fbpx

17 vjet nga vdekja e ish presidenti Boris Trajkovski, fjalët e fundit nga kutia e zezë: gaz gaz (VIDEO)

Sot do shënohet 17 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski, i cili humbi jetën në një aksident ajror në Rotmile në afërsi të Mostarit, njofton Portalb.mk.

Delegacioni i Qeverisë i përbërë nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska,  ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe zëvendësministrja për Ambient Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Hristina Oxhaklieska, vendosën kurorë me lule të freskët në varrin e presidentit Trajkovski në varrezat e qytetit “Butel” në Shkup.

Në monumentin e Presidentit Trajkovski në Strumicë, lule të freskëta vendosi delegacioni qeveritar, i përbërë nga ministri për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski dhe Koordinatori nacional për ndërkulturalizëm, një shoqëri, zhvillim të kulturës dhe bashkëpunim ndërsektorial, Robert Allagjozovski.

Në fatkeqësinë ajrore që ndodhi më 26 shkurt të vitit 2004 humbi jetën presidenti i Republikës së Maqedonisë Boris Trajkovski dhe delegacioni tetë-anëtarësh i Maqedonisë, i cili ka udhëtuar për në konferencë ndërkombëtare në Mostar të Bosnje dhe Hercegovinës..

Për fatkeqësinë e cila ndodhi në zonën e fshatit Huskoviq, në afërsi të Mostarit, për shkaqet e rënies së “Kingerit”, për atë nëse ka ndodhur fatkeqësi aeroplani apo ka qenë “terrorizëm”, prej atëherë e deri më tani janë kryer dy hetime dhe janë publikuar dy raporte, të dy komisioneve me të cilët kryesuan Sallko Begiq dhe Omer Kuliq, e në të cilët morën pjesë edhe ekspertë nga Maqedonia.

Aksidenti i avionit ne Mostar
Aksidenti i avionit ne Mostar

Në të dy raportet, të cilët dallojnë nga njëri-tjetri, megjithatë, si shkak për rënien e “Kingerit” ceken gabimet e pilotit dhe lëshime të tjera indirekte të sistemit.

Me kërkesë të Maqedonisë, me mbështetje nga eurodeputeti Andreas Gros, pas grumbullimit të dëshmive shtesë nga ana e MPB-së së Maqedonisë është hapur hetim i ri në janar të vitit 2013, të cilën e ka udhëhequr Kuliq.

Në raportin e parë si shkak kryesor për rrëzimin e “Kingerit” janë theksuar “gabime procedurale në periudhën e aterimit, për nga lartësia dhe nga vendi, në aeroportin në Mostar, në fluturim të kontrolluar”. Në raportin e dytë janë theksuar edhe lëshime sistematike, ndërsa është publikuar edhe transkripti i kutisë së zezë, respektivisht gjithë biseda mes pilotëve dhe biseda me kontrollin e fluturimit.

Shtatë procedura gjatë fluturimit nga ana e pilotëve dhe pesë gabime sistematike të institucioneve kompetente në Maqedoni dhe në BeH janë shkaqet për rrëzimin e “Kingerit”, qëndron në raportin e ri që e prezantoi Kuliq.

Pala maqedonase në tërësi i pranon konstatimet me propozimet shtesë, të cilat kanë të bëjnë me sistemin VOR, vetë procedura, kërkesa dhe shpëtimi pas rrëzimit të Kingerit dhe formulimi për lundrimin e fluturakes. Por, për palën maqedonase është e paqartë se pse është riorientuar lokacioni se ku të kërkohet aeroplani, edhe pse Kuliq thotë se kontrollori i fluturimit e ka ditur se ku është rrëzuar aeroplani.

Në fatkeqësinë ajrore krahas presidentit Boris Trajkovski, jetët i kanë humbur edhe zëdhënësja Dimka Ilkova-Boshkoviq, këshilltarët Risto Bllazhevski dhe Anita Krishan Llozanovska, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mile Kërstevski, truprojat Ace Bozhinovski dhe Boris Velinovski, si dhe piloti dhe bashkëpiloti Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.

Dëgjoni minutat e fundit të xhiruara në kutinë e zezë dhe pamjen grafike se si është rrëzuar “Kingeri” në Monstar:

Al Xhezira ka publikuar një dokumentar kushtuar momentit tragjik ku humbi  jetën ish kryetari i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski.

Dokumentari mban titullin “Lartësia e kobshme 524” dhe ka për qëllim që të bëhet përmbledhja më e plotë e tragjedisë ku humbi jetën presidenti Trajkovski dhe nëntë pasagjerë tjerë, thonë nga produksioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button