RMV, e diela ditë jopune, kundërshtohet nga pronarët, përkrahet nga sindikata e punëtorëve

Propozimi i kryeministrit Zoran Zaev që dita e diele të jetë ditë jopune, nuk është pritur mirë nga të gjithë, duke përfshirë edhe pronarët e kompanive, të cilët vlerësojnë se një ndryshim i tillë mund të shkaktojnë rritje të papunësisë.

Propozimi që e diela të jetë ditë jopune parasheh që të dielën të punojnë vetëm një numër i kufizuar i sektorëve, puna e të cilëve nuk mund të ndalohet.

Punëdhënësit kanë kundërshtuar këtë ide, duke theksuar se kjo do të dëmtojë ekonominë e vendit, duke paralajmëruar edhe largimin e punëtorëve nga vendet e punës, ndërkohë vlerësojnë se do të ulet numri i turistëve gjatë fundjavës.

Kryetari i Sindikatës në sektorin e ndërtimtarisë, Ivan Peshevski, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesa më e madhe e punëtorëve nuk janë paguar në mënyrë plotësuese, pavarësisht se kanë punuar gjatë ditës së diel. Kjo sipas tij ka ndodhur për shkak se një pjesë e punëtorëve nuk kanë nënshkruar marrëveshje kolektive.

“Një pjesë e madhe e të punësuarve edhe punojnë të dielave, por nuk marrin mëditje pasi nuk e kanë të nënshkruar marrëveshjen kolektive. Atyre u ofrohet një ditë tjetër për pushim. Kjo nuk është në rregull, pasi vlerësojmë se çdo person ka të drejtë të organizojë një ditë pushimi bashkë me familjen”, thotë Peshevski, duke theksuar disa veprimtari, siç janë ndihma e shpejtë, zjarrfikësit, armata, policia dhe të ngjashme pa të cilat nuk mund të funksionojë shteti dhe të cilët, sipas tij, duhet të punojnë edhe gjatë të dielave.

Kryetari i Konfederatës së bizneseve, Mile Boshkov, shprehet i prerë se ekonomia e Maqedonisë së Veriut nuk ka kapacitet për ndërprerjen e plotë të punës gjatë ditës së diel.

“Ky propozim (ndryshimi i Ligjit për marrëdhënie e pune), nuk është i përshtatshëm. Thënë ndryshe, ndryshimi i këtij ligji nuk është adekuat në këtë moment për ekonominë, për sektorin e biznesit, por edhe për vetë qytetarët. E them këtë sepse ky ligj do të ketë ndikim të madh në punën e qendrave tregtare, ordinancave stomatologjike, restoranteve, kazinove, të cilat nëse mbyllen të dielën, kjo do të prekë ekonominë e shumë familjeve, përderisa qytetarët do të orientohen në vendet fqinje, e ne do të humbin një pjesë të turistëve ditor”, thotë Boshkov, i cili shton se vetë ky ligj është diskriminues, pasi lejon disa sektorë të punojnë e disa jo.

Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, theksoi se ligji do të imponojë edhe përzgjedhjen e punëtorëve për t’u angazhuar në sektorë të caktuar.

Ndryshe, në bazë të versionit të parë të propozuar për ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie pune, parashihet që të punojnë pikat e karburantit, një pjesë e objekteve tregtare, sektori i energjisë elektrike, të gjitha llojet e transportit, mediat, spitalet, sektori i telekomunikacionit, zjarrfikësit, shërbimet mortore, shërbimet komunale, muzetë, kopshtet zoologjike, etj.

Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev prej vitit të kaluar nëpërmjet Facebook-ut ka njoftuar se Qeveria e ka pranuar iniciativën që dita e diel të shpallet di të jopune dhe e njëjta të bëhet me ligj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button