FEJA E DECENTRALIZUAR (I)

Feja përbën një botëkuptim, një mënyrë jetese, një institucion me impakt të rëndësishëm social. Ajo është vatër e vlerave, moralit të caktuar, një kulturë specifike, puqje me të shenjtën, gjendje shpirtërore vetjake ose kolektive. Si kërkim i kuptimit themelor (ultimate meaning) të jetës ajo shfaqet në dimensione të shumta të gjallnimit tonë human. Ninian Smart, shkrimtar dhe pedagog universitar skocez, përmend shtatë përmasat e fesë: (1) doktrinare-filozofike, shprehje sistematike e mësimeve fetare në një formë të qëndrueshme intelektuale; (2) ritore, format dhe rendet e ceremonive (private dhe/ose publike) që zakonisht merren si të shpallura prej lart, (3) narrative dhe mitike, rrëfime lidhur me universin dhe pozitën e njeriut në të; (4) përvojore dhe ndiesore, frikë, faj, mister, devotshmëri, çlirim, ekstazë, paqe e brendshme, lumturi; (5) etike dhe legale, norma rreth sjelljes njerëzore; (6) materiale, objekte ose vende ordinare që simbolizojnë ose manifestojnë të sakralen dhe mbinatyroren, dhe (7) sociale ose institucionale, bindje dhe qëndrime të zbatuara nga një grup, rregulla për identifikimin e antarësisë në grup dhe pjesëmarrjes në të.

Pra, një segment i rëndësishëm i religjionit është edhe ai organizativ, përmes të cilit fetë bëhen më teknokratike, më të burokratizuara, më të profesionalizuara sikurse aktorët e ngjashëm shekullarë (Bruce 2006) me qëllim të arritjes së efektivitetit politik, institucional dhe social. Lidhur me  funksionin dhe pozitën e fesë ekzistojnë dy korniza shpjeguese: ajo funksionaliste sipas të cilës feja e mban shoqërinë të bashkuar, tok, ofron vlera dhe standarde të cilat ia mbjell apo imponon popullatës (laity); kjo tezë i kushton rëndësi linjës elitare “lart-poshtë”, i jep asaj pozitë monopoliste si institucion i vetëm dominant dhe i pandashëm i shoqërisë. Perspektiva e dytë teorike ndjek një qasje më voluntariste, jostrukturore duke theksuar se aktorët e veçantë motivohen nga ide fetare signifikante, nga gara fetare, nga brengat, qëndrimet dhe interesat e popullit; at qëllimisht, strategjikisht ose me plot vullnet zgjedhin t’i përshtaten mjedisit lokal e jo thjesht në mënyrë automatike të bëhen pjesë e skenareve të agjentëve eksternë. Kjo pikëpamje sfidon status quo-në, vetdijshëm reagon ndaj konteksteve, nuk është pranuese pasive e kushteve strukturale. Ajo niset nga kërkesat e grupeve dhe shkon në linjën “poshtë-lart”/bottom-up. (Convay, 2014)

Në kohën e sotme postmoderne kur gjithçka relativizohet, përcopëzohet, edhe feja është përfshirë nga një trend i partikularizimit. Kjo ngaqë forma, aktorë, lëvizje, botëkuptime të ndryshme mundohen që ta lëkundin dhe ta dërrmojnë autoritetin e fesë tradicionale dhe konvencionale përmes krijimit të fraksioneve të ndryshme fetare deri te ato më të çuditshmet, si shembulli i ithtarët e pastafarianizmit apo të Përbindëshit të Spagetit Fluturues (The Flying Spaghetti Monster), rastafarianizmit (zëri kundër kolonializmit), Raëlismi (pjesëtarët e të cilit që thonë se njerëzit janë krijuar nga alienët), Iglesia Maradoniana, scientologjia (shpjegim i fesë përmes shkencës), Aum Shinrikyo (besimtarë që pretedojnë se dita e fundit është afër dhe se të gjithë shkojnë në ferr pos atyre që vriten nga anëtarët e këtij kulti), Jediismi (besimtarët e forcës), kisha e eutanazisë (kundërshtarët e rritjes eksponenciale të popullatës botërore), The Body of Christ (besimi në vullnetin hyjnor) etj.

Trendet aktuale fetare pasqyrojnë kërkesa për autoritet (claims for authority), për decentralizim të fesë, frymë kjo e shtytur edhe më fuqishëm nga veglat dhe teknologjia e kohës siç është interneti dhe rrjetet sociale, që nga parimi hirerakik komunikimin e zbret të atë horizontal, kur nuk komunikohet nga (epi)qendra por nga periferia, kur hapësira virtuale dhe online platformat shtojnë mundësitë për akces deri te mesazhi, përfshirë edhe atë fetar. Si rrjedhim, hulumtimet sociologjike flasin për rënie të besimit te institucionet fetare qendrore. Justin McCarthy në një hulumtim të vetin tregon se në vitin 1975, 68% e amerikanëve kanë besuar fuqishëm te feja e organizuar. Gallup në vitin 1985 ka shpallur se feja e organizuar ka qenë institucioni më i besueshëm në shoqërinë amerikane. Por nga viti 2002 shpërfaqet një rënie në këtë drejtim, kështuqë në vitin 2019 besimi te institucioni fetar ka rënë në vetëm 36 %. (Newport, 2019) Nga 15 institucionet e analizuara në hulumtin e Gallup-it, feja ka gjetur vend aty nga mesi (besimi në qeverinë është më i ulëti ose afër nivelit më të ulët në histori). Kishat jodenominacionale, zakonisht me bazë lokale dhe jo të lidhura me ndonjë drejtim fetar kombëtar janë ndër agjentët me rritje më të shpejtë në Amerikë. Ndërkohë numër gjithnjë e më i madh i njerëzve angazhohen dhe antarësohen në ad hoc kisha, duke shlyer antarësinë nga institucionet fetare të vijës së mesme nga feja zyrtare. Gjithnjë e më tepër shtohet numri i jo-religjiozëve. Në vitin 2016 Linda Woodhead pati pohuar “se “jofeja është fe e re”. Shprehur me terminologjinë e sociologjisë së fesë, ky është një trend shekullarizues. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button