Doktrina e mënjanimit apo e pjesëmarrjes 

Lao Cu rrinte i veçuar në mal dhe predikonte filozofinë e mënjanimit nga shoqëria. Ai mendonte se shteti duhej të ishte sa më i vogël që njerëzit mos ta shihnin.

Shteti nuk bëhet i padukshëm vetvetiu. Padukshmëria e tij varet nga përgjegjësia qytetare. Sa më shumë duket shteti, aq më i padukshëm bëhet qytetari. Sa më shumë ndërhyn shteti, aq më shumë mungon liria dhe demokracia.

Prania e shtetit na shfaqet çdo ditë nëpër ekrane. Shohim politikanë nga agu deri në muzg sesi flasin për gjithçka. Shfaqen ata nëpër institucione publike dhe private. Poeti Wystan Hugh Auden shkruan: “Fytyrat private në vendet publike janë më të mençura e më të bukura se fytyrat publike në vendet private”.

Filozofi amerikan, Henry David Thoreau, te sprova “Padëgjueshmëria qytetare” ka një qasje të ndryshme nga e Lao Cu-së. Ai nuk kërkon të ikim nga shoqëria, por të përballemi me të.

“Qeveria e mirë është ajo që më pak qeveris”, kurse “qeveria më e mirë është ajo që nuk qeveris fare”, thotë ai.

Qeveria sipas modelit të Toros nuk arrihet nëpërmjet doktrinës së mënjanimit, por nëpërmjet përgjegjësisë dhe ndjenjës për padëgjueshmëri qytetare.

Qytetarët e kanë qeverinë që e duan dhe janë përgjegjës për cilësinë e saj. Duke fajësuar vetëm politikanët duam ta shfajësojmë vetveten.

Nëse politikanët janë të dukshëm nga agu deri në muzg, kjo ndodh sepse i konsiderojmë më të rëndësishëm se sa duhet të jenë.

Demokracisë nuk i ndihmojnë të mënjanuarit, por ata që marrin përgjegjësi qytetare.

Një i ri e denoncoi një mashtrim të vogël. I ati i kërkoi mos ngulmonte për një vjedhje të vockël. I biri, që kishte vetëdije të lartë qytetare, ia ktheu: “E bëj edhe për ju që lejoni t’u vjedhin. Me heshtjen tuaj e stimuloni vjedhjen”.

Shoqërisë sonë i duhet kjo përgjegjësi qytetare. Në të kundërtën dalim të rrjepur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button