fbpx

Inspektorati i Arsimit e konfirmon për Portalb: Ditëve në vijim do të ketë inspektim në Universitetin e Tetovës

Nga Inspektorati i Arsimit për Portalb.mk konfirmuan se deri tek ata ka arritur ankesë legjitime për profesorë të Universitetit të Tetovës me plagjiatura të mundshme dhe se ditëve në vijim, inspektorët do të dalin në teren për inspektim të detajuar. Ndërkaq, studimin e hulumtuesve të NIRCAU e konfirmoi ish dekani dhe profesori aktual në Fakultetin e Mjekësisë në UT Kastriot Haxhirexha, ai tha se pohimet në atë hulumtim janë të vërteta dhe se është shkarkuar për shkak se ka ngritur zërin për diçka të tillë, shkruan Portalb.mk.

Zëdhënësi i Inspektoratit Shtetërorë të Arsimit duke u përgjigjur pyetjes së Portalb.mk potencoi se ankesa për këtë çështje deri tek adresa e tyre ka arritur jo më herët se dje, ai konfirmoi se për këtë do të ketë inspektim në terren ditëve në vijim.

“Po, ankesa legjitime për plagjiatura të mundshme në Universitetin e Tetovës ka arritur deri te ne dje. Andaj, ditëve në vijim inspektorët do të dalin në teren të shohin se për çfarë bëhet fjalë, pra të shihet gjendja faktike” thanë nga Inspektorati Shtetërorë i Arsimit.

Të njëjtën e pohuan edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të cilët gjithashtu garantuan se “Inspektorati Shtetërorë i Arsimit si institucion kompetent do të veproje sipas detyrimeve ligjore për këtë rast konkret”.

Ish-dekani i Fakultetit të Mjekësisë në UT për Alsat M: Pretendimet e “Veritas” për plagjiaturë janë të vërteta

Ish dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Kastriot Haxhirexha deklaroi sot se reagimi i tij për këto plagjiatura i ka kushtuar me largimin nga posti i dekanit të këtij fakulteti. Ai nuk pajtohet me dekanin aktual, Nevzat Elezi se deri te UT-ja nuk kanë arritur ankesa për këtë çështje, Haxhirexhexha madje thotë se “janë bombarduar me e-maila”.

Kastriot Haxhirexha, ish dekan i Fakultetit të Mjekësisë.
Kastriot Haxhirexha, ish dekan i Fakultetit të Mjekësisë.

“Ka një vit, që nga marsi i vitit të kaluar që unë personalisht si dekan i fakultetit të shkencave të mjekësisë, rektori i UT, zyra për shkencë e UT, dhe disa pedagog eminent, janë bombarduar me emaile të këtilla bombarduese……. Në mbledhjen e parë që kemi pasur për avancimin në gradë akademike të njërit prej profesorëve që u apostrofua  në revistën Veritas gjitha të vërtetat u zbuluan dhe kemi debatuar ashpër në këshillin mësimor, sepse unë kam mbrojt dinjitetin e fakultetit të mjekësisë dhe UT se nuk mund të  mbyllim sytë dhe të tejkalojmë këta probleme sepse problemi nuk mbyllet me mbulim”, tha Kastriot Haxhirexha, Ish dekan i Fakultetit të Mjekësisë” deklaroi Kastriot Haxhirexha për Alsat M.

Ai gjithashtu hedh poshtë pretendimet e dekanit aktual se disa prej punimeve që akuzohen për plagjiaturë nuk kanë përfunduar, Haxhirexha potencon se këto punime veçse janë publikuar në revista shkencore.

“Unë dëgjova dje prononcimin edhe të dekanit që më zëvendëson mua, dhe vërtetë më vjen keq që arsyetohet me atë se punimet janë në proces e sipër, sepse këto janë punime të botuara. Këto janë punime të botuara në revistë dhe këtu nuk ke më çka të korrigjosh. Gjithsecili qytetar nuk ka nevojë të më pyes mua apo dikë tjetër se a janë të vërteta këto pretendime të Veritas? Merre punimin fute në sistemin anti plagjiaturë dhe del çdo gjë. Unë personalisht si dekan disa prej këtyre punimeve normal që i kam futur në sistemin anti plagjiaturë dhe më kanë rezultuar njëqind për qind të sakta pretendimet që bën pala që denoncon”, pohoi Kastriot Haxhirexha, Ish dekan i Fakultetit të mjekësisë” theksoi Haxhirexha për Alsat M.

Ndryshe, në emailin e redaksisë së Portalb.mk, të martën (16 mars) ka arritur një dokument (PDF) i cili është nënshkruar se është bërë nga “hulumtuesit e Iniciativës për Përmirësimin e Kualitetit në Arsimin e Lartë (NIRCAU)” dhe që mban emrin “Revista Veritas”. Në të, thuhet se disa profesorë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, titullin e tyre e kanë marrë në mënyrë jo të ligjshme, gjegjësisht duke vjedhur punime nga të tjerët pa i cituar ata si dhe dy prej tyre, kanë arritur të bëhen profesorë duke mos e respektuar Ligjin për Arsim të Lartë.

Portalb.mk sërish ka tentuar të kontaktojë dhe pret përgjigje nga gjithë të akuzuarit për plagjiaturë dhe për arritje në vendin e punës duke mos respektuar Ligjin për Arsim të Lartë, të njëjtit nuk përgjigjen në pyetjet tona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button