fbpx

Midis vlerave dhe pragmatikës politike, largimi i euro-deputetëve hungarezë të partisë Fidesh nga PPE

Malinka Ristevska Jordanova
Malinka Ristevska Jordanova

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

(shkas: largimi i euro-deputetëve hungarezë të partisë Fidesh nga grupi politik i Partisë Popullore Evropiane)

Më 3 mars 2021 grupi politik i Partisë Popullore Evropiane (PPE)Parlamentin Evropian miratoi rregulla sipas të cilave mund të pezullojë gjegjësisht të përjshtojë anëtarë nga grupi i saj. Menjëherë pas kësaj, partia e kryeministrit hungarez Orban, Fidesh, me të shpejtë u largua nga grupi për të parandaluar përjashtimin. Efekti është i njëjtë – Deputetët e partisë konservatore hungareze Fidesh – Partia qytetare hungareze nuk janë më pjesë e grupit parlamentar të PPE.

Ky është epilogu (të paktën në këtë fazë) i sagës politike shumëvjeçare që ndodhi në PPE – grupimi më i fortë politik në nivelin Evropian për vite me radhë. Në nivelin e partisë, Asambleja e PPE pezulloi partinë Fidesh, me propozimin e 13 anëtarëve, në mars 2019 (me më shumë se 190 vota “pro” dhe 3 “kundër”). Partia Popullore Evropiane më pas shpjegoi vendimin e saj për dallimet midis Partisë Evropiane dhe Fidesh, duke përmendur vlerat e BE-së: “Ne nuk mund të bëjmë kompromis për demokracinë, shtetin e së drejtës, lirinë e shtypit, lirinë akademike ose të drejtat e pakicave. Retorika anti-BE është gjithashtu e papranueshme. “Dallimet midis PPE dhe Fidesh duhet të marrin fund”.

PPE-së iu desh shumë kohë për të ardhur në këtë vendim. Përveç minimit të vlerave thelbësore të BE-së në ushtrimin praktik të pushtetit nga partia (në pushtet në Hungari), reagimi i PPE-së u nxit më tej nga sulmet ndaj Presidentit të atëhershëm të PPE-së Zhan-Klod Junker dhe retorikës së ashpër anti-BE, veçanërisht gjatë zgjedhjeve . Me sa duket se pusi u mbush me posterin e Junker-it dhe Soros-in gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare hungareze në vitin 2018. Fidesh është në pushtet në Hungari që nga viti 2010 dhe tani është në mandatin e katërt në detyrë, me një shumicë komode dy të tretat në parlamentin hungarez.

Me vendimin për pezullim nga viti 2019 (i cili, për ironi të fatit, u mor me pëlqimin e ndërsjellë të PPE dhe Fidesz) kjo, të paktën “histori të pakëndshme” për PPE, e vlerësuar si më e ashpra nga disa analistë dhe si kriza e madhe në këtë parti evropiane, nuk përfundoi. Situata pas pezullimit u komplikua më tej, duke u përcjellë me nga akuza dhe kritika të vazhdueshme publike të ndërsjella. Dhe vlerësimi i komisionit tre anëtarësh brenda-partiak i caktuar për të raportuar mbi përmbushjen e kushteve nga Fidesh përfundoi jo lavdishëm, me mosmarrëveshje reciproke. Terreni u zhvendos më pas te grupi politik në Parlamentin Evropian, i cili tani për tani përfundon me tërheqjen e deputetëve të Fidesh nga grupi.

Vlerësohet se tërheqja nuk do të prishë seriozisht marrëdhëniet midis forcave politike në nivelin e BE-së. Me 12 deputetë më pak (dhe një tjetër i pezulluar më parë), grupi politik i PPE mbetet ende më i madhi në PE me 174 euro-deputetë. Pasohet nga Social Demokratët me 145, “Rinovimi i Evropës” me 97, Grupi për identitet dhe demokraci me 74, të Gjelbrit me 73, Grupi Evropian konservator dhe reformist – 63, e Majta – 39 dhe grupi politika i larmishëm dhe i pavarur 27.

Megjithatë, ky është vlerësimi nëse shikojmë efektet afatshkurtra dhe vetëm në marrëdhëniet e forcave politike. Në planin afatgjatë, pasojat si për PPE ashtu edhe për rolin dhe funksionimin e partive evropiane do të jenë të konsiderueshme. Vetë fakti që deputetë nga partitë konservatore të kryeministrit slloven Jansha dhe kryeministrit austriak Kurz votuan kundër vendimit për të ndryshuar rregullat e grupit parlamentar të PPE tregon se ndarjet në PPE nuk duhet të nënvlerësohen. Në planin afatgjatë, kjo betejë sigurisht do të jetë domethënëse në luftën midis vlerave dhe pragmatikës politike – fitimi i një shumice politike në nivel evropian, veçanërisht pasi është një parti evropiane e ngulitur në vetë krijimin e BE-së dhe me ndikim të jashtëzakonshëm gjatë gjithë ekzistencës së BE-së.

Përndryshe, respektimi i vlerave të BE-së (neni i mirënjohur 2 i Marrëveshjes për BE) është një nga kushtet themelore që duhet të plotësojnë palët dhe fondacionet në nivel të BE-së, në përputhje me Rregulloren aktuale nr. 1141/2014 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit nga 22 tetorit i vitit 2014 mbi statusin dhe financimin e partive politike evropiane dhe fondacioneve politike evropiane. Pak njerëz e dinë që ekziston një Drejtori e posaçme në nivel BE për partitë politike evropiane dhe fondacionet politike evropiane, e cila ka autoritetin të regjistrojë, kontrollojë dhe vendosë sanksione.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button