Për herë të dytë do të shkelet afati për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, po bëhen analiza për sa kohë do të shtyhet

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore po përgatit analiza gjithëpërfshirëse për vazhdimin e afatit për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër. Tashmë është e sigurt që për herë të dytë do të prishet data përfundimtare, brenda së cilës kompania kineze “Sinohydro” si kontraktor duhej të përfundonte ndërtimin e autostradës 57 km të gjatë me vlerë thuajse 600 milion euro, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Afati fillestar për përfundimin e ndërtimit të kësaj autostrade tashmë është zgjatur për tre vjet e gjysmë, deri më 30 qershor 2021.

Tani për tani nuk ka afat të ri përfundimtar për përfundimin e ndërtimit të autostradës, por nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore për “Meta.mk” informon se pritjet e tyre janë deri në fund të vitit 2021 që të vendosin në funksion nënndarjen e tretë me gjatësi prej 11.5 km deri në fund të vitit 2021, nga Preseka në tunelin e ri për në Pesoçan.

“Analizat bazohen në ndërtimin aktual të vetë autostradës, dokumentacionin teknik shtesë (sasitë e rritura) dhe situatën me Kovid-19,” shpjegojnë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.

Në lidhje me faktin, nëse kompania kineze “Sinohydro” do të mbajë sanksione për shkak të vonesës në ndërtimin e autostradës, nga kjo ndërmarrje publike thonë se për momentin nuk planifikojnë sanksione ndaj kompanisë kineze, pasi afati po rrjedh ende dhe është 30 qershori 2021.

“Pas analizave të kryera, nëse vërtetohet faji i Kontraktuesit do të veprojmë në përputhje me Marrëveshjen”, thonë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.

Nga ndërmarrja publike shpjegojnë se pas përpunimit të analizës për atë se sa periudhë është e nevojshme të vazhdohet ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër, do të përgatitet Aneks i ri i kontratës për implementimin e këtij projekti infrastrukturor.

“Në këtë moment nuk kemi asnjë informacion në lidhje me rritjen e kostos përfundimtare të ndërtimit të autostradës dhe besojmë se fondet e siguruara nga Aneksi Nr. 3 janë të mjaftueshme për të përfunduar ndërtimin e autostradës A2, seksioni Kërçovë-Ohër,” thonë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore në lidhje me pyetjen nëse do të ketë rritje të mëtejshme të çmimit përfundimtar për ndërtimin e kësaj autostrade.

Autostrada Kërçovë-Ohër filloi të ndërtohet në shkurt të vitit 2014, pasi u morë hua nga Banka kineze Eksim nga qeveria e atëhershme e VMRO-DPMNE-së.

Në pranverën e vitit 2018, qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja njoftoi se është e patjetërsueshme zgjatja e afatit përfundimtar, për shkak të mosrespektimit të dokumentacionit të projektit me kushtet reale në terren, por edhe për shkak të faktit se disa objekte infrastrukturore, siç janë nëntë kryqëzimet, nuk ishin planifikuar fare në projekti fillestar.

Në fund të pranverës së vitit 2019, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore shpalli tenderin për kompletimin e dokumentacionit të projektit për këtë autostradë. Më 21 nëntor të vitit 2019, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi borxhin e ri të vendit ndaj Bankës Kineze Eksim në vlerë prej 180 milion dollarë shtesë, me të cila duhet të nxirren të gjitha ato segmente të autostradës që u ridizenjuan pasi ishin lënë jashtë ose e pamundur të ndërtoheshin në projektin fillestar.

Përndryshe, Instituti për demokraci Societas Civilis vitin e kaluar zhvilloi punë kërkimore “Të shtyrë në qorrsokak: besimi i mashtruar në kapitalin korroziv kinez për ndërtimin e autostradave në Maqedoninë Veriore”. Në këtë hulumtim, ata theksuan mungesën e kërkesave transparente dhe konkurruese të prokurimit vizavi kushteve të përcaktuara nga Banka kineze për Eksport dhe Import të mishëruar në listën e kompanive të preferuara, të cilat ishin propozuar nga qeveria kineze, ndërsa të aprovuara nga Ambasada kineze në Shkup.

Njëkohësisht, dobësia e dytë kryesore e identifikuar nga studiuesit e “Societas Civilis” është procesi jo-transparent dhe jo-konkurrues i përzgjedhjes së Sinohydro si kontraktori kryesor për të dy autostradat. Studiuesit gjithashtu theksuan problemin me stimujt politikë dhe privatë të funksionarëve kryesorë publikë për ndërtimin e këtyre autostradave, edhe përskaj mendimit të mbikëqyrjes së ndërtimit mbi realizueshmërinë e projektit, i cili shkaktoi dëme efektive në të mirën e përbashkët dhe paratë e taksapaguesve .

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button