RMV, me vite mbahet peng zhvillimi i segmentit të Korridorit 8 që e lidh me Shqipërinë

Edhe pse Korridori 8 vlerësohet si jetik për ekonominë e RMV-së dhe më gjerë, zhvillimi dhe modernizimi i këtij korridori mbahet peng me vite të tëra. Për qasje në portin e Durrësit të Shqipërisë fqinje mjetet transportuese qarkullojnë nga Kosova, kjo alternativë vendit i humb mundësinë për të gjeneruar të ardhura nga mjetet transportuese për mallra që duhet të kalojnë nëpër Korridorin VIII, shkruan Portalb.mk.

Infrastruktura rrugore është esenciale për zhvillimin ekonomik të një vendi, prandaj edhe premtimet e politikaneve për ndërtimin e rrugëve janë ndër më të shpeshtat. Për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në Maqedoninë e Veriut, premtime ka shumë por realizimi i tyre lë edhe më shumë për të dëshiruar.

Rrjeti rrugor në Maqedoninë e Veriut në total përfshin 14.182 km, prej të cilave vetëm 242 km janë autostradë. Akset kryesore të rrjetit shtetëror rrugor janë të dy korridoret Panevropian, Korridori VIII (lindje-perëndim) dhe Korridor X (veri-jug).  Zhvillimi i rrjetit rrugor dallon në mënyrë drastike në dy Korridoret që kalojnë në vendin tonë. Përderisa Korridori X, nga veriu në jug kalon përmes autostradës A1, infrastruktura rrugore e Korridorit VIII, nga lindja në perëndim, nuk i plotëson aspak standardet e nevojshme për qarkullim.

Harta rrugore e Maqedonisë së Veriut- roads.org.mk

 Pse është i rëndësishëm Korridori VIII?

Rëndësia e Korridorit VIII është jetik për ekonominë e vendit pasi ju mundëson kompanive qasje në tregjet evropiane. Korridori VIII lidh Bullgarinë dhe Shqipërinë, pra lidh Detin Adriatik me Detin e Zi dhe në këtë mënyrë hap mundësi për realizimin e bizneseve të reja dhe qarkullimin më të lehtë të njerëzve, shërbimeve dhe mallrave, si një parakusht për ekonomi të shëndoshë dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi, në vendin tonë por edhe më gjerë në rajon. Megjithatë, qarkullimi në Korridorin VIII në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut zhvillohet në kushte jo të mira, me theks të veçantë në magjistralen Strugë-Qafë Thanë dhe autostradën në ndërtim e sipër Kërçovë-Ohër.

Edhe pse me vite të tëra premtohet ri-ndërtimi i magjistrales Strugë-Qafë Thanë, përveç arnimit të disa gropave kjo rrugë është e paprekur që nga koha e ish Jugosllavisë. Gjithashtu, ndërtimi i autostradës Kërçovë- Ohër zvarritet me vite të tëra duke u shkelur të gjitha afatet për përfundimin e kësaj rruge. Ndërsa, autostrada Tetovë – Gostivar ka asfalt të valëzuar dhe të dëmtuar, i cili është plot gropa dhe gunga. Në këto kushte, për qasje në portin e Durrësit mjetet transportuese qarkullojnë nga Kosova, kjo alternativë vendit i humb mundësinë për të gjeneruar të ardhura nga mjetet transportuese për mallra që duhet të kalojnë nëpër Korridorin VIII.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) vlerësojnë se infrastruktura e Korridorit VIII nuk është në nivelin e duhur dhe një gjë e tillë reflekton edhe në këmbimin tregtar mes RMV-së dhe Shqipërisë. Për OEMVP-n është paradoksal fakti që, sa i përket interesit ekonomik të vendit tonë me shtetet me të cilat kemi deficit të thellë tregtar, kemi infrastrukturë moderne ndërlidhëse me ato shtete.

“Mungesa e infrastrukturës adekuate, ndikon shumë jo vetëm në pjesën Jug-lindore të vendit por këtu duhet potencuar që edhe Pollogu është i ndikuar nga mos pasja e një infrastrukture adekuate. Këto regjione të kësaj pjese të vendit, kanë edhe nivel të ulët të eksportit, ku si pasojë e mungesës së terminaleve doganore dhe infrastrukturës adekuate, kompanive u paraqiten kosto shtesë për transport dhe eksport të mallrave. Regjioni i Pollogut në vlerën e përgjithshme të eksportit të vendit, merr pjesë me 2.3% ndërsa në import me vetëm 3%. Natyrisht se nga ky korridor pëson i tërë shteti, për shkak se Shqipëria paraqet një alternativë më të lirë me portin e saj në Durrës, ku në krahasim me portin e Selanikut është më afër dhe më i përshtatshëm për bizneset tona”, deklaroi Durim Zekiri, nga OEMVP.

Nga OEMVP shtojnë se nga shtetet fqinje, vetëm me Kosovën dhe Shqipërinë kemi bilanc pozitiv të këmbimit tregtar, dhe pikërisht me këto dy vende nuk e kemi modernizuar lidhjen rrugore.

Aksi Strugë-Qafë Thanë, pjesa më kritike e Korridorit VIII

Nga të gjitha segmentet rrugore që e përbëjnë Korridorin VIII, në gjendje më kritike duket se është rruga magjistrale Strugë-Qafë Thanë. Kjo është rruga kryesore që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë fqinje dhe mundëson qasje në portin e Durrësit. Gjendjen e rrugës në fjalë e shikoni në foto galerinë më poshtë:

This slideshow requires JavaScript.

Premtimet për zhvillimin dhe modernizimin e Korridorit VIII

Drejtori i NP “Rrugët shtetërore”, Ejup Rustemi, gjatë një interviste në TV21 deklaroi se deri në fund të 2025 gjithë Korridori VIII do të jetë gati. Sa i përket segmentit Strugë – Qafë Thanë, Rustemi premtoi se deri në nga mesi i muajit mars do të shpallet tenderimi për rehabilitimin e rrugës Podmol- Strugë – Qafë Thanë (Video, min. 26).

Për të verifikuar premtimin e drejtorit të NP “Rrugët Shtetërore” redaksia jonë më 23 mars pyeti në këtë institucion se kur do fillohet rehabilitimi i segmentit rrugor në fjalë, nga ky na u përgjigjen si më poshtë:

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju informojmë se dokumentacioni i projektit për rehabilitimin e seksionit Podmol – Strugë – Qafë Thanë është duke u shqyrtuar. Ndërmarrja Publike për Rrugët e Shtetit pret që ofertuesi më i favorshëm të zgjidhet në tremujorin e dytë. Rehabilitimi duhet të fillojë në tremujorin e tretë”, thanë ata.

Javë më parë ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, deklaroi për mediat se “qytetarët tanë që nga Qafë Thana e deri në Bllacë me Republikën e Kosovës apo edhe me kufijtë tjerë do të ngasin makinat e tyre nëpër një autostradë moderne”.

“Kemi lajm tejet pozitiv për qytetarët, në veçanti për Korridorin 8 sepse në mbledhjen e kaluar të qeverisë miratuam vendimin dhe programin vjetor për punën e NP “Rrugët Shtetërore” me ç’rast korridori 8 zgjidhet në formën e autostradës në tërë tërësinë e vetë, duke përfshirë një lentë të tretë të autostradës në rrugën Tetovë-Gostivar, lidhje me autostradë nga Gostivari në Kërçovë, zgjidhje me autostradë Kërçovë-Ohër dhe Ohër-Strugë-Qafë Thanë”, deklaroi Artan Grubi.

“Realizimi i projekteve infrastrukturore është thelbësore për rritjen e bashkëpunimit ekonomik” ishte theksi i takimit mes ministrit të Financave, Fatmir Besimi, dhe ambasadorit të Shqipërisë në vend Fatos Reka.

Në komunikatën zyrtare lëshuar nga Ministria e Financave në shtator të vitit të kaluar, theksohet: “Në takim u vu në dukje rëndësia e projekteve infrastrukturore siç janë drejtimi rrugor Strugë – Qafë Thanë, për të cilin muajin e ardhshëm duhet të shpallet tender për rikonstruimin dhe zgjerimin e plotë”.

E megjithatë, edhe përkundër premtimeve të reja se këtë vit do realizohen premtimet për zhvillimin e infrastrukturës rrugore pjesa më kritike e Korridorit VIII nuk figuron në projektet primareProgramin vjetor të NP “Rrugët Shtetërore”. Për vitin 2021 NP “Rrugët Shtetërore” ka planifikuar 1,642,000,000 denarë për ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin, rindërtimin, ndriçimin, sinjalizimin, pajisjet rrugore, urat, tunelet, rrëshqitjet e tokës. Me këto fonde do sigurohet pagesa për: Projekte të përfunduara por që pagesa duhet të bëhet gjatë vitit 2021; Projekte që vazhdojnë me realizimin; Projekte që do fillojnë në vitin 2021. Investimet në segmentin Strugë-Qafë Thanë nuk parashikohen në asnjërën nga këto kategori.

Në vijim të këtyre kategorive theksohet edhe kategoria se: Nëse sigurohen fonde në vitin 2021, planifikohet të fillojnë disa projekte (Mes të cilave ndërtimi i autostradës Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë).

Projekte që do fillojnë gjatë vitit 2021 nëse sigurohen fonde-programi vjetor i NP Rrugët shtetërore

LEXO më shumë rreth premtimeve të pa realizuara për rrugën magjistrale Strugë- Qafë Thanë: Gjitha premtimet për riparimin e plotë të rrugës së shkatërruar Strugë – Qafë Thanë mbeten fjalë boshe

Kush humb më shumë nga mungesa e infrastrukturës rrugore në Korridorin VIII?

Korridori VIII pan-Evropian duhet të shtrihet nga Varna në Bullgari deri në Durrës të Shqipërisë, me një gjatësi totale prej 1,350 km me linja të planifikuara rrugore dhe hekurudhore. Kështu, ekonomia e Maqedonisë së Veriut jo vetëm që do të ketë një përfitim të drejtpërdrejtë, por edhe një përfitim të tërthortë, si një tranzit i kamionëve nga tregtia midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, e cila në nivel vjetor arrin në 76 milion euro në importe dhe 80 milion euro në eksporte, afërsisht e barabartë me tregtinë me Maqedoninë e Veriut, theksohet mes tjerash në një raport të OEMVP-së.
Sipas të dhënave të publikuar në katalogun e OEMVP-së për vitin 2020,me përfundimin e ndërtimit të Korridorit VIII, tregtia (importi dhe eksporti) e produkteve vetëm midis Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë është afërsisht 1 miliard euro në vit. Lidhja e ndërmarrjeve të Maqedonisë së Veriut me portin në Durrës është gjithashtu një nga përfitimet kryesore të vendit. Në mungesë të infrastrukturës së duhur rrugore transporti aktual kah Durrësi kryhet përmes Kosovës (dhe rrugët e reja në Kosovë dhe Shqipëri), si pasojë e kësaj ekonomia e Maqedonisë së Veriut humb mundësinë e pagesës për tranzitin e automjeteve përgjatë itinerarit. Ndikimet e infrastrukturës së dobët rrugore përgjatë Korridorit VIII mundet të vërehen edhe në tabelën e më poshtme:
Shkëmbimi tregtar midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shteteve fqinje
Shkëmbimi tregtar midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shteteve fqinje
Burimi: Enti Shtetëror për Statistika/OEMVP
Importi total: 8,43 miliardë euro
Eksporti total: 6,42 miliardë euro 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button