fbpx

RMV, Prokuroria e Lartë mohon: Nuk kemi kërkuar shfuqizimin e dënimeve me burg të dy zyrtarëve të BDI-së, mendimin do ta japim në seancën publike

Më herët, Sdk.mk nga burimet e Prokurorisë Publike të Maqedonisë mësoi se prokurorët e lartë Mustafa Hajrullahi dhe Dilaver Bekteshi i kanë dhënë mendim Gjykatës së Apelit – Shkup që zyrtarëve të BDI-së Ejup Aljimi dhe Ismet Guri tu pranohet ankesa, tu shfuqizohen dënimet me burg dhe lënda për ndikim në rezultatet zgjedhore të kthehet në rigjykim, por këtë e kanë mohuar nga Prokuroria e Lartë-Shkup, transmeton Portalb.mk

Në demantin e Prokurorisë së Lartë Publike Shkup thuhet:

“Prokuroria e Lartë Publike Shkup i demanton plotësisht pretendimet në tekstin” Në vend se në krah të prokurorisë, prokurorët e lartë Bekteshi dhe Hajrulahi kërkojnë nga Gjykata e Apelit Shkup shfuqisimin e dënimit me burg të dy zyrtarëve të BDI-së “, botuar sot në portali Sdk.mk. Përndryshe, lënda konkrete me dosjet është dërguar në Gjykatën e Apelit- Shkup me një njoftim se prokurori publik do të japë mendimin e tij në seancën publike ku do të diskutohet kjo lëndë. Pasi përmban pretendime të rreme, ju lutemi tërhiqni tekstin dhe botoni mohimin”.

Ndërkohë, Sdk.mk, më herët shkroi se precedent është në atë që në vend që të qëndrojë në anën e aktakuzës, Prokuroria e Lartë kërkon që të pranohen ankesat e të akuzuarve.

Në misionin e shpëtimit të Alimit, ish koordinator i grupit parlamentar të BDI-së dhe bashkëpunëtor i ngushtë i liderit Ali Ahmeti, Prokuroria e Lartë e Shkupit e udhëhequr nga Hajrullahi bëri një precedent të ngjashëm me pasaportat. Në dhjetor të vitit të kaluar, dërgoi mendim në Apelin e Shkupit që t’iu kthehen pasaportat të dyve, të cilat gjykata ua mori që të mos arratisen. Zakonisht, Prokuroria e Lartë qëndron prapa kërkesës së prokurorëve themelorë që të sigurojë praninë e të dyshuarve, të akuzuarve ose të dënuarve dhe u jep mendim identik gjykatave më të larta. Këtu doli në krah të të akuzuarve.

Por, Gjykata e Apelit Shkupit atëherë veproi kundër udhëzimeve të prokurorit të lartë Dilaver Bekteshi dhe vendosi që pasaportat të mos iu kthehen.

Të pyetur për rastin e precedentit të dytë, kur Bekteshi dhe Hajrullahi kërkuan që të shfuqizohen dënimet me burg, nëse Gjykata e Apelit është e detyruar t’u bindej, nga atje thanë se mendimi i tyre nuk është i detyrueshëm për gjykatën.

Rreth këtij rasti kundër dy funksionarëve të BDI-së ka edhe një precedent të tretë. Ankesat e tyre kundër vendimeve me burg, si dhe ankesat e prokurores Fatime Fetai, sipas së cilës dënimet janë të ulëta, janë paraqitur në fund të gushtit, pra në fillim të shtatorit të vitit të kaluar. Në arkivën e Gjykatës së Apelit të Shkupit kanë arritur më 12 nëntor, ndërsa të nesërmen janë dërguar për mendim në Prokurorinë e Lartë Publike – Shkup.

Që nga 13 nëntori i vitit të kaluar, çështjen e mori Prokuroria e Lartë. Në vend që të përgjigjet brenda një muaji, mendimi është dërguar pas 5 muajsh, madje në 10 mars.

Më 31 mars të vitit të kaluar, gjyqtarja Marija Kletniçka nga Gjykata Themelore Penale, Alimin dhe Gurin i dënoi me nga tre vjet e gjysmë burg secilin për falsifikim të dokumenteve në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Çair.

Të dy, pas përfundimit të votimit, nga dy dëshmitarë, Jani Toçi dhe Resmie Bislimi, morën listat zgjedhore dhe një nga një i ndryshuan në favor të kandidatëve të BDI-së.

Sipas vendimit të shkallës së parë, Alimi dhe Guri falsifikuan gjithsej 12 lista zgjedhore. Për shembull, në njërin vendvotim ndryshuan 388 vota të BDI-së i shndërruan në 492, në një tjetër nga 122 të fituara në 220, pastaj nga 253 në 423 për BDI, etj.  Ndryshimin e votave e bënë matematikisht, me dijeninë e partnerit të koalicionit VMRO-DPMNE, të cilët shkurtuan nga votat e tyre, por edhe nga PDSH-ja, e cila praktikisht i përgjysmoi votat e fituara, duke ia dhënë kandidatit të BDI-së. Të modifikuara, ua kthyen dëshmitarëve, anëtarë të komisionit të cilët zhvilluan votimin në këto vendvotime.

Pas këtyre zgjedhjeve lokale, për vite me radhë, lideri i PDSH-së Menduh Thaçi fliste për falsifikim të rëndë zgjedhor nga ana e BDI-së.

Këto rezultate, me dhënie dhe marrje votash, u dërguan më pas në KSHZ.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button