Bashkëpunimi rajonal, në fokusin e vizitës në Shkup të zëvendëskryeministrit të Mali të Zi, Dritan Abazoviç

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, sot qëndroi për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Takimet i filloi me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, pastaj me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe me nënkryetarin e parë të Qeverisë, Artan Grubi. Në fokus të bisedave ka qenë bashkëpunimi rajonal në të gjitha fushat, e veçanërisht në atë të ekonomisë, njofton Portalb.mk.

Bytyqi pas mbarimit të takimit, mbajti konferencë të përbashkët për shtyp me Abazoviçin dhe theksuan se e ardhmja jonë është konkurrentshmëria regjionale, kundrejt konkurrencës regjionale.

“Qëllimi i Tregut të përbashkët regjional është forcimi i bashkëpunimit ekonomik midis vendeve në regjion, rritja e konkurrentshmërisë, por edhe tërheqja e regjionit për tregun e Bashkimit Evropian. Konkurrentshmëria regjionale, në vend të konkurrencës regjionale! Kjo është e ardhmja jonë! Në takimin e sotëm me nënkryetarin Abazoviç, biseduam për dy ekonomitë tona, bashkëpunimin dhe potencialin për thellimin e tij. Ajo që kemi shkëmbyer sot është një angazhim për të forcuar bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, i cili është interes i përbashkët, dhe iniciativat për të shfrytëzuar potencialin për atë bashkëpunim, të cilat janë të dukshme”, tha Bytyqi.

“Këto dy vende janë më shumë se miqësore, ne jemi mirënjohës për dorën e shtrirë nga Mali i Zi dhe ne duam të themi se të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut gjithmonë dhe në çdo moment mund të mbështeten në dorën që Mali i Zi ia shtrinë vendit tuaj dhe që ne i gëzohemi çdo suksesi të juaj sikur të ishte i yni. Regjioni është lodhur nga grindjet, nga nacionalizmat, ne duhet të fokusohemi në ekonomi, në progres, në një standard më të mirë të jetës. Ju jeni një shembull i shkëlqyeshëm i kësaj, dhe unë konfirmoj se në takimin e sotëm kemi pasur një komunikim shumë produktiv dhe konstruktiv, dhe se zëvendëskryeministri Bytyqi hapi shumë tema që janë të rëndësishme për të dy vendet” tha Abazoviç.

Abazoviç - Bytyqi
Abazoviç – Bytyqi

Në takimin me ministrin Spasovski, sipas kumtesës së MPB-së, është konfirmuar bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mes dy vendeve, por edhe gatishmëria që e njëjta edhe më shumë të thellohet.

“Është theksuar bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mes policëve të të dyja vendeve, për çka dëshmon edhe fakti se vizita e parë e ministrit të Punëve të Brendshme, Sergej Sekuloviq ishte mu në ministrinë tonë. Bazë e bashkëpunimit mes dy ministrive janë një sërë marrëveshjes”, thuhet në kumtesë.

Ata janë pajtuar për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe këmbim të përvojave në rajon.

Abazoviç - Spasovski
Abazoviç – Spasovski

Në takimin me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi është theksuar se ardhmëria e përbashkët euroatlantike e tërë rajonit është bashkëpunimi rajonal.

“Në takimin me nënkryetarin e Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviç, u pajtuam se të gjitha institucionet duhet të vazhdojnë të angazhohen për thellimin e marrëdhënieve rajonale si bazë për një bashkëpunim ekonomik më intensiv dhe bashkëpunim partner më intensiv për ardhmëri të përbashkët euroatlantike të gjitha rajonit”, shkruan Xhaferi.

Abazoviç - Xhaferi
Abazoviç – Xhaferi

Zëvendëskryeministri Artan Grubi pas takimit në Facebook shkruajti se “ditë të mira po na presin”.

“Takim vëllazëror me Dritanin. Dy vendet tona janë në rrugë të duhur dhe bashkëpunimi midis nesh nuk do të mungojë. Kohëra të mira për rajonin tonë janë para nesh“, shkruan Grubi.

Abazoviç - Grubi
Abazoviç – Grubi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button