fbpx

Kërkohen ambasadorë për “destinacionet më të nxehta”: Zhernovski – xhoker për Nju Jork

Andrej Zhernovski, anëtar i Këshillit qendror të LSDM-së dhe ish zëvendësministër për Punë të Jashtme, është kandidati më serioz për ambasador të ri të Maqedonisë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, mëson „360 gradë“, transmeton Portalb.mk.

Sipas informatave, ende nuk është zyrtarizuar procedura për emërim, që fillon nga Ministria e Punëve të Jashtme, pastaj vazhdon nëpërmjet Qeverisë dhe presidentit të shtetit, për epilog para institucioneve të vendit të futet me mbrojtje të tezave në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme. Megjithatë, opsioni Zhernovski për të qenë ambasador në selinë e KB-ve tani është në tryezë dhe është mjaft e mundur që kjo të jetë përfaqësia e radhës diplomatike për Maqedoninë e Veriut që do të plotësohet.

Në portofolin politik të ish kryetarit të PLD-së, përveç funksionit zëvendës në MPJ, është shkruar edhe përvojë shumëvjeçare parlamentare, si dhe një mandat për kryetar komune në Qendër, në periudhë kur të gjitha komunat tjera të Shkupit, sikur edhe shumica në shtet, ishin nën kontroll të VMRO-DPMNE-së.

Shteti jonë tashmë disa vite nuk ka ambasador në Kombet e Bashkuara, prej se u kthye diplomati i MPJ-së, Vasilie Andonovski. Në ndërkohë, vendi fitoi status ndryshe në organizatën botërore, ku tani është regjistruar me emrin e ri, Maqedonia e Veriut, në vend të referencës IRJ Maqedonia.

Përveç disa pozitave në kuadër të nivelit multilateral, ende janë të zbrazëta vendet më të rëndësishme të ambasadorëve në plan bilateral. Thuajse tre vite, Maqedonia e Veriut nuk ka ambasador as në Uashington, pasi prej atje u kthye ish zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Vasko Naumovski.

Megjithatë edhe ky post diplomatik pritet të plotësohet së shpejti, për shkak se tani është kah fundi procedura për dërgim të profesorit universitar Lubomir Fërçkovski. Ish ministri për punë të brendshme dhe punë të jashtme do të jetë ambasadori i parë i Maqedonisë së Veriut në Uashington, pasi vendi u bë anëtar i plotfuqishëm i NATO-s.

Ende nuk janë plotësuar edhe vendet e ambasadorëve në Bruksel por edhe në Moskë. Veçanërisht e rëndësishme për këtë vend është t’i plotësojë vendet e zbrazura diplomatike në vendet në rajon, para së gjithash në vendet më të afërta fqinje.

Sipas informatave të “360 gradë”, prioritet janë pozitat e ambasadorëve në Beograd dhe në Sofje, për çka, sipas konstatimeve, përkushtohet vëmendje e veçantë në kuadrot që mund të propozohen, duke pasur parasysh konstelacionin aktual të raporteve të Maqedonisë së Veriut, me këto dy vende, veçanërisht me Bullgarinë. Gjatë kësaj, siç thuhet, merret parasysh edhe pozicionimi ynë rajonal si anëtar i ri i NATO-s nga Ballkani Perëndimor dhe si vend që e pret fillimin e negociatave me BE-në.

Para një muaji, MPJ e njoftoi Kuvendin ta ndërpresë procedurën për emërim të Vasko Gërkov (kuadër i Ministrisë) si ambasadorë inordinar dhe i autorizuar i vendit në Serbi. Ambasadori i fundit në Sofje, ishte Marjan Gjorçev, ish deputet dhe ministër nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Kah fundi i vitit të kaluar, shefi i diplomacisë Bujar Osmani arriti ta dërgojë grupin e parë të ambasadorëve të vendit, emrat e të cilëve ishin marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe presidentit Stevo Pendarovski që nga fundi i vitit 2019, para shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe derisa ministër për Punë të Jashtme ishte Nikolla Dimitrov. Megjithatë, procedura për dërgimin e përfaqësuesve të ri diplomatik u zvarrit për shkak të bllokadës në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme, kryetari i të cilit, në përbërjen e kaluar parlamentare, sikur edhe deri tani, është shefi i mëparshëm i diplomacisë, Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

Osmani, para disa kohe, sërish e paralajmëroi Milloshoskin të mos e frenojë plotësimin e përfaqësive diplomatiko-konsullore të Maqedonisë, por t’ua mundësojë ambasadorëve të emëruar t’i prezantojnë tezat e tyre në komisionin amë të Kuvendit me të cilin ai kryeson.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button