RMV, qëndrimi i Ministrisë së Shëndetësisë për Astra Zenecan, pasi që disa vende evropiane e pezulluan vaksinimin

Disa vende evropiane e kanë pezulluar përdorimin e vaksinës kundër virusit korona, Astra Zeneca, për shkak të efekteve serioze anësore. Në Maqedoninë e Veriut kjo vaksinë ende nuk ka arritur, ndërkaq autoritetet thonë se për përdorimin e saj do do t’i ndjekë rekomandimet e OBSH-së dhe EMA-s, njofton Portalb.mk.

“Maqedonia e Veriut do t’i ndjekë udhëzimet dhe rekomandimet e Agjencisë Evropiane Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe do të veprojë në pajtueshmëri me rekomandimet e reja”, thonë për Portalb.mk, nga Ministria e Shëndetësisë.

Në fillim të shkurtit, Ministria njoftoi se KOVAKS-i i ka informuar se për shtetin tonë janë të parapara 103.200 deri në 175.200 doza nga vaksina Astra Zeneka. Si[ thanë nga Ministria, 35% e vaksinave pritet të arrijnë në tremujorin e parë, ndërkaq të tjerat në tremujorin e dytë.

Portalb.mk, pyeti Ministrinë se deri ku është procedura për furnizimin e kësaj vaksine, por nga Ministria nuk japin detaje.

“Ministria e Shëndetësisë do ta njoftojë opinionin në kohë për arritjen e dozave të reja në vendin tonë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Pse është pezulluar vaksinimi?

Danimarka është bërë javën e kaluar vendi i parë që ka ndaluar përdorimin e vaksinës Astra Zeneca kundër koronavirusit, pas raporteve për mpiksje gjaku te disa njerëz. Një person, madje, ka vdekur si pasojë e trombozave të shumta, dhjetë ditë pasi është vaksinuar me dozën e parë të Astra Zeneca.

Autoritetet shëndetësore daneze kanë thënë se pezullimi do të zgjasë së paku dy javë, derisa rastet të hetohen. Megjithatë, ato kanë theksuar se “aktualisht, nuk mund të konstatohet nëse ekziston ndonjë lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut”. Gjermania, Franca, Italia, Norvegjia, Islanda, Bullgaria, Tajlanda, Kongo shpejt e kanë ndjekur shembullin. Shumë shpejt, Irlanda dhe Holanda kanë njoftuar se edhe ato e ndalojnë përkohësisht përdorimin e vaksinës Astra Zeneca.

Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se nuk ka asnjë tregues që rastet e mpiksjes së gjakut ishin të lidhura me vaksinën. AstraZeneca njoftoi se analiza e të dhënave të sigurisë nga personat e vaksinuar me vaksinën e saj kovid-19 nuk ofroi dëshmi se e njëjta shkaktoi mpiksje gjakut.

Kryeshkencëtarja e OBSH-së, Soumya Swaminathan, ka thënë se vendet këshillohen të vazhdojnë vaksinimin me vaksinat Astra Zeneca.

“Ne do t’i rekomandonim vendet të vazhdojnë vaksinimin me vaksinat Astra Zeneca”, theksoi Swaminathan.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) gjithashtu tha se përparësitë e vaksinës Astra Zeneca kundër COVID-19 tejkalojnë rreziqet e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button