Kur mafia dënohet

Aktgjykimi në shkallë të parë për rastin “Target-Fortesa” është ndër aktgjykimet më të rëndësishme që janë marrë në këtë shtet. Edhe pse procedura penale në këtë rast ende nuk ka mbaruar dhe e njëjta do të zgjasë më tej duke shkuar në Gjykatën e Apelit dhe sipas të gjitha gjasave edhe në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, megjithatë, ky aktgjykim i shkallës së parë ka rendësi të madhe për disa arsye që do të përmenden më poshtë e që e bëjnë 26 shkurtin të mbetet një ditë e shënuar në historinë e institucioneve të drejtësisë në këtë shtet.

Aktgjykimi i shkallës së parë e gjeti ish shefin e ish Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) të fajshëm për tri vepra penale të kryera në bashkim: shoqërim kriminal, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit zyrtar dhe pranim të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm. Në shikim të pare këto vepra nuk janë shumë të rënda, por si që dihet në të drejtën penale, bashkimi bën fuqinë. Kështu për veprën e parë për të cilën akuzohet, Mijallkov mund të merte dënim maksimal prej pesë vitesh burg, për veprën e dytë po ashtu pesë vite burg ndërsa për veprën e tretë dënimi maksimal është tri vite burg. Kur veprat penale ndiqen si të kryera në bashkim, për to gjykata jep një dënim të përbashkët i cili duhet të jetë më i ulët se shuma e të tri dënimeve që në këtë rast është 13 vjet. Në këtë bazë, dënimi i përbashkët u dha në 12 vjet, dhe ky ishte dënimi maksimal që mund të jepej në këtë rast.

Dënimi me burg për 12 vjet është dënim serioz dhe i rëndë. Vetëm sa për krahasim, vrasja dënohet me minimum 5 vite burg, ndërsa vrasja e kualifikuar (për shembull vrasja e gruas shtatzënë ose vrasja e kryer në mënyrë mizore) dënohet me minimum dhjetë vite burg. Gjenocidi, krimet e luftës, dhe krimet kundër njerëzimit dënohen me minimum dhjetë vite burg. Pra serioziteti i këtij dënimi është i pakontestueshëm dhe tregon mesazhin që përcjell gjykata me këtë aktgjykim: nuk do të tolerohet ndërhyrja e tillë e pacipë në privatësinë e qytetarëve përmes përgjimit të komunikimit të tyre me qëllime politike. Kjo do të konsiderohet si vepër po aq e rendë sa vrasja sepse në këtë mënyrë kryhet vrasje e drejtësisë dhe sigurisë së qytetarëve. Nuk do të tolerohen shkelje të tilla eklatante nga askush, as edhe nga dikush që ka pasur pozitën e Mijallkovit në shtet. Të mos harrojmë që në vende si ky i yni në të kaluarën shefi i shërbimit sekret ka qenë personi më i fuqishëm në shtet, personi që ka ditur gjithçka dhe të cilit nuk i është përmendur emri, personi që e kanë thirrur me nofka të ndryshme si naçallniku, kushëriri, njeriu nga hija, personi që ka pasur mundësinë të vendosë mbi fatet e njerëzve dhe mbi karrierat e tyre dhe mbi gjithçka tjetër. Aktgjykimi në shkallë të parë përcakton se nuk mund të ketë njerëz të paprekshëm, pavarësisht fuqisë dhe pasurisë së tyre dhe ky është një mesazh shumë i fuqishëm ndaj të gjithë të tjerëve që momentalisht janë në pushtet ose kanë autorizime për të vendosur mbi jetën dhe lirinë e dikujt tjetër. Prandaj ky aktgjykim është ndër më të rëndësishmit në historinë e këtij shteti.

Një moment tjetër i rëndësishëm në këtë aktgjykim është vepra e parë penale për të cilën Mijallkov dënohet në shkallë të parë. Ai me këtë aktgjykim u gjet i fajshëm sepse së bashku me dy persona të tjerë nga ish-DSK kanë krijuar organizatë kriminale për të kryer veprat penale të cilat ndiqen me këtë rast. Është shumë me rëndësi që veprimet në këtë lëndë janë kualifikuar si veprime të krimit të organizuar, pra Mijallkov dhe të tjerët janë gjetur të fajshëm për mënyrë mafioze të veprimit gjatë procesit të organizimit të skemës më skandaloze të përgjimit në këtë shtet, skemë që i kalon përmasat rajonale dhe radhitet në skandalet botërore në këtë drejtim. Disa herë më parë kam potencuar se mënyra e funksionimit të pushtetit gjatë kohës së VMRO-DPMNE-së kualifikohej si mafiokraci, ku një grusht njerëzish nga maja e partisë kontrollonin të gjitha institucionet shtetërore dhe jetët e njerëzve në këtë shtet. Tani ka aktgjykim që në shkallë të parë vërteton se kjo ka ndodhur. Paramendoni, Don Korleonen e fuqishëm, njeriun që si marionetisti i kontrollonte lëvizjet e të tjerëve, të përfundojë në burg me një dënim dymbëdhjetëvjeçar së bashku me bashkëpunëtorët e tij, me kaporegjimet dhe me ushtarët që në mënyrë hierarkike kanë respektuar ligjet kryesore të mafias, ligjin e heshtjes dhe ligjin e hakmarrjes. Nga mafia që e kishim në shtet, ish-kryeministri është në arrati dhe po ashtu në arrati janë dy nëpunësit e fuqishëm të DSK, ndërsa ish shefi i DSK dhe ish ministrja për punë të brendshme janë në burg, së bashku me ish prokuroren e cila i ndiqte ato. Nëse dikush, le të themi rreth vitit 2014 kur kjo strukturë mafioze ishte në kulmin e pushtetit, do të më kishte thënë se të gjithë këta njerëz në vitin 2021 do të ishin ose në burg ose në arrati, vështirë se do e besoja.

Momenti tjetër i rëndësishëm në këtë aktgjykim të shkallës së parë është se në bazë të një materiali shumë serioz dëshmues u vërtetua se përgjimin skandaloz dhe ilegal të mbi 20.000 qytetarëve e ka bërë ish-DSK dhe njerëzit e dënuar me këtë aktgjykim. Pra ranë në ujë teoritë për furgonët e verdhë dhe për shërbimet e huaja të cilët tani më të dënuarit thoshin se e kanë bërë përgjimin. Ky është momenti kyç meritor në këtë aktgjykim, momenti ku të akuzuarit në këtë rast janë gjetur fajtor për këto vepra penale, pra është vendosur faji i tyre për përgjimin e realizuar dhe për shkatërrimin e mëvonshëm të aparaturës së përgjimit. Ky faj është vendosur në bazë të dëshmive të cilat nuk do të mund ti injorojë as Gjykata e Apelit dhe as ndonjë gjykatë tjetër. Gjykata e Apelit mund të pritet që të bëjë përshtatjen formale të rastit dhe mund të ndodhë ta ulë dënimin për nja dy vjet në bazë të dënimit për veprën e fundit penale për të cilën u dënua Mijallkov, e cila dënohet me maksimum tri vite burg dhe e cila tani më është parashkruar. Por këto janë çështje formale të cilat nuk e vënë në dyshim fajin e të dënuave.

Çështje formale është edhe vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila duhet të vendosë lidhur me vlefshmërinë e faljes së Ivanovit lidhur me këtë rast. GJEDNj nuk jep vlerësim meritor për fajësinë e personave të dënuar të cilët janë ankuar para kësaj gjykate. Aty sigurisht që tani më zhvillohet një betejë e ashpër për të dëshmuar pse ato falje duhet të trajtohen të pavlefshme, por sido që të përfundojë kjo betejë, e njëjta nuk do ta lëkundë fajin tani më të vendosur për ish njeriun më të fuqishëm në shtet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button