fbpx

FEJA E DECENTRALIZUAR (III)

Dhe erdhi dita. Kur edhe zyrtarisht nisën të regjistrohen bashkësi islame të reja, siç është kjo e fundit, “Bashkësia Islame Selefiste Dar el-Hadith” (sikur të tjerët nuk janë pro dhe me hadithin), e cila në fund të 2020-ës gjeti vend në Regjistrin e vetëm gjyqësor për kisha, bashkësi fetare dhe grupe religjioze të RMV-së. Çfarë do të thotë kjo? Kjo ka kuptimin se tani ajo që ka ekzistuar qe 30 vite si frymë, aktorë dhe lëvizje do jetë edhe ex lege, juridikisht, dimensionit sociologjik i shtohet ai i drejtësisë. Pra ideologjia selefiste shndërrohet në subjekt juridik. Selefizmi, vehabizmi, rebiizmi dhe shumë izma të tjerë i kemi pasur në mesin tonë dhe sadoqë një pjesë e tyre kanë pretenduar se s’janë ndryshe, në fakt kanë qenë ndryshe, shumë më ndryshe prej vijës konvencionale. Kjo shihet në atë se si falen, si luten, si kremtojnë, si vishen, si duken, si polemizojnë ithtarët e këtyre izmave. Sado që BFI dhe simotrat fraksione selefiste dhe individë ashpër kanë reaguar, dielli nuk mund të mbulohet me baltë, fraksionet janë realitet. Shigjeta ka dalë nga harku, kthim prapa s’ka. Komunitet selefist ndër ne ka dhe pikë. Kjo është e pamohueshme. Reaguesit e dytë, selefistët që tentojnë të fshehen nën ombrellën e bashkësisë fetare nuk janë fare të sinqertë, sepse bien ndesh me atë që kanë bërë dhe që bëjnë, sado që janë brenda Institucionit. Sikur të ishin të sinqertë nuk do t’i numëronin xhamitë që i zotërojnë në kryeqytet, nuk do të vazhdonin me institucione paralele, të njëjta do t’ia kalonin Bashkësisë.

Disperzimi fetar s’do mend se sjell përçarje, por edhe garë, dhe nga ana tjetër konkurrencë. Një gjë që shkon në favor të vijës së mesme të fesë është fakti sociologjik se selefizmo-vehabizmi kohëve të fundit është në trend të rënies, sepse ka pllakosur dhe ka shpurë në disfatë sociale shumë mendje të ndritura, shumë talentë që janë bërë thirrës por ama kanë mbetur në pjesën e tretë të piramidës, që mezi mbijetojnë, që s’kanë arritur statusin konform kapaciteteve të falura nga Zoti.  Më të mençurit brenda kësaj ideologjie gjatë kësaj periudhe eksperimentale kanë parë se nuk shkon kështu, andaj fëmijët e tyre tentojnë t’i shkollojnë, t’i kenë egal me të tjerët, natyrisht duke tentuar të mbrojnë dinjitetin fetar e konservator të pasardhësve të vet. Të jenë edhe fetarë por edhe pjesë e rrjedhave sociale.

Pra, entitetin “Dar el-hadith” (edhe të tjerat si “Ehl-i sunnet ve’l-xhemaa”) s’duhet kuptuar si fund i botës, por si një aktor në “global square”, gjegjësisht në sheshin global, kur gjithçka relativizohet, pra edhe sovraniteti i bashkësive fetare. Po, është një risi në mesin tonë, me sinjale negative, me kulturë fetare të huaj, është përçarje, e ajo (përçarja) cilësohet si tradhëti nga Profeti Muhamed. Sidoqoftë konteksti është i atillë dhe na thotë që duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me pluralizmin. Le të ketë mundësinë secili të zgjedhë kursin e vet fetar. Bashkësitë fetare duhet të forcojnë kuadrin e vet, shkollat e veta, fakultetet dhe vërtet ta zënë vendin e vet në popullatë, si prijatare dhe si subjekt i pazëvendësueshëm, jo vetëm të bazohen te garancia 600-vjeçare. Nuk jetohet me histori. Askush nuk pyet kush ke qenë, po kush je sot. Në fund të fundit, sa të varfër do të ishim sikur mos të ishin disa aktorë alternativë që e kanë pasuruar arealin e frymës fetare shqiptare. Vetëm me bashkësinë zyrtare ende do të ishim te Fikhu’l-ibadati e Serdareviqi, te Ilmihali e Haxhiabdiqi. Pra, bashkësitë islame duhet të hyjnë në garë dhe të tregojnë se janë “njëshi”. Përndryshe s’u ndihmon as shteti, as e kaluara, as osmanllinjtë, as xhemati, një pjesë e mirë e të cilit për momentin lidhet vetëm për hatër, për respekt të “të mirëve nga mesin jonë” (rasti i myftinive që funksionojnë bukur) dhe besimit se edhe BFI-së një ditë do t’i çelin lulet në plotkuptimin e fjalës, se pas regjimit do të vijnë njerëz vërtet “sagllam” jo fytyra deja vu që mbartin vulën e zezënisë tranzicionale. Shahu fetar institucional duhet të luhet ndryshe në shekullin XXI, pas vitit 2020. BFI nuk është misafirhane. Fotocentrizmi i institucionit kyç islamik nuk është një gjë që flet për trend pozitiv në rikuperimin e kësaj vatre fetare pas disa dekadave të zymta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button