RMV, vjedhësit e drunjve kanë vjedhur 26.000 metër kub pyje, policia pyjore dhe inspektorët kanë problem me punësime

Pyjet e Maqedonisë janë në rrezik të vazhdueshëm, jo vetëm për shkak të zjarreve pyjore dhe prerjes ilegale dhe keqpërdorimit të drurit për ngrohje, por edhe për shkak të numrit të pamjaftueshëm pylltarëve, inspektorëve dhe policisë pyjore që duhet të kujdesen për sigurinë e tyre. Sipas të dhënave të ndërmarrjes publike “Pyjet e Maqedonisë”, të publikuara në panel diskutimin e sotëm “Si në kontroll më të mirë mbi menaxhimin me pyjet?”, i organizuar nga Instituti për studime të komunikimeve dhe Asociacioni për iniciativa demokratike, vitin e kaluar në mënyrë të paligjshme janë prerë rreth 26.000 metër kub pyje, ndërsa janë zbuluar hajnat e vetëm 2.000 metër kub, që u janë marrë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, prerja e paligjshme e pyjeve është në rritje drastike nga viti 2011 dhe kulmi arrihet në vitin 2019, kur janë prerë45.795 m3 drunjtë, që është shtatë herë më shumë 10 vite para kësaj dhe dy herë më shumë nga viti i kaluar 2018. Në vendin tonë, ndryshimet në numrat që vijnë nga institucione të ndryshme mund të shihen edhe në aspekt të sipërfaqeve nën pyje, duke filluar nga 983.000 hektarë, sipas “Pyjeve të Maqedonisë”, e deri në 1,2 milion hektarë. Problemi qëndron në faktin se ne nuk kemi regjistrim dhe të dhëna relevante për pyjet.

Sipas Mare Basova nga “Pyjet e Maqedonase”, rreth 30 % e sipërfaqes në vend është nën pyje, shumica, 540.000 hektarë, janë me drunjë të ulët, 266.000 hektarë janë me drunjë  të lartë dhe rezerva e drurit është 78 milionë metra kub.

“Pyjet nuk janë vetëm masë e drurit me përfitime ekonomike, por resurs që duhet të mbrohet. Ata janë thesar natyror dhe kombëtar, ndërsa “Pyjet e Maqedonisë” viteve të fundit e ka ndjerë presion mbi ta nga kërcënimi i katastrofave natyrore, të cilat janë pasojë e ndryshimeve klimatike, por edhe për shkak të ndikimit të faktorit njeri dhe prerjeve të paligjshme. Kompania aktualisht ka 227 roje pyjesh, të cilët duhet të punojnë në 347 rajone dhe të ruajnë pothuajse një milion hektarë pyje. Numri është shumë i vogël dhe ruajtja e pyjeve është një sfidë nga aspekti i faktorit njerëzor. Prandaj, mbrojtja e pyjeve duhet të ngrihet në një nivel më të lartë dhe ato duhet të ruhen për brezat e ardhshëm”, thekson Basova.

Trajçe Angelov, kreu i departamentit për mbikëqyrje të pyjeve në Inspektoratin shtetëror për pyje dhe gjueti, thotë se në këtë institucion janë të punësuar vetëm 14 inspektorë të pyjeve, të cilët duhet të kontrollojnë një milion hektarë pyje në vend.

“Me këtë numër inspektorësh, nuk mund të jepet përgjigje për të gjitha sfidat me mbrojtjen e pyjeve. Deri në vitin 2019, nuk ishim të pajisur as me pajisjet themelore elektronike, kemi gjashtë apo shtatë automjete të terrenit që janë funksionale, kurse ndonjëherë për mbikëqyrje udhëtojmë edhe nga 120 kilometra nëpër male”, thotë Angellov.

Ai theksoi se përkundër faktit se punën e kanë shumë të vështirësuar për shkak të faktorëve objektivë, inspektorët janë vazhdimisht në terren dhe janë të angazhuar maksimalisht. Nëse pranojnë mjete më moderne teknologjike, efektet e punës së tyre do të jenë edhe më të dukshme. Inspektorati, theksoi Angellov, ka nevojë edhe për përtëritje, duke pasur parasysh se mosha mesatare e inspektorëve është 54 vjeç, ndërsa kolegët e rinj po presin në byrotë e punësimit.

Policia e pyjeve ka 35 stacione dhe i ndan kompetencat me disa institucione. Kjo, sipas Goran Trajkov, komandant i Policisë pyjore në Shtip, i komplikon autorizimet, kështu që këto institucione nuk ia dalin t’i përgjigjen detyrës. Pjesë e zgjidhjes është ndryshimi i ligjeve dhe promovimi i tyre në agjenci.

“Jemi duke luajtur polici. Nuk kemi mjetet themelore, pajisje, uniforma, këpucë, automjete, karburant, punojmë pa internet. Kemi nevojë për punësime të reja me staf të përshtatshëm dhe profesional, kemi nevojë për pajisje me teknologji të re moderne. Për shembull, dronët do të na ndihmojnë shumë në monitorimin e zonave të mëdha brenda një kohë të shkurtër, do të jemi në gjendje të fotografojmë ata që vjedhin drunjë, gjë që pranohet si provë në gjykatë”, tha Trajkov.

Sipas Vladimir Stojanovskit nga Fakulteti i pylltarisë, pyjet janë resurs i vlefshëm kudo në botë, prandaj duhet të menaxhohen siç duhet. Megjithëse vendi është në fund të Evropës sipas investimeve në kërkimin shkencor, përsëri, siç theksoi Stojanovski, fakulteti punon me entuziazëm dhe bëhen projekte dhe punime. Studentët të cilët arsimohen në këtë institucion dinë të njohin llojet e drunjve, të prodhojnë fidanë dhe t’i kultivojnë e menaxhojnë në mënyrë të qëndrueshme. Stojanovski theksoi se në të ardhmen duhet të punojmë dhe të zhvillojmë bashkëpunim me “Pyjet e Maqedonisë” dhe Ministritë e Bujqësisë dhe Mjedisit jetësor në projekte, studime dhe debate dhe të diskutojmë seriozisht rreth pyjeve si vende për eko turizëm dhe si bartës të biodiversitetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button