Arbnora Fejzi – Idrizi, për të tretën herë në Librin e Rekordeve Botërore Guinness (VIDEO)

Arbnora Fejzi – Idrizi është në qendër të vëmendjes ditëve të fundit. Ajo vjen nga Kosova dhe arriti të thejë Rekordin Guinness me stilin e saj të të bërit art, të quajtur origami. Origami është një art shumë i rrallë, ku nëpërmjet palosjes së letrës mund të krijosh forma të ndryshme. Me këtë lloj arti, Arbnora spikati për herë të tretë në Librin e Rekordeve Botërore Guinness, ku kësaj radhe theu rekordin me flamurin gjigant të  Kosovës, me përmasa prej 1.216 metra katror, shkruan Portalb.

Inspirimin për ta nisur një garë të këtillë Arbnora e mori nga institucioni privat që punonte si një edukatore dhe ligjëronte lëndën Punë Dore. Një prej teknikave që ua mësonte nxënësve të saj është edhe ajo e origamit. Sipas Arbnorës, kjo teknikë e artit ndihmon shumë në zhvillimin e inteligjencës dhe kreativitetit të fëmijës.

“Që kur isha edukatore, e pash se kjo teknikë arti merrte vëmendje të madhe te njerëzit, kur fillova të bëj shumë ekspozita dedikuar teknikës origami. Më pas, doja ta sfidoja veten më shumë në këtë sferë dhe vendosa të arrija rekordet.tha Arbnora.

Emri i Arbnorës u shënua për herë të tretë në Librin e Rekordeve Guinness. Hera e parë që ajo vendosi ta sfidojë veten për thyerje të rekordeve ishte para dy viteve, ku theu rekord me vazon më të madhe të ndërtuar prej letrave me teknikën origami. Ndërsa, rekordi i dytë kishte të bëjë me ndërtimin e lules më të madhe me teknikën origami. Kur bëhet fjalë për realizimin e flamurit gjigant të Kosovës, Arbnora tha:

“Fillimisht më duhej të punoj 127.400 letra me teknikën origami. Për t’i punuar gjithë këto letra unë punova katër muaj nga katër orë në ditë. Pastaj, për ta finalizuar gjithë projektin është dashur vetëm një ditë, ku kemi punuar 14 orë, me një staf të madh prej 25 nxënësve, katër profesorë dhe një menaxher arkitekt.” tha Fejzi.

Marrja e lajmit për thyerjen e një rekordi të ri në Guinness, për Arbnorën ishte një gëzim dhe emocion shumë i madh.  Këtë rekord ajo ia kushtoi pavarsisë së Kosovës.

Në fillim, për Arbnorën, thyerja e një rekordi Guinness dukej e pamundur, ndërsa tani ajo numëron tre rekorde në këtë libër. Mesazhi që Arbnora përcolli për të gjithë ata që një ditë duan ta sfidojnë veten për thyerje të rekordit Guinness është:

“Për të arritur një rezultat të mirë, duhet të kalosh nëpër shumë sfida. Por, sfidat mposhtini vetëm me shumë përkushtim dhe punë.Përmbylli Arbnora Fejzi – Idrizi.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button