Lundrim Paçuku, së shpejti me albumin e tij të parë (VIDEO)

Lundrim Paçuku është artist nga Dibra, i cili studioi për Biznes Administrativ. Me muzikë filloi të merret në një moshë shumë të vogël. Lundrimi u rrit me një frymë muzikore të mirëfilltë shqiptare dhe të huaj. I rritur në një familje ku muzika ka qenë gjithmonë prezente, duke pasur si simbol perballë të madhin Bashkim Paçuku. Por, mbi të gjitha, duke dëgjuar zërin e babait të tij, i cili po ashtu ka kënduar dhe ka një vokal të rrallëNuk kishte se si të ndodhte ndryshe, ideja dhe dëshira për të kënduar u rritën gjithmonë e më shumë brenda tij, shkruan Portalb.

“Si natyrë jam tip i ndrojtur, megjithatë guximtar brenda arsyes. E kisha provuar të këndoja mes miqve, por kurrë përball një publiku. Shijen e të qenurit përballë publikut e kam provuar shumë vonë, kur si student frekuentoja karaoket e profesorit dhe mikut tim Guximtar Rushani, i cili edhe ma dha mundësinë ta provoja ndjenjën e tingujve të ndërthurur me peshën e asaj që është më e rëndësishme për artistët – publiku. Deri diku fillova të besoj pak a shumë në cilësinë time, megjithatë isha skeptik që mund ta bindja veten se mund të isha këngëtar.  Për ta provuar dhe sfiduar veten, vendosa të bëhesha pjesë e produksionit ” The Voice of Albania 1″ në Top Channel.  Falë ndihmës dhe trajnimit të profesorit tim të nderuar dhe mikut tim të afërt sot, Sidrit Bejleri, arrita të isha finalist, duke bërë krenar qytetin tim të lindjes, familjen time, por, sigurisht, duke ndjerë përkrahjen dhe mbështetjen e qindra mijëra shaiptarëve.” tha Lundrimi.

Për artistët e muzikës live, ke arritur në karrierë atëherë kur rregullisht pëlqehesh dhe kërkohesh në treg. Lundrimi tha që ai do të përpiqet gjithmonë që karrirera e tij të jetë e lidhur me buzëqeshjen, kënaqësinë dhe duartrokitjet e publikut. Për të, ky do jetë gjithmonë kulmi!

“Jam duke punuar në albumin tim të parë bashkë me dy miqtë dhe bashkëpuntorët e mi më të afërt gjatë gjithë karrierës sime, mjeshtrin e fizarmonikës Shpend Telqiun dhe profesorin Besfort Muça. Këto ditë do të filloj me incizimin e vokalit në një nga studiot më të mira në Kosovë, “ShpetaSound” e mikut tonë Shpejtim Gashi, album në të cilin do të marrin pjesë disa nga muzikantët më të mirë në skenë. Bëhet fjalë për këngë të cilat janë të degjuara më parë, por, do t’i risjellim në një version shumë të bukur akustik. Jam i bindur që do t’ju pëlqejë. Po ashtu, shumë shpejt do ta kem një singël timin, i cili po punohet nga duart e një producenti shumë të njohur shqiptar dhe besoj që do të përfundojë në muajt e ardhshëm.” u shpreh Paçuku.

Protestat e pronarëve të restoranteve për kundër kufizimeve të vendosura nga ana e Qeverisë po vazhdojnë. Muzikantët, punëtorët dhe pronarët e lokaleve kërkojnë që të hiqet ndalesa për punë dhe të punojnë sipas protokolleve të caktuara. Po si e sheh këtë situate Lundrimi? A është edhe ai mbështetës i protestave?

“Sigurisht që i mbështes, madje i mbështes fuqishëm. Nëse flasim shpirtërisht, e kam thënë e stërthënë se muzika nuk vret, ajo shëron dhe sot më shumë se kurrë njerëzit kanë nevojë për muzikë. Ekonomikisht, të gjithë e dimë se sa qytetet shqiptare janë të lidhur me ahengjet, dasmat.  Industri e cila gjeneron rreth 700 milionë euro të ardhura dhe rrit remitencat. Kjo sigurisht që nuk dëmton vetëm artistët, por, të gjithë zinxhirin e kësaj industrie. Mund të flasim edhe nga ana shëndetësore. Më thoni, ç’kupim ka nëse lokalet janë të tejmbushura çdo ditë, por nuk lejohet muzika?! Nuk vret muzika, është virusi ai që vret. Më thoni, ku qëndron dallimi ndërmjet muzikës dhe tubimeve politike që tejmbushin ambientet me militantë?! Nuk vret muzika, nëse vrasin grubullimet, kjo duhet të vlejë për të gjithë.” tha Paçuku.

Mesazhi që Lundrimi përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Do t’i inkurajoja dhe do të doja të mos demoralizohen në rrugën e vështirë drejt suksesit. Nëse ke dëshirë, me sakrificë dhe përkushtim, jam i sigurt që do t’ia dalësh. Rruga e muzikës është e tejmbushur me oscilacione, por, është jashtëzakonisht e bukur, të mbush me krenari, ndjenjë dhe dashuri. Mos e harrojnë kurrë se është shumë e bukur të ndjehesh dhe të jesh artist!” e përmbylli Lundrim Paçuku.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button