Çekia ka humbur betejën me Kovid-19, nëpër spitale tashmë nuk ka vende

Në hartën epidemiologjike të botës, Çekia duket si ishull dënimi. Dhe përderisa numri global i të infektuarve të rinjë me koronavirus bie për të gjashtën javë me radhë, ky vend me 10 milion banorë shënon shifra afër nivelit rekord, transmeton Portalb.mk.

Prej se lloji britanik u përhap në të gjithë vendin, spitalet në disa qytete tashmë nuk kanë shtretër të lirë, prandaj vendi kërkoi ndihmë nga Gjermania dhe vendet e tjera të Evropës. Ministri i Brendshëm Jan Hamacek tha se Gjermania ka ofruar dhjetëra shtretër në spitalet lokale për të trajtuar pacientët çekë me covid-19. Nëntëmbëdhjetë u transferuan menjëherë.

Hamaçek tha se Zvicra është një vend tjetër që është e gatshme të ndihmojë me dhjetëra shtretër dhe po negocion me Poloninë për 200 vende në spitalet e atjeshme.

Të martën, Çekia regjistroi 16,442 raste të reja të koronavirusit, dita e katërt më e vështirë që nga fillimi i epidemisë, përderisa nëpër spitale ka mbi 8.000 pacientë me kovid-19. Disa spitale në pjesët perëndimore dhe qendrore të vendit, si dhe në rajonin Pardubice në lindje të Pragës, nuk mund të pranojnë më pacientë të rinj, kështu që ata transportohen në klinikat në pjesë të tjera të vendit.

“Kjo është një situatë me të cilën nuk jemi përballur deri më tani”, tha Guvernatori i Pardubice Martin Netolicki.

Me 1.120 të infektuar për 100.000 banorë, Çekia ka normën më të lartë 14-ditore në Evropë, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Në Çeki, deri më tani ka pothuajse 1.3 milion të infektuar dhe rreth 21.000 vdekje nga covid-19.

Sipas një prej epidemiologëve kryesorë Çekë, Rastislav Madar, qeveria deri më tani ka bërë tre gabime kryesore që kanë çuar në situatën aktuale.

“Së pari, nuk i dëgjon këshilltarët e vet shkencorë për futjen e detyrueshme të mbajtjes së maskës gjatë verës, gabimi i dytë ishte hapja e parakohshme e dyqaneve para Krishtlindjeve dhe i treti që nuk reagoi ndaj shfaqjes së variantit të ri në fillim të janarit. Të shpresojmë që nuk do të ketë të katërt”, tha Madar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button