet në 3 vjet.

Më 20 qershor 2003, derisa transportohej nga burgu me siguri të ulët, i ik policisë. Marshallët amerikanë madje shpallin shpërblim prej 10.000 dollarë për atë që do të ndihmojë në zënien e Bojkut. Për arratisjen e tij nga burgu, kanë shkruar edhe mediat botërore, si The New York Times, Guardian etj.

Rreth dy javë pasi ik nga burgu i Strugës, arrestohet në Ulqin të Malit të Zi, prej nga kishte planifikuar të braktiset, fillimisht për Itali, e më pas për Brazil.

Sidoqoftë, Bojku kthehet në Maqedoni ku e vuan dënimin, ndërsa pas daljes nga burgu humb edhe nga fokusi i publikut dhe mediave dhe për të dihet se i është rrekur biznesit me hotelieri dhe turizëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button