PALBARDHËT

Prej atij Vanit, ruajuni, ani se duket burrë i mirë. Kujdes. Prapa buzëqeshjes së tij fshihet një dhëmb gjarpri u them unë Palbardhëve të mi. Ani ju dini, por po ju them unë se nuk është ai për t’i zënë besë… Prej se ka ardhur në lagjen tonë të Palbardhëve, nuk dimë gjë për të. Jeton vetëm me gruan e tij, të cilës nuk ia dimë emrin. Ai çdo përshëndetje na e kthen me atë buzëqeshjen e tij bajate, kurse gruaja e tij del te kroi të mbushë ujë e s’flet me askënd, del të lajë tesha te përroi e rri larg grave tona. Kurrë nuk e morëm vesh se kush ishte, madje as emrin s’e morëm vesh si e kishte, sepse ne Palbardhët nuk kemi qejf të hallakatim nëpër të fshehtat e njerëzve. Ne jemi të hapur ndaj njëri-tjetrit oxhak për oxhaku, jemi një fshat që ruhemi nga belaja dhe kemi harmoni mes vetes e mendojmë se krejt bota duhet të jetë si ne. Kushdo që kalon në këto anë e ka derën hapur. E presim me bukë, kripë e zemër. Nuk jemi ne Dropull, s’jemi as Zubinpotok, por na thonë Palbardh i Malësisë së lume. Prandaj kemi qenë të qetë kur erdhi ky Vani në fshatin tonë. Thamë se e ka prurë zoti, e mirë se e ka ardhur. Po, pra, të tillë jemi ne, mikun e mbajmë si hyjnor, besën e kemi besë, kurse Vani nuk e mbaj mend t’ia ketë hapur derën dikujt. Dhe kjo ka bërë që një krimb dyshimi të më brejë e mos më lërë të qetë. Vetë e kam parë, ndodha rastësisht aty kur një herë trokiti një udhëtar në derën e tij. Ai doli te dera, e hapi, një gjysmë të hapure dhe e zgjati pak fytyrën te dera gjysmë e hapur duke i thënë; “Hë bre, çka deshe?!” njeriut që po trokiste në derën e tij. “A po doni mysafir?” e pyeti njeriu që trokiti, kurse ai, Vani, thjesht ia përplasi derën para fytyre dhe e mbylli përbrenda. I gjori njeri mbeti i habitur dhe i prekur. Njëherë desha ta thërras udhëtarin e të shkojmë te unë në shtëpi, po, megjithatë, thashë të pres, të shoh e të kthjellem nga turbullira që ndodhi. Ndërkohë, pasi ndenji nja disa minuta të mira, i poshtëruar ashtu, udhëtari shkoi e trokiti në derën tjetër. Në derën Gjon Pjetrit, të Pjetër Bardhecit të Palbardhëve tonë. “O i Zoti shtëpisë, a do mysafir”? bërtiti udhëtari. “O urdhëro, he burrë! Mirë se të ka prurë Zoti!”, ia ktheu Gjoni. Menjëherë doli e hapi derën dhe e mori udhëtarin brenda, si e do zakoni e kanuni i kësaj Malësie të lume. Pastaj u mblodhëm tërë burrnia e Palbardhëve ta nderojmë me këngë e me muhabet mysafirin, që vinte nga malet e Shalës.

Kur u tregova Palbardhëve të mi se Vani kishte bërë kështu e kështu, atyre nuk u besohej, sepse ne Palbardhëve kanuni na mëson se shtëpia është e Zotit dhe e mysafirit. Ne kurrsesi s’e marrim me mend që mysafirit mund t’i mbyllet dera ashtu. Unë u thashë: “Palbardhët e mi, me këta sy e kam parë si e përzuri mysafirin nga dera e tij duke i shkelur kështu rregullat e kanunit tonë, prandaj mos u mbështetni te Vani, mos pritni gjë prej tij sepse ai nuk është njeri i mirë”. “Po e tepron ti Gjeto!” më thanë. “Vani vetëm i shikon punët e veta dhe tymin e vet. Nuk shohim ndonjë të keqe prej tij”, shtuan.  Por unë nuk hoqa dorë. U thashë: “O Palbardhët e mi, më së miri e keni ta provoni se kush është Vani, ta provoni se ai është jabanxhi e nuk i dihet, pastaj flasim”. “Gjeto” më tha Pali, kryeplaku i fshatit. “Vani e ka blerë shtëpinë prej Gjergj Mhillit të Mhill Markut të Palbardhëve tonë. E Gjergji nuk do t’ia kishte dhënë shtëpinë kujtdo”… “E di që Gjergji s’do të kishte bërë diçka me qëllim”, i thashë, “po mirë është ta provoni Vanin, mirë është të njiheni me të pak më shumë”, insistova unë. Fjala ime nuk pat peshë në kuvend te logu i burrave. Po mua ai krimbi i dyshimit që më brente më bënte të mendoj se në kokën e Vanit mund të ketë  e të pështillet diçka e errët. Megjithatë, që mos të gaboj, e “analizoja” çdo derë të Palbardhëve, tym për tymi. E krahasoja Vanin me secilin nga Palbardhët. Për asnjërin Palbardh nuk më brente krimbi i dyshimit. “Gjeto”, i thashë vetes, “kujdes”!… Ndoshta e ke gabim. Ndoshta nuk është i tillë, siç të duket, ai Vani. Po prapë ai krimbi s’më linte të qetë e sikur vazhdimisht më thoshte: Vani është plot rreziqe. Mirëpo Palbardhët nuk ma varën dhe unë u tërhoqa. Kur shumica, nuk pajtohen me dyshimin tim, mendova unë, atëherë ata do të kenë të drejtë dhe se krimbi që më brente ishte ndonjë fiksim imi. Dhe, kështu jeta vazhdoi të rrjedhë e qetë ndër Palbardh. Kështu kalonin muajt e vitet. “Gel zeman, git zeman” thoshte shpesh Gjin Paloku i Palok Lekës së Palbardhëve që kishte qenë me punë në Edrene dhe e dinte turqishten. Këto fjalë na i përkthente Gjini: vjen një kohë e shkon, pastaj vjen tjetra me nishanet e veta. Ndërkohë, dalëngadalë  Vani u afrua me kryeplakun. U bënë shokë të pandashëm. Madje Pali e merrte me vete në log ku mblidheshin burrat. Atje, si është zakoni ynë, flitet pa dorëza. E, Vani kurrë nuk e hapi gojën atje. Vetëm dëgjonte. Kështu krimbi i dyshimit aktivizohej te unë. “O Palbardhët e mi”… më vinte t’u them, po të ishte e kotë të thosha një fjalë se mund të bëhesha  i bezdisshëm.

Ndërkohë pa pritur e pa kujtuar Vani ishte sëmurë. Kishte rënë në shtrat. Çon Vani dhe e thërret shokun e tij kryeplakun e ngrihet Pali me ngut të shkojë sapo e mori vesh se shokun e tij aq të dashur e kishte sëmurë. Ishte ulur Pali te koka e Vanit të sëmurë dhe po i jepte gajret: “Hajt se do të bëhesh më mirë, o Van”… Atëherë hyri gruaja e Vanit dhe e la tabakun me dy gota raki pranë Palit dhe doli. Kur e mbylli derën gruaja prapa vetes,  Vani u ngrit pak, e futi dorën nën nënkresë dhe e nxori një hanxhar. “A po e sheh këtë hanxhar o Pal”? pyeti. “Po” i tha Pali. “Epo këtë hanxhar e kam marrë  të ta heq flamën ty, o Pal” dhe heshti. Kryeplaku nuk u besonte fjalëve të Vanit. I mbylli sytë dhe e rrotulloi shiritin e mendimeve. Tash i vinte keq prej Gjetës pse nuk i kishte besuar. Ndërkohë Vani dha shpirt. Megjithatë Pali e ndihmoi gruan e tij që ta çonin Vanin në fshatin e largët që ta varrosnin pasi vdiq, sepse vet i ndjeri i kishte lënë këtë amanet së shoqes. E shoqja e Vanit nuk e kish pritur këtë butësi të Palit, sepse tërë jetën e kishin mësuar se Palbardhët janë ët egër. Po Pali ishte i butë, zemërmirë dhe e kishte falur Vanin. I tillë ishte Pali, i tillë ishte si çdo Palbardh. Palbardhët të gjithë dinë të falin. Dhe, ia dinë rendin burrnisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button