Maqedonia nuk do të varet vetëm nga një burim i gazit natyror, do të kyçet në gazsjellësin nga Greqia

Maqedonia do të marrë pjesë në ndërtimin e një terminali dhe qendre të gazit për gaz natyror të lëngshëm Aleksandropulos. Investimi është pjesë e një projekti për të krijuar një treg të ri të energjetik të udhëhequr nga Greqia për të marrë gaz natyror, kurse vendi do të importojë dhe të jetë pikë shpërndarjeje në rajon duke pasur parasysh vendndodhjen gjeografike.

“Dje, Qeveria e shqyrtoi dhe miratoi nevojën për përfundimin e memorandumeve për realizimin e projekteve Terminali i gazit natyror Aleksandropulos dhe Termocentrali me gaz Aleksandropulos, gjegjësisht për investime nga Maqedonia e Veriut në këto projekte ndërkombëtare”, ka informuar Qeveria., transmeton Sdk.mk, përcjell Portalb.mk.

Me këtë projekt, Maqedonia dhe vendet në rajon me kërkesë relativisht të ulët të energjentëve do të jenë në gjendje të bashkohen dhe të mos jenë më të varura nga vetëm një burim energjie.

Zhvillimi i tregut të ri të energjisë dhe pjesëmarrja e Maqedonisë në të u njoftua tetorin e kaluar, gjatë vizitës së ndihmësit të sekretarit të shtetit të SHBA për energjetikë Frensis Fenon. Pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, Fenon tha se rajoni aktualisht ka një furnizues të energjisë.

“Kur ndonjë vend varet vetëm nga një furnizues, ajo gjendje ndikon në mënyrën se si ai vend mund të funksionojë dhe zbatojë politikat dhe zhvillimin e tij. Shtetet e Bashkuara kanë interes afatgjatë në sigurinë e energjetikës në relacion me varësinë nga energjia. Nëse keni vetëm një burim, nuk është treg. Është varësi. SHBA dëshirojnë të shohin krijim të tregut dhe krijim të opsioneve. SHBA janë njëri opsion. Jemi krenarë që sapo kemi filluar eksportimin e gazit natyror të lëngshëm”, tha ai në atë kohë.

Kryeministri Zaev atëherë tha se lidhja e korridoreve të energjisë përmes Bullgarisë dhe Greqisë është me interes thelbësor dhe afatgjatë për vendin.

“Gjatë vizitës në Athinë, morëm mbështetje nga konsorciumi ‘Gastrade’ për përfshirjen e Maqedonisë Veriore në ndërtimin e një terminali të gazit të lëngshëm pranë Aleksandropulos në Greqi. Me këtë krijohet mundësi për furnizim të përhershëm dhe të qëndrueshëm me gaz natyror për vendin tonë, i cili më pas do të bëhet pikë nga e cila gazi do të shpërndahet më gjerësisht në rajon. Kjo na jep një mundësi tjetër për të furnizuar me gaz nga Azerbajxhani, nga terminalet në Greqi, Izrael dhe vende të tjera në Mesdheun lindor. Këto projekte do t’i sigurojnë vendit tonë furnizim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të gazit, pavarësi dhe çmime konkurruese”, tha Zaev tetorin e kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button