Gastronomët, muzikantët dhe kameramanët sot protestuan në Gostivar: Përderisa kazinot punojnë, mundemi edhe ne (VIDEO)

Gastronomet, muzikantët, pronarët e lokaleve, kameramanët dhe të tjerë sot kanë protestuar në sheshin e Gostivarit dhe në Shkup kundër masave të Kovid-19 të cilat pamundësojnë punën e tyre. “Përderisa kazinot punojnë, logjikisht mundet edhe për ne të krijohet një protokoll i veçantë” tha një prej muzikantëve protestues sot në Gostivar. Të njëjtit, paralajmëruan vazhdimin e protestave. Bekteshi, inkurajon protestat por jo edhe ultimatumet, shkruan Portalb.mk.

Nga ora 14:00 sot ka qenë ditë proteste për të gjithë palët e interesuara në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht në Gostivar dhe Shkup, të cilëve sezoni i punës që kryesisht është gjatë stinës së verës, ju ka ardhur në prag të derës.

Një prej pronarëve të një lokali për dasma kërkoi që Qeveria e RMV-së dhe institucionet tjera kompetente të angazhohen për të krijuar një protokoll të veçantë për mbajtjen e dasmave, ai shtoi se përderisa kazinot punojnë, me masa të veçanta mundet edhe këta të fundit.

Protestues, Gostivar.
Protestues, Gostivar.

“Jemi duke protestuar sot për interesat e të gjithë qytetarëve të RMV-së, kemi nevojë për tu hap restorantet dhe të punojnë njerëzit. Kjo për shkak se shumë njerëz janë larguar nga puna për shkak të pandemisë, kërkojmë me forcë që të bëhet një protokoll për restorantet, të bëhet një protokoll për dasmat dhe gjithçka tjetër. Përderisa kazinot mund të rrinë 24 orë hapur edhe të stërmbushur me njerëz, që nuk dihet se nga janë, mundet edhe për dasmat të miratohet një protokoll të paktën restorantet tona janë me hapësirë prej mbi 500 ose 600 metër katror, mundet lirisht të mbahen organizime me 200 persona, shumica e rasteve janë krejt familjar, kështu që infektimi më i vogël mund të jetë aty se sa diku tjetër ku mblidhen njerëzit në vende publike” tha ai, videon mund ta ndiqni duke klikuar KËTU.

Ai shtoi se të njëjtit do të vazhdojnë me protestat e tyre derisa kërkesat të ju pranohen dhe të ju mundësohet kryerja e veprimtarisë së tyre.

Protestues, Gostivar.
Protestues, Gostivar.

Nga ana tjetër, një prej muzikantëve në protestë, për Portalb.mk theksoi se nga fillimi i pandemisë deri sot janë përballur me shumë humbje financiare, duke shtuar se nuk dihet a do të mund të përballohet edhe një sezone në minus.

“Ne merremi me muzikë, këtë vit nuk kemi punuar. Kemi humbur shumë financiarisht. Kërkojmë që si çdo biznes të hapet edhe biznesi jonë, kur mundet kazinot dhe çdokush tjetër të punoje, mundemi edhe ne që varemi prej kësaj pune” tha ai.

Të punojmë të gjithë ose të mos punoje askush, tha një prej fotografëve duke potencuar se askush deri sot nuk ju ka bë problem objekteve për lojëra të fatit, ndërsa po bëhet një vit që ligjërisht nuk ju lejohet puna bizneseve tjera.

“Këtë protestë e kemi bë fotografët, gastronomet, muzikantët, kameramanët dhe të gjithë ata që e shohim se po vuajmë për gjëra të kota. Kazinot mund të punojnë kurse ne jo, kjo nuk është në rregull, virusi është edhe në kazino ose gjithkund tjetër. O do të punojmë të gjithë, o do ketë protesta në vazhdimësi” tha një prej protestuesve, që me profesion është fotograf.

Gastronomet dhe pronarët e lokaleve, protestuan edhe në Shkup

Një prej protestuesve në Shkup theksoi se nuk është e logjikshme që kompanive të cilat bartin udhëtarët të ndihmohen për shkak të “kufizimit së punës së tyre” ndërsa kjo të mos ndodhe me gastronomet, të cilët për të njëjtën arsye nuk punojnë siç duhet.

“Kryeministri Zaev, kur prezantoi paketën e 5 të masave, në masën me numër 8 prezantoi ndihmë prej 1,3 milion euro për kompanitë e transportit të udhëtarëve të cilat kanë 50% të ardhura më pak se vitin e kaluar, për shkak se siç tha ai – po e parafrazoj, shteti drejtpërdrejt i limitoi përmes masave parandaluese punën e tyre. Pse, te ne a është situata ndryshe? Ne kemi kufizim në aktivitetin tonë, ne n kemi ndalesë për kryerjen e veprimtarisë tonë primare për të cilën jemi hapur si objekte dhe në qoftë se punojmë, përgjigjemi penalisht” tha një prej protestuesve në Shkup.

Bekteshi: Ju inkurajoj të protestoni, por jo të jepni ultimatume

Kreshnik Bekteshi

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i rikujtoi pronarët e lokaleve se thuajse tetë muaj, Qeveria e RMV-së paguan pagat për punonjësit e lokaleve dhe se në pakon e pestë të masave gjithashtu janë përfshirë këta të fundit.

Ai në fund potencoi se protestat janë të mirëseardhura madje i inkurajoi ata, megjithatë, shtoi se nuk janë të pranueshme “ultimatumet”.

“Nuk pajtohem me ultimatumet që na dërguan, ndërsa do të inkurajoja qytetarët që të shprehin mendimin e tyre në mënyrë demokratike ashtu si janë edhe protestat. Ne do të jemi këtu si Qeveri të ndihmojmë qytetarët dhe bizneset me qëllim që të kalojmë pandeminë me pasoja më të vogla” tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ndryshe, kryeministri, Zoran Zaev tre ditë më herët prezantoi pakon e pestë të masave ekonomike, në vlerë prej 9,7 miliardë denarë apo 160 milionë euro dhe përmban 29 masa të cilët janë përfshirë në 4 shtylla kryesore: mbështetje financiare direkte për kompanitë në turizëm, zejtari, hotelieri, transport, mbështetje direkte financiare për organizimin e ngjarjeve me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës, mbështetje financiare për likuiditetin e sektorit privat me kredi pa kamata me komponentë të pakthyeshme, etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button