Shumë pyetje mbetën pa përgjigje për arratisjen dhe “dorëzimin” e Mijallkovit

Nuk mund të mos themi se situata lë përshtypje të keqe, para së gjithash në aspektin e koordinimit dhe komunikimit të organeve kompetente mes vete, si dhe në cilësinë, saktësinë dhe konzistencën e informatave të cilat ndahen me opinionin, kështu ka komentuar për Portalb.mk Natali Petrovska nga Koalicioni Të Gjithë për Gjykime të Drejta,  situatën e krijuar ditëve të fundit me zhdukjen dhe shfaqjen e ish shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov.

Ajo tha se, mbeten shumë pyetje të pa përgjigjura për mënyrën  e shkëmbimit të informata nga ana e prokurorëve publik dhe policisë, koordinimi i vet prokurorëve në prokurori, efikasiteti i policisë në zbatimin e masave dhe aktiviteteve operative, por edhe pyetje rreth komunikimit direkt të prokurorëve me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Natali Petrovska
Natali Petrovska

“Në opinion madje u shpërndanë edhe informata kontradiktore nga ana e organeve kompetente, që në kombinim me pyetjet e pa përgjigjura, fatkeqësisht lë përshtypje se në shtet nuk janë arritur ende nivele të mjaftueshme të barazisë para ligjeve, si dhe mungesë të profesionalizmit, llogaridhënies dhe përgjegjësi nga ana e personave kompetent. Një praktikë e këtillë lë hapësirë për dyshime të trajtimin jo të njëjtë të të akuzuarve në procedurat penale. Me këtë ndërlidhet edhe mënyrë dhe efikasitet me të cilën policia i zbaton masat më të lehta, sepse në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, të akuzuarit kanë arritur të arratisen në shtet tjetër, edhe pse të njëjtëve u ishin marrë dokumentet e udhëtimit”, deklaroi ajo.

Duke komentuar vendimin për paraburgim për Mijallkovin, ajo tha se, masa për paraburgim shtëpiak është në thelb privim efektiv nga liria, njëjtë sikurse edhe masa paraburgim, me atë dallim që i akuzuari apo i dyshuari ndaj të cilit është caktuar masa, të njëjtën e zbaton në shtëpinë e tij, në vend se në repartet e paraburgimit në burgje.

“Ajo do të thotë se paraburgimi shtëpiak caktohet në rastet kur janë përmbushur kushtet për shqiptimin e paraburgimit, por ekzistojnë rrethana të caktuara për të cilat supozohet se masa do t’i arrijë efektet e dëshiruara edhe nëse persona e mban në shtëpi. Megjithatë, në rastin konkret vendimi për përcaktimin e masës nuk është publikuar publikisht dhe nuk dihen arsyetimet për të cilat është përcaktuar pikërisht kjo masë dhe më tej nuk mund të jepet asnjë koment nëse masa e njëjtë është e arsyeshme ose jo. Ajo që mundet në mënyrë potenciale që të ndikojë në ndryshim të situatës është ankesa për vendimin për paraburgim shtëpiak apo dorëzimi i kërkesës së re, pasi personi në ndërkohë nuk ka qenë i kapshëm, që është rrethanë e re e cila duhet të vlerësohet nga gjykata në drejtim të asaj nëse paraburgimi shtëpiak do t’i jep efektet e dëshiruara, përkatësisht do të pamundësojë arratisjen e personit”, tha ajo

Ish kryeshefi i DSK-së, Sasho Mijallkov i cili tri ditë u kërkua nga autoritetet, dje u paraqit papritmas në Prokurori në Shkup të merr vendimin për arrestin shtëpiak.

Ai tha se ka qenë i sëmurë dhe se nuk është arratisur, siç u njoftua në opinion. Ai për TV24, tha se nuk do të arratiset asnjëherë por nuk tregoi se ku ka qenë konkretisht.

“Për fat të keq dje isha shumë i sëmurë, me temperaturë mbi 40”, deklaroi Mijallkov duke theksuar që ishte i izoluar për shkak të simptomave të virusit korona dhe prandaj “nuk kanë mundur ta gjejnë”.

Ruskoska: Do të mendohemi nëse do të kërkojmë paraburgim në burg

Pasi u paraqit vet në orën 17 në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Mijallkov ka qëndruar aty 2 orë e gjysmë dhe më pas, ka shkuar në shtëpi i shoqëruar me polici.

Prokuroria e ka tërhequr ankesës, pas çka mbetet në fuqi masa më e lehtë, e caktuar të dielën në mbrëmje nga këshilli tre anëtarësh në Gjykatën Themelore Penale Shkup. Sipas prokurores për krim të organizuar, Villma Ruskoska, ankesa në Apel është tërhequr para se të paraqitet Mijallkov, pasi me sugjestion të kryetarit të Gjykatës Themelore Penale, nëse prokuroria është e pakënaqur nga masa paraburgim shtëpiak, duhet të dorëzohet propozim i ri, për paraburgim efektiv.

Ruskoska mbrëmë tha se, Mijallkov fillimisht është paraqitur te ajo për të pyetur nëse mund të paraqitet në prokurori.

Vilma Ruskoska - Foto Portalb.mk
Vilma Ruskoska – Foto Portalb.mk

“Jam konsultuar me prokurorin publik nëse duhet të paraqitet në polici. Ai tha se mund të paraqitet edhe te ne. Aq sa kam njohuri nga biseda me kryetarin e gjykatës, vet kryetari në orët e paradites ka kërkuar që ankesa të tërhiqet sepse deri atëherë vendimi nuk është zbatuar. Të mos humbet kohë dhe të dorëzohet kërkesë për masën e paraburgimit. Edhe Jovevski është pajtuar. Do të mendohemi nëse do të kërkojmë paraburgim në burg. Gjatë bisedës me avokatin e tij, konstatuam se ka bërë gabim që nuk është paraqitur dhe nuk ka pranuar vendimin. Absolutisht nuk besoj se ka qenë i sëmurë”, tha Ruskoska.

Qeveria pretendon se “kthimi” i Mijallkovit është rezultat i aktiviteteve të tyre për kapjen e tij.

Zoran Zaev

Kryeministri Zoran Zaev, mbrëmë ka mbajtur një konferencë për media pas shfaqjes së Mijallkovit, ku ka thënë se, drejtësia është siguruar dhe do ta këtë më shpesh dhe më shumë dhe do të vijojë një përgjigje e këtillë kur dikush dëshiron të luajë me drejtësinë.

“Në 40 orët e kaluara kemi ndërmarrë masa të rregullta dhe të jashtëzakonshme, me aksionin kemi koordinuar unë dhe Sasho Mijallkov nuk kishte opsion tjetër, përpos që të shfaqet. Ishin eliminuar të gjitha mundësitë që ta lëshojë shtetin. U shmangën rreziqe të reja potenciale. Paraqitja e tij nuk duhet të konsiderohet si rrethanë lehtësuese dhe nuk duhet të harrohet se Mijallkov fillimisht është arratisur”, deklaroi Zaev.

Hristijan Mickoski - VMRO-DPMNE
Hristijan Mickoski – VMRO-DPMNE

Ndërkohë, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski duke komentuar situatën e krijuar tha se, “ky është një cirk, kanë bërë cirk me shtetin”, duke theksuar se kryeministri po i gënjen qytetarët duke i shikuar në sy qytetarët.

“Këta po tallen, në periudhën kur mafia po udhëheqë. Sot u bë e qartë për çdo qytetar, se ka marrëveshje. Fillimisht marrëveshje për ikje, pastaj për t’u kthyer. Ky është një ofendim për policinë, gjykatën, prokurorinë dhe qeverinë”, deklaroi Mickoski.

Reagimet e opinionit

Pas kësaj kanë shpërthyer edhe reagimet e opinionit, të cilët kanë ironizuar me situatën e krijuar.

Këto janë disa nga reagimet që kanë bërë qytetarët në rrjetin social Twitter.

“Të mos sëmuret njeriu, menjëherë do të lëshojnë fletë arrest ndërkombëtar”.

“Ua keni marrë bukën aktorëve në teatër”.

“Isha i sëmurë mësuese”.

Reagime ka pasur edhe nga ana e opinionit shqiptar, në rrjetin social Facebook.

Ndryshe, që të dielën 21 shkurt, u përhap informata se Mijallkovi është arratisur pasi që ai ishte i pakapshëm për policinë, pak para se gjykata ta shpallë aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa” në të cilin ai është i dyshuar se e ka kryer përgjimin masiv në RMV. MPB madje e nxori me fotografi dhe biografi të shkurtër në tablonë e personave që kërkohen me fletë-arrest të brendshëm dhe ndërkombëtar. 

Gjatë gjithë kësaj kohe as policia dhe as prokuroria nuk morën përgjegjësi për punë joprofesionale. Kryeprokurorja Vilma Ruskoska thoshte se dyshon se dikush i ka ndihmuar Mijallkovit, pasi policia ka qenë duke e vëzhguar atë dhe ka pasur kontakt vizual, deri pak para arratisjes. Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në paraqitjen e tij për media tha se nuk ndjen përgjegjësi për këtë ndodhi.

Reagime të shumta për arratisjen e tij ka pasur si nga qytetarët nëpër rrjetet sociale, por edhe nga kryeministri e presidenti. U kërkua përgjegjësi, por ende nuk është gjetur përgjegjësia për kushëririn e Mijallkovit, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia e Veriut në Hungari, për t’i shpëtuar burgut.

Mijallkov akuzohet në rastin “Target-Fortesa” 

Të akuzuarit në rastin Target-Fortesa janë, Sasho Mijallkov, ish-ministrja e Brendshëm, Gordana Jankulloska dhe disa punonjës të ish-DSK-së të cilët akuzohen për përgjime të paligjshme të mbi katër mijë numrave telefonikë midis viteve 2008-2015. 

Në fjalët përfundimtare, dy prokurorët kërkuan pesë vite dënim për përgjegjësit e përgjimeve të paligjshme dhe pesë vite dënim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për të akuzuarit e rastit.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, 4,286 numra telefoni janë ndjekur në mënyrë të paligjshme për të cilat nuk janë lëshuar fare urdhëresa gjyqësore.

Komunikimi ishte ndjekur para se të lëshoheshin dhe pas skadimit të vlefshmërisë së urdhrave të gjykatës në 1,541 numra ose gjithsej 5,827 numra telefoni. Të përgjuar ishin mbi 20 mijë qytetarë.

Mijallkov, në dëshminë e tij të parë pretendonte se nuk ka asnjë provë se mijëra bisedat e regjistruara janë nga Drejtoria dhe se përgjimet janë realizuar atje. Ai pretendoi se shumë lehtë përgjimi ka mund të bëhej jashtë sistemeve të DSK-së. Me datë 26 shkurt 2021 gjykata do ta shqiptojë aktgjykimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button