Për ditën e mësuesit dhe shkollës shqipe

Përpjekjet e popullit tonë për arsimim e dije janë të vjetra, por kontributin më të çmuar e dhanë Rilindësit, që i bënë sakrificat më sublime për mëkëmbjen e shkollave gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Si rezultat i kësaj veprimtarie të palodhshme arsimdashëse, më 7 Mars të vitit 1887, u hap në Korçë shkolla e parë shqipe, e cila shënoi fitoren e madhe të Lëvizjes kombëtare – kurorëzoi përpjekjet e gjeneratave të tëra, të organizatave atdhetare brenda dhe jashtë trojeve etnike, zgjoi mendjet dhe shpirtërat e fjetur, ngjalli nga hiri kujtesën e së shkuarës, mbolli dëshirën për të zënë hapin e humbur me kohën në vorbullat e historisë sonë tragjike, kaliti vendosmërinë, që, nëpërmjet përhapjes së shkrimit dhe këndimit të Gjuhës së bukur shqipe, nëpërmjet dritës së dijes, t’i japë lamtumirën prapambetjes, të sendërtojë ëndrrën rilindëse dhe programin e Lidhjes shqiptare, të përhapë idetë e shëndosha qytetëruese, t’i shndërrojë ato në frymëzuese të integrimit të energjive dhe vullneteve të fjetura, të përafrojë shqiptarët e përçarë në vija krahinore, dialektore e fetare, ta ndërgjegjësojë popullin për nevojën e madhe të konsolidimit të njësisë së gjuhës, kombit dhe, më pas, të themelimit të shtetit shqiptar.

Mësonjtorja e parë shqipe u mbajt në këmbë kryesisht me financat e mërgimtarëve të shpërndarë nëpër kolinitë e shumta të të gjithë kontinenteve. Në këso kushtesh, ajo e pati shumë të vështirë funksionimin, por ia doli të ruajë pavarësinë nga ndikimet e jashtme, që synonin derdhjen e energjive në mullinjtë e të tjerëve, në kontot e atyre që na donin vetëm si rajë të nënshtruar për gjynah.

Udha e shkollës shqipe qe e gjatë dhe e vështirë, e njomur me lotin, djersën dhe gjakun tonë, e shtruar me eshtra martirësh të flijuar vetëdijshëm për një të ardhme ndryshe. Historia thotë se nuk ekziston ndonjë shkollë tjetër në kontinentin evropian që është ballafaquar me sfidat e saj.

Për këtë, krahas historianëve shqiptarë, flasin dhe historianët evropianë, si francezi Serxh Matias, autori i veprës Historia e shqiptarëve, të botuar në vitin 2006 në Paris. Ai shkruan se, në vitin 1887, në Shqipëri kishte 1200 shkolla publike turke, mbi 1000 shkolla private greke, 300 shkolla bullgare, serbe e vllehe dhe, vetëm një shkollë shqipe, e cila u mbyll akoma pa u konsoliduar, pas likuidimit barbar të themeluesve të saj.

Armiqtë e shkollës sonë e njihnin mirë vullkanin e fjetur shqiptar. Ata e dinin se, për ta nënshtruar e poshtërruar një komb, fillimisht duhet t’ia shpëlash trurin, t’ia zhbësh të kaluarën, t’ia vrasish të ardhmen, ta gjymtosh pariparueshëm, ta lëshë pa shkollë, t’ia shuash frymën etnike…, sepse vetëm kësisoj mund të kalërosh pastaj mbi shpinën e tij përsijeta, ta bësh të varur prej pushtuesve, ta trajtosh si një fëmijë të mitur që humbet orientimin posa të pushosh ta mbash për dore.

Për ta kuptuar këtë të vërtetë, që edhe sot mohohet nga renegatët shqipfolës, nuk është e thënë të jesh historian. Mjafton vetëm pyetja: Përse është kaq e vonshme shkolla jonë dhe alfabeti ynë në raport me shkollat serbe, greke, bullgare, me të cilët qemë me shekuj nën të nëjtit regjim? Si u bë që shqiptarët të cilët patën artistë, shkrimtarë, shkencëtarë të njohur që në periudhën e Rilindjes së madhe evropiane; që qysh në erësirën mesjetare patën një kanun, një kushtetutë me të cilën e rregullonin jetën e tyre, atëherë kur sumëkushi nuk që shëruar mirefilli nga kanibalizmi…, të rezultojnë në fillet e shekullit XX si më të paimancipuarit, më të prapambeturit, më të varfërit, më të paaftit për ta mbrojtur tërësinë tokësore të trashëguar nga të parit?

Natyrisht, pyetjet e këtilla nuk duhet shtruar për ta problematizuar të sotmen, por për ta penguar përsëritjen e tragjedive historike dhe për të ruajtur kujtimet për ata që, në periudha të vështira sakrifikuan gjithçka për shkollën shqipe, si vëllezërit Frashëri, si Qiriazët e Manastirit, si Koto Hoxhi, si Pandeli Sotiri, si Petro Nini Laurasi, si mësuesit e Ernest Koliqit – pishtarët e parë të arsimit të trojet e mbetura jashtë shtetit amë dhe si shumë të tjerë, emrat e të cilëve do të kujtohen për jetë të jetëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button