RMV, me kërkesë të Kinës, avansi për furnizimin e vaksinave kineze është tërhequr

Paqartësi rreth prokurimit dhe mbërritjes së vaksinave kineze pasi autoritetet e vendit tërhoqën avansin për marrjen e vaksinave me kërkesë të Kinës.

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi për Alsat se avansi për vaksinat kineze u tërhoq, por pohojnë se bëhet fjalë për harmonizime shtesë dhe jo për anulim të dërgesës. Marrëveshja me kompaninë kineze Sinofarm u nënshkrua në 8 shkurt ndërsa avansi u pagua katër ditë më vonë, më 12 shkurt, transmeton Alsat.

 Ministria e Shëndetësisë

“Avansi nga Ministria e Shëndetësisë për prokurimin e vaksinës Sinofarm, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze, u tërhoq për shkak të harmonizimit të dokumentacionit midis Ministrisë sonë të Jashtme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës. Bisedimet janë në fazën përfundimtare, nuk ka të bëjë me anulimin e kontratës, vaksinat kundër Covid 19 nga prodhuesi” Sinofarm “do të mbërrijnë në vendin tonë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Por, nga Ministria e shëndetësisë nuk saktësojnë cili është afati më i shkurtër i mundshëm, pasi afatet e dhëna më parë janë shkelur disa herë. Mbetet e paqartë gjithashtu pse autoritetet nuk mund t’u përgjigjen kërkesave të kompanive farmaceutike, që më në fund të mund të fillojë procesi i imunizimit.

“Çdo ditë ka pyetje të reja nga kompanitë dhe kjo vlen për të gjitha kompanitë. Informacionet dhe kërkesat arrijnë nga “Astra Zeneca” përmes mekanizmit Kovaks. Jemi akoma në pritje të draft marrëveshjes nga “Pfizer”. Po flasim në mënyrë intensive me kompaninë ruse këto ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe kuptohet me atë kineze. Kështu që, ditët në vijim besoj se do të jem në gjendje të them saktë se në cilën ditë do të mbërrijnë vaksinat”- deklaroi Venko Filipçe.

Qytetarët i prisnin vaksinat deri në fund të muajit, por megjithëse shkurti mbaron sot, përveç dhurimit të 8000 vaksinave nga Serbia, nuk kanë mbërritur as vaksinat kineze, as vaksinat Pfizer e as vaksinat nga mekanizmi Kovacs. Qeveria njoftonte qindra mijëra vaksina, përfshirë 800,000 doza nga Pfizer, 200,000 nga Sinofarm të Kinës, 833,000 përmes Kovacs dhe së fundmi 100,000 nga vaksina ruse Sputnik.

Deri më tani, në vend janë vaksinuar mbi 1500 mjekë nga qendrat- Kovid kurse ka doza për rivaksinimin e tyre. Ndërkohë, numri i rasteve po rritet, veçanërisht nën ndikimin e llojit britanik, kështu që numri i rasteve tani është mbi 8200 raste aktive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button