Bexheti: Pas pastrimit të tërësishëm të Liqenit të Treskës, do të vijojnë procedurat për investime në këtë zonë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi vendimin për vazhdim të procedurës për themelimin e zonës zhvillimore turistike “Saraj – Liqeni Treskës”. Pas këtij hapi, tani më duhet të fillojnë procedurat e paralajmëruar për investim në këtë pjesë dhe revitalizim të Liqenit të Treskës, shkruan Portalb.mk.

Blerim Bexheti
Blerim Bexheti

Kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti deklaroi për Portalb.mk se, ende nuk e ka marrë vendimin zyrtar. Sipas tij, komunës i mbetet të pastrojë hapësirën ku kanë qenë të vendosura kampet dhe më pas të vazhdojnë projektin me Agjencinë për Turizëm.

“Procedurat tani më kalojnë në kompetencë të Qeverisë dhe institucioneve në kuadër të Qeverisë. Kuptohet pasi të pastrohet e tëra, ne aty mund të kemi edhe ndonjë obligim, tjerat më pas i vazhdon Qeveria.  Tash është në përfundim e sipër procesi i pastrimit edhe disa. Kur do të kryhen këto procedura duhet të ulemi me Agjencinë për Turizëm dhe të vazhdojnë procedurat e mëtutjeshme. Tash të vijë vendimi zyrtar prej Qeverisë dhe duhet të ulemi me Agjencinë për Turizëm që t’i informojmë ato që deri ku jemi me procedurat paraprake që të vazhdojë procedura më tutje. Me qenë se ende nuk jemi të informuar, javën tjetër edhe njëherë urbanizmi do t’i kontrollojë të gjitha aspektet në aspekt të urbanizmit dhe aspekt juridik dhe do të kemi takimin e radhës me Agjencinë për Turizëm, gjegjësisht Ministrinë e Ekonomisë”, deklaroi Bexheti.

Portalb.mk vizitoi hapësirat ku kanë qenë të vendosura kampet, të cilat momentalisht janë gjithandej me mbeturina nga punimet, përkatësisht nga kampet e hequra.

Foto: Portalb

Drejtori i NPK “Saraj”, Sabahudin Rustemi, tha për Portalb.mk se janë hequr pothuajse të gjitha kampet dhe do të vazhdojnë punimet për pastrimin e gjithë kësaj zone.

Foto: Portalb

“Të gjitha janë pastruar, kanë ngelur vetëm 7-8 kampe dhe jemi duke bërë proces verbal për largimin e tyre. Ato nuk besoj që janë të ndokujt, janë prej shumë kohë aty, pronarët e kampeve nuk kanë qenë me vite që nuk kanë edhe kontrata. Mbeturinat komplet do të pastrohen, jo vetëm mbeturinat por komplet. Jo vetëm që do të jetë”, deklaroi Rustemi.

Foto: Portalb

Liqeni Treska ishte nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit deri në nëntor të vitit 2013 kur Qeveria e VMRO-DPMNE ia dorëzoi Komunës Saraj.

Vitin e kaluar, qeveria e shndërroi një pjesë të tokës bujqësore në fshatrat Gllumovë dhe Shishevë, e cila ndodhet rreth liqenit, në tokë për ndërtim në mënyrë që Komuna e Saraj të mund të bëjë Plan të detajuar urbanistik. Asokohe nga Qeveria thanë se ky vendim ishte marrë që në këtë pjesë të periferisë së kryeqytetit të mund të vizatohen pullat dhe të mund të ndërtohet një vendbanim me vikend shtëpiza, kompleks hotelerik dhe një qendër sportive e rekreative për zhvillim të eko turizmit, me çka do të kthehet në funksion edhe liqeni.

Në fund të muajit janar, kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti publikoi planin detajor urbanistik, i cili parasheh mes tjerash, qendër rekreative – sportive, pishina, aquapark, hapësirë për argëtimin e fëmijëve dhe të rriturve, vikend – shtëpiza, hotele dhe qendër tregtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button