GODITJET

Leka e lëvizi pak çekmexhenë dhe hipi mbi të që ta mbërrijë shportën me bukë, të cilën e mbanin varur me një sixhim për tavanin e dhomës së ndenjës. E ruanin kështu bukën prej minjve të cilët asokohe thjeshtë bënin invazion , duke prekur e duke grirë gjithçka që gjenin. Ndërkohë  në dhomë  kishte hyrë njerka e babait të Lekës, që duhej t’i binte se ishte gjyshja e tij, por që nuk u bë e tillë kurrë.  Kur e pa se Leka s’e arrin dot shportën, ajo nuk e ndihmoi, por iu  drejtua me një zë kërcënues.

“O ti, çfarë dreqin po kërkon aty”? nuk ia përmendi emrin Lekës.

“Ta marr një copë bukë”, iu përgjigj djaloshi. “Do të shkoj t’i kullos lopën dhe mështjerrën për mëngjesi se këtë javë kemi mësim pasdite”.

“S’ka nevojë të bësh rrëmujë këtu, o dreq! Ke mundur të kërkosh bukë prej meje…”! Ajo iu afrua djaloshit të befasuar duke murmuritur.  Pasoi një shpullë e rrufeshme në qafën e Lekës që ia dha njerka-gjyshe. Djaloshi njëmbëdhjetëvjeçar as vet nuk e kuptoi si u gjet në këmbë në qosh të dhomës pas asaj shpulle. Iu desh një kohë të vinte në vete që ta shohë a ishte ende aty njerka-gjyshe, apo do të ketë shkuar e kënaqur pasi ia dha shuplakën. Me duart lidhur kryq në kraharor, ajo ishte aty, para tij dhe e shikonte. Në sytë  e saj lexohej lehtë urrejtja dhe kënaqësia që e kishte ndëshkuar si ndonjë hajn, kurse prej syve të djalit rridhnin lot të nxehtë, rrokulliseshin qafës dhe e lagnin këmishën e tij të pambuktë të cilën  ia kishte qepur gjyshja e vërtetë, nëna e nënës së tij. Ishte një këmishë e bërë prej një thesi nga ata që SHBA-të  i dërgonin me ndihma ushqimore e veshmbathje në ditët e vështira.  Lekës i pëlqente shumë ajo këmishë edhe për shkak të pëlhurës që e quanim amerikë, për shkak të vendit nga vinte dhe për shkak dy fjalëve të shkruara me shkronja të mëdha e të kuqe Safety match, që djali nuk i kuptonte, por që i dukeshin si lara të rralla magjike të ardhura nga largësia e pakapshme dhe të cilat thuajse i tregonin botës se Leka kishte një këmishë të veçantë.

Njerka-gjyshe i lëshoi duart, pastaj iu ngërmua:

“Ku the se do të shkoje”?!…

“T’i kullos Larën dhe Kuqen”! i tha djaloshi.

Ajo nuk ia vari përgjigjes së Lekës. Iu afrua përsëri djaloshit. E shtriu kah ai dorën e saj me gishta të gjatë dhe e pyeti me një ton ironik:

“Çfarë janë këto”?

“Fije kashte…” i tha djaloshi i ndrojtur.

“Fije kashte, a?… Fije kashte… të kashtës së thekrës… E shoh unë se tambli më shteret çdo ditë në kusi… Paskan qenë këto fije të mallkuara të kashtës së thekrës që po e thithkan tamblin si bolla lopën në blerinë! O, dreq”! bërtiti gjyshja njerkë. Leka duke menduar se do të pasonte shpulla  tjetër, e uli kokën dhe i mbylli sytë. Ndërkohë ajo ia ngjiti për jake dhe e tërhoq fuqishëm. Këmisha prej amerike u dorëzua para gishtave të saj të fortë të një gruaje pesëdhjetëvjeçare: u gris. Ashtu gjyshja njerkë e tërhoqi  Lekën deri te dritarja dhe i tha:  “Shiko”!  Leka i hapi sytë dhe në shuplakën e saj i pa fijet e kashtës së thekrës, me të cilat djaloshi pinte ndonjëherë qumësht nga kusia, ngase ndryshe nuk do ta shijonte kurrë tamblin e Larës që vet e kulloste. Leka heshti. “I gjeta këto fije kashte në strajcën tënde të shkollës”! i tha gjyshja njerkë. “Dreq”! u çor edhe një herë ajo dhe shtoi: “Në vend se t’i mbash në strajcë ato fletore dreqi të mbushura me vija si  këmbë pule që i shkruan, ti dreq në këtë strajcë mban fije të kashtës së thekrës. Ah, bolla e vogël”! Pastaj ajo doli duke e porositur djalin ta priste aty. Shpejt u kthye me strajcën në dorë dhe ia hodhi Lekës: “Merre këtë strajcë dreqi  dhe thyej qafën me të në shkollë”!

“Sot është festë. Nuk kemi mësim”! e mori guximin t’i thoshte Leka. “Unë u bëra gati të shkoj t’i kullos Larën dhe Kuqen për mëngjesi.

“Nuk do të shkosh më t’i kullosësh as Larën e as Kuqen kurrë  më”!

“Pse”? pyeti djaloshi.

“Shiko nga dritarja e do të shohësh”! i tha ajo. Pastaj i ndrydhi  fijet e kashtës të cilat të thata siç ishin u bluan në grushtin e saj. “A po sheh”?! i tha ajo duke shkundur duart.

“Jo”, i tha Leka që nga frika nuk shihte  gjë.

“Mos më shiko mua si viç, por shiko nën hajatin e mashnës ku i mbajmë lidhur lopën Larë e mështjerrën Kuqe! A po sheh diçka tash”? Leka e pa se lopa dhe mështjerra nuk ishin aty ku i mbanim lidhur.  “A s’po pyet ku janë, o dreq”?! shtoi gjyshja njerkë.

Leka ashtu i tronditur nga shpulla dhe nga këmisha e tij e dashur që iu gris i përsëriti dy fjalët e fundit të pyetjes së saj:

“Ku janë”…

“Epo nuk ka lopë!… Nuk ka as mështjerrë!… Nuk ka sepse ka ardhur i ka marrë porezniku. Tash e tutje nuk do të kesh nevojë për kashta thekre”! tha ajo duke bërë me gisht kah copëzat e thërrmuar të kashtës derdhur në qilim.

Shpulla që e hëngër, këmisha që iu gris dhe përfundimisht edhe goditja e fundit që mori – humbjen e lopës e të mështjerrës të cilat ia krijonin mundësinë ta shijojë ndonjëherë ëmbëlsinë e tamblit, pastaj edhe të dalë e të shoqërohet me fëmijët tjerë në blerinat e fshatit, u bënë tepër. Përsëri nisën t’i rrjedhin lotët që shpejt treteshin në mëngët e këmishës prej amerike me të cilat i fshinte pa kontroll. Pastaj e mblodhi pak veten aq sa mundet të përqendrohet një njëmbëdhjetëvjeçar pas dhunës që ushtrohet mbi të dhe e ktheu kryet kah vendi  ku duhej të ishte njerka-gjyshe. Ajo, s’ishte aty. Dera e dhomës kishte mbetur hapur. Pastaj shikoi nga dritarja. Tash e pa mirë zbrazëtirën që kishte krijuar mungesa e Larës dhe Kuqes. Djalit iu shtua edhe një e papritur e keqe. Doli nga dhoma në çardak duke mos e hetuar se strajcën e shkollës e kishte në dorën e djathtë. Ngadalë zbriste shkallëve të drunjta thuajse të kalbura poshtë, në lëmë. I hodhi një shikim lëmës, kopshtit dhe e ndjeu heshtjen e thellë që vjen pas rasteve të rënda që i përjeton njeriu. Në ato çaste as harabelat nuk këndonin e as dallëndyshet nuk e luanin baletin e tyre magjik nën strehët e shtëpisë. Pastaj për çudi te rrënjët e qershisë përballë hajatit e pa gjyshin i cili ishte ulur aty dhe po pinte duhan.

“Gjysh”!… iu drejtua Leka. Deshi ta pyesë se çfarë kishte ndodhur, por ai nuk ia dha mundësinë që djaloshi të thoshte  ndonjë fjalë tjetër.

“Hajt, shko luaj me fëmijët! i tha ftohtë gjyshi duke ia treguar derën e madhe me dorën e djathtë në të cilën midis gishtit tregues dhe gishtit të mesëm të skuqur nga nikotina e mbante cigaren.

Leka doli, po barra që iu hodh në shpinën e njomë nuk mbahej dot: shuplaka e gjyshes-njerkë, këmisha ime e grisur, lopa dhe mështjerra të cilat i kishte marrë porezniku i mallkuar…  Ecte kot rrugëve të fshatit. E kërkonte fijen dhe shkakun e goditjeve që mori përnjëherë kur ishte i përgatitur me gëzim të shkonte ta kullosë lopën dhe mështjerrën në fushë, ku ose do të lexonte  librin me këngë popullore që s’e hiqte nga strajca ose do të luante me fëmijët.

A thua e shihte këtë hata nëna ime nga parajsa? mendonte Leka. Dhe, përsëri e pushtoi një vaj i hidhur.

Nga mesi i fshatit ku po afrohej vinin gazi dhe zhurma e fëmijëve. Sa të lumtur që janë të gjithë! Ngadalë u përbirua nëpër grumbullin e fëmijëve. Në një kënd të sheshit ishte një shkëmb që ishte i prerë e dukej si një divan i madh e për të cilin thoshin se e ka prerë Skënderbeu kur ka kaluar nëpër fshat duke u kthyer nga Nishi në rrugë për në Krujë. Aty u ul dhe i dha liri vajit në qetësi. Qau, qau dhe dikur i fshiu lotët me mëngët e këmishës së grisur. Pastaj duke i parë fëmijët që ishin të gëzuar vendosi që vetë ta kërkojë shtegun e gëzimit e të dalë nga errësira që e kishte kapluar atë në këtë ditë që nuk harrohet. U ngrit. I fshiu lotët përsëri. Pastaj po i shikonte në vetmi fëmijët që po luanin dhe kalimtarët që shkonin në punë të vet.

Çudi si s’më thirri asnjë fëmijë t’u bashkohem atyre në lojë! mendoi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button