BOLL NA NUMËRUAT SI DELE!

Askund në botë regjistrimi i popullatës, amvisërive, banesave… nuk politizohet e problematizohet si në Maqedoninë e Veriut. Këtu ky proces kuptohet si një luftë shqiptaro-maqedonase, si një betejë e “shumicës” që drejton shtetin dhe “pakicës” që popullon gati gjysmën e territorrit të tij, jo si mekanizëm që siguron të dhënat e domosdoshme për bërjen e planeve më të mira zhvillimore, nëpërmjet të cilëve do të shpëtonim të gjithë nga prapambetja dhe standardi afrikan i jetës.

Pikërisht te ky synim i mbrapshtë politik për dominim të domosdoshëm ndaj tjetrit qëndron shkaku i mosregjistrimit të mirëfilltë të popullatës që nga viti 1991, kur Maqedonia u shpall siç u shpall shtet i pavarur. Kjo ndodh për shkak të frikës së pushtetarëve shqiptarofobë prej numrit real të shqiptarëve dhe, naytirisht për shkak të vendosmërisë sonë për t’i dhënë fund lojës me shifra të rreme, numërimit tonë si të ishim dele dhe nenit të përçudnuar kushtetues, që na konsideron si 20 % të qytetarëve të cilët flasin një gjuhë tjetër nga gjuha biblike maqedonase.

Se është kështu dhe se nga numrat varen të drejtat tona në vendin e çudirave (statusi dhe përfaqësimi në institucionet publike, mirëqenia ekonomike dhe investimet kapitale në vendbanimet tona, të drejtat e gjuhës dhe shkollimit…), tani më e dinë dhe laraskat, ndaj janë legjitime apelet e intelektualëve dhe të politikanëve të njohur shqiptarë për të sensbilizuar njerëzit brenda dhe jashtë vendit që ta marrin shumë seriozisht regjistrimin e popullatës, i cili do të zgjasë deri më 21 prill të këtij viti.

Ky zgjim, pavarësisht nevrikosjes së despotëve me kollare demokratike, të mësuar me nëpërkëmbjen e të drejtave tona legjitime, lidhet me obligimet e çdo qytetari për sigurimin e  një regjistrimi të paqtë e të drejtë, në pajtim të plotë me rregullat e demokracisë.

Ky zgjim, përkundër të gjitha ndërskamcave, ka ngjallur shpresat se po i vjen fundi numërimit paushall të shqiptarëve. Tani më janë me mijëra bashkëkombas të diasporës që janë regjistruar e vazhdojnë të regjistrohen nëpërmjet internetit. Ata janë shtetas të këtij vendi. Këtu i kanë familjarët, këtu i kanë shtëpitë, këtu i kanë pronat e patundshme dhe këtu i investojnë miliona eurot pa të cilat Maqedonia e Veriut nuk mund të ekzistojë. Këtë të vërtetë e kuptuan të gjithë gjatë muajve të pandemisë, që pengoi ardhjen e kurbetçinjve dhe përgjysmoi buxhetin shtetëror përherë të ndarë prej oligarkësh me logjikë arushe…

Të shpresojmë se një regjistrim i bërë pa hilet e së shkuarës, do të sjellë të mira për gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike e fetare. Por, për të ndodhur kjo, duhet ndryshuar sa më parë që është e mundur kushtetutën në fuqi, e cila është hartuar për krijimin e shtetit etnik maqedonas dhe pakicave, në mesin e të cilave janë futur padrejtësisht edhe shqiptarët që popullojnë gati gjysmën e territorit të vendit. Ndryshimi i saj do ta pamundësonte sjelljen e ligjeve diskriminuese e jodemokratike. Sigurisht edhe “të drejtën” e gjithollogëve të ngarkuar me shovinizëm për të shapallur rezultatet e regjistrimit (veçmas numrin e shqiptarëve) shumë kohë para bërjes së tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button