RMV, potenciali i resurseve të hapura arsimore në zonat rurale është i pashfrytëzuar

Vitin e fundit, jemi dëshmitarë të pabarazive në rritje të shkaktuara nga pandemia Kovid-19 në vendin tonë, gjegjësisht, po i ndjekim tendencat globale kur bëhet fjalë për efektet e pandemisë në grupe të ndryshme në shoqëri. Janë prekur në mënyrë jo proporcionale rajone me zhvillim më të dobët ekonomik, zona rurale dhe zona ku infrastruktura është e vjetruar ose me cilësi të dobët, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Fatkeqësisht, pikërisht në mjedise të tilla gjenden një pjesë e mirë e shkollave fillore dhe të mesme në vendin tonë. Interneti i ngadaltë, infrastruktura e vjetruar e TIK-ut në shkolla, por edhe qasja në mjetet arsimore (mbi të gjitha, librat shkollorë) kanë luajtur një rol të madh në cilësinë e arsimit që këta nxënës marrin gjatë vitit të kaluar. Sipas Dr. Irina Sotirova Buhova, drejtoreshë e Inspektoratit shtetëror sanitar dhe shëndetësor (ISHSSH), , në shtator të vitit 2020, në 14 shkolla fillore dhe të mesme nuk ka pas as kushte themelore për kryerjen e orëve me prezencë fizike raporton “Dosie.mk“.

“Ata që jetojnë në zona rurale ose ata që kanë nevoja të veçanta për të mësuar janë më të prekurit. Shumë shkolla në Maqedoninë e Veriut nuk përdorin Zoom ose platforma të tjera për thirrje konferencë me mundësi për video, gjegjësisht për onlajn orë mësimi. Në vend të kësaj, ata përdorin Google Classroom, Edmodo, Viber, ndërsa materialin mësimor e dërgojnë në formatin PDF, gjë që çon në pabarazi në arsim”- thanë për “Radio MOF” Unioni i nxënësve të shkollave të mesme vitin e kaluar shkollor, derisa ishte në fuqi mësimin e detyrueshëm në distancë.

Sipas shkrimit të “Radio MOF”, Unioni i nxënësve të shkollave të mesme në vitin 2019 vuri në dukje gabime të shumta teknike në përmbajtjen e librave shkollorë, si dhe faktin se tekstet vazhdojnë të qarkullojnë nga një nxënës në tjetrin për më shumë se 5 vjet, gjë që është në kundërshtim me rregulloret ligjore. Në të njëjtën kohë, nuk ka asnjë korrelacion midis programeve mësimore dhe lëndëve.

Për më tepër, në një pjesë të mirë të zonave rurale ose ato me zhvillim më të dobët ekonomik, kemi një numër të madh të rasteve kur vetë mësimi zhvillohet në një gjuhë tjetër nga maqedonishtja, gjegjësisht në ndonjë nga gjuhët e komuniteteve më të vogla – serbisht, turqisht, boshnjakisht. Një sfidë e njohur, madje edhe para fillimit të pandemisë, ishte (dhe fatkeqësisht ende është) mungesa e mjeteve themelore arsimore – libra shkollorë, në të gjitha gjuhët në të cila zhvillohet mësimi.

Cili është rezultati kur, nga njëra anë, kemi infrastrukturë që nuk është mjaftueshëm e mirë në këto vendbanime, por nga ana tjetër, mungesa e mjeteve themelore të mësimdhënies në të gjitha gjuhët e mësimdhënies, përfshirë edhe në formën digjitale (siç qe për një kohë mësimi i detyrueshëm nga -distanca)? Sigurisht, rezultati përfundimtar është proces arsimor me cilësi të reduktuar në mënyrë drastike, e në disa raste, ndërprerje e plotë e mësimdhënies, për shkak të mungesës së kushteve themelore për zbatim.

Shumë herë gjatë viteve të fundit, Fondacioni Metamorfozis e vë në pah potencialin që kanë resurse e hapura arsimore për ngritjen e cilësisë së arsimit. Kontributi që BHA mund të japë në këtë kontekst është me rëndësi thelbësore, veçanërisht kur bëhet fjalë për ambiente ku ka mungesë kronike të mjeteve mësimore tradicionale. Si pjesë e hulumtimit që Metamorfozis e realizoi në periudhën 26 qershor – 27 gusht 2020, u shënuan një sërë vërejtjesh, por edhe nevojat që vetë stafi mësimdhënës i ka theksuar në përgjigje.

Hulumtimi tregoi se pothuajse një e treta e stafit mësimdhënës (31,6 %) internet në shkollë kanë vetëm në celularin e tyre. Rezultatet gjithashtu treguan se një numër i madh i mësimdhënësve në procesin e onlajn mësimdhënies janë përballur me sfida administrative, si mungesa e udhëzimeve të qarta për menaxhimin e portofolit elektronik (82,4 %) dhe, në veçanti, udhëzime të qarta për procesin e vlerësimit (85 % )

Brenda hulumtimit, u zhvilluan 3 fokus grupe, ku veçanërisht u konfirmuan gjetjet në lidhje me dispozicionin (dhe shpejtësinë) e internetit në zonat rurale, si dhe dispozicionin e librave të shtypur shkollorë. 45 % e të anketuarve janë pajtuar me qëndrimin se “në mësimdhënie ka përfaqësim të kënaqshëm të materialeve në të gjitha gjuhët në të cilat mësimi zhvillohet”, ndërsa 70 % e mësuesve që zhvillojnë mësim në një gjuhë tjetër (ndryshe nga maqedonishtja), nuk ishin dakord me këtë qëndrim.

Lidhur me librat shkollorë dhe resurset e tjera arsimore, pothuajse të gjithë pjesëmarrësit (93,9%) ranë dakord me mendimin se për onlajn mësim të suksesshme nevojitet përshtatje e plotë ose të pjesshme të librave shkollorë.

Sidoqoftë, pa mbështetje sistematike në krijim, ndarje dhe promovim të BHA, duke filluar nga institucionet kompetente, përmes komunitetit akademik, por edhe praktikuesit – vetë mësimdhënësit, rolin pozitiv që ata mund të kenë mbi arsimtarët e komunitetit dhe në vetë procesin arsimor mbetet i paqëndrueshëm dhe i papërdorur.

I ftojmë të gjithë të interesuarit për krijimin e BHA, licencimin e duhur të tyre me licenca të hapura Creative Commons dhe ndarje me komunitetin e arsimtarëve, të vizitojnë faqen www.oer.mk si dhe faqen tonë në Facebook https://www.facebook.com/oermacedonia. Duke promovuar punën tonë dhe duke ndarë praktika të mira dhe shembuj pozitivë nga stafi mësimdhënës, do të ndihmojmë në rritjen e ndërgjegjësimit për përfitimet e BHA, veçanërisht në kontekstin e mjediseve më pak të zhvilluara ekonomikisht dhe shkollave ku mësimi ofrohet në një nga gjuhët e bashkësive më të vogla.

Projekti “Resurse të Hapura Arsimore” mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button