fbpx

ANALIZË: Po dalim nga zona e “komoditetit fiskal” – kujdes me financat publike!

Paratë nga kredia e re janë marrë – thelbësore është se si do të menaxhohen, gjegjësisht si do të shpenzohen në një kohë kur ka ende rreziqe për shkak të krizës shëndetësore dhe ekonomike. Kjo është pikëpamja e ekonomistëve pasi qeveria lëshoi euro-kambialin e ri me vlerë 700 milion euro – 500 prej tyre tashmë janë paguar për të shlyer euro-kambialin e vitit 2014. Portalb.mk analizon edhe sa kredi të tjera do të marrim këtë vit dhe sa nuk na kanë kushtuar euro-kambialet deri më tani në tregun financiar ndërkombëtar.

2021: kredi të huaja prej 870 milion euro, kredi të brendshme prej 380 milion euro!

Fakti që Maqedonia arriti të sigurojë 700 milion euro me një çmim të ulët tregon se likuiditeti i vendit është i mirë, por tashmë jemi duke dalë nga zona e rehatisë dhe është e nevojshme të menaxhojmë me kujdes financat publike – thonë ekonomistët. Këtë vit, sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, borxhi publik do të arrijë 63.4% të PBB-së, një parametër që nuk do ta përfshijë më vendin në ekonomitë mesatarisht të ngarkuara me borxh.

“Buxheti është likuid, ai mund të kryejë të gjitha funksionet e tij. Si do të financohet deficiti është një pyetje tjetër. Ne presim që kjo të bëhet ashtu siç është bërë për vite me radhë – me kredi, gjegjësisht jo vetëm me të ardhurat e buxhetit. Sipas standardeve të shkencës ekonomike – borxhi i kontrolluar është deri në 60%. Ne e kemi tejkaluar këtë përqindje – që do të thotë se nuk jemi në një zonë komoditeti dhe në të ardhmen nëse nuk kemi përqindje më të larta të rritjes dhe deficite më të vogla – atëherë zona e komoditetit do të ngushtohet” – thotë profesori dhe një nga ish-ministrat e financave, Nikolla Popovski.

Këtë vit, kreditë nuk do të ndalen vetëm me këtë euro-kambial të ri. Sipas të dhënave nga Buxheti, kreditë nga tregjet e huaja do të kalojnë vlerën 870 milion euro, ndërsa kreditë nga kreditorët e brendshëm do të kapin vlerën më shumë se 380 milion euro.

Këto shuma të kredive janë të domosdoshme dhe të detyruara sepse këtë vit ekonomia maqedonase do të përballet me pasojat e krizës shëndetësore, komentojnë ekonomistët, duke aluduar në nevojën e financimit të pesë paketave të masave anti-krizë, me të cilat ndihmohen kompanitë dhe qytetarët. Sipas planit të qeverisë, pritet që deficiti buxhetor të ulet në vitet e ardhshme si rezultat i rritjes ekonomike dhe i zvogëlimit të huamarrjes. Megjithatë – nuk përjashtohen euro-kambiale të reja si burim i financimit.

“Në periudhën 2021-2025, huamarrja nga jashtë mund të realizohet duke emetuar euro-kambial në tregun ndërkombëtar të kapitalit dhe duke tërhequr fonde nga kredi të favorshme nga institucionet e huaja financiare dhe linjat e kreditit të destinuara për financimin e projekteve të caktuara. Sipas skenarit bazë afatmesëm, rritja mesatare vjetore në periudhën 2022-2025 do të jetë 5.3%, gjegjësisht rritja ekonomike në vitin 2025 pritet të arrijë në 5.9%” – thuhet në Strategjinë e re të rishikuar fiskale.

Tetë euro-kambiale “të rënda” 3.5 miliardë euro – pa kamatë!

Gjysmë miliardë euro nga euro-kambiali i ri u paguan menjëherë për ripagimin e euro-kambialit të vitit 2014 – që është marrë me nënshkrimin e Ministrit të atëhershëm të Financave, Zoran Stavreski. Nga kjo kredi – qeverisë i mbetën në dispozicion 200 milion euro. Nga emetimi i euro-kambialit të parë deri më tani – vetëm mbi këtë bazë, qeveritë morën hua në vlerë prej 3.5 miliardë eurosh – një pjesë e parave u kthyen para kohe, gjë që rezultoi me kursime për shkak të kamatës.

Për herë të parë, shteti emetoi euro-kambial në vitin 2005, kur u sigurua një hua prej 150 milion eurosh me nënshkrimin e ministrit të atëhershëm të financave, Nikolla Popovski.  Kamata ishte 4.625% me afat maturimi prej dhjetë vjetësh. Kjo hua, gjegjësisht kryegjëja e euro-kambialit u shlye në vitin 2015. Për këtë euro-kambial u pagua kamatë në vlerë prej 69.3 milion euro. Në vitin 2009 u emetua euro-kambiali i dytë – nga Ministri i Financave, Trajko Sllavevski. Ky ishte euro-kambiali i parë i qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, me një vlerë prej 175 milion euro.  Në të njëjtën kohë, ky është eurokomabiali më i shtrenjtë deri më tani, me kamatë prej 9.875%. Periudha e ripagimit ishte 3.5 vjet. Në korrik të vitit 2014, qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, me Ministrin e Financave, Zoran Stavreski, emetoi euro-kambialin e tretë në vitin 2014 – me një kamatë prej 3.975%, mori kredi në vlerë prej 500 milion eurosh. Një vit më vonë, në vitin 2015, u emetua euro-kambiali i katërt, përsëri me nënshkrimin e Ministrit të Financave të asaj kohe, Zoran Stavreski – 270 milion euro me një kamatë prej 4.875% dhe afat të maturimit prej pesë vjetësh, pra deri në dhjetor të vitit 2020. Një tjetër euro-kambial nga mandati i qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, euro-kambiali i vitit 2016, nga Ministri i Financave, Kirill Minovski – kredi prej 450 milion eurosh, me një kamatë prej 5.625% dhe afat të maturimit në vitin 2023. Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja, me nënshkrimin e Ministrit të Financave, Dragan Tevdovski, emetoi euro-kambialin e gjashtë shtetëror me radhë në vitin 2018 – 500 milion euro me një kamatë prej 2.75%.  Pas një pushimi një vjeçar – me intensifikimin e krizës ekonomike, qeveria aktuale emetoi euro-kambialin e ri në vitin 2020 – në vlerë prej 700 milion eurosh dhe me kamatë prej 3.675%. Në fillim të këtij viti – shteti qëndron prapa euro-kambialit të tetë me radhë euro-kambiali i vitit 2021  – 700 milion euro me kamatë prej 1.625% – që është historikisht kamata më e ulët që do ta paguajë shteti për një euro-kambial.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button