Emigrimi: simptom ballkanik

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Sipas të dhënave të Atlasit të emigrimit të BE 2020, emigrimi nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE është thuajse 3 milionë njerëz– më saktë 2.990.000. Në BЕ me leje valide për qëndrim në fund të vitit 2019 ka pasur mbi 2.400.000 persona nga Ballkani Perëndimor. Për 60.000 persona afërsisht, në vitin 2019 është konstatuar që kanë qëndruar në mënyrë të paligjshme, por kësaj gjithsesi duhet t’i shtohet edhe “shifra informale” e qëndrimeve ilegale të pazbuluara. Dallimet ndërmjet shteteve të rajonit janë të mëdha – ndërsa më së shumti emigrantë në BE kanë Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina (mbi 950.000), bindshëm më së paku ka Mali i Zi – 58.000 (ndërkaq ky shtet tërheq më së shumti imigrantë, krahasuar me numrin e popullatës). Maqedonia ka 247.000 emigrantë në BE, ndërsa Serbiа – 724.000. Megjithatë, për dallim nga shtetet tjera në rajon nga të cilat shpërngulja është më së shumti e orientuar drejt BE-së (për shembull, Shqipëria) sipas të dhënave statistikore të Kombeve të Bashkuara, vetëm një e treta e emigrantëve nga Maqedonia nisen për në BE. Sipas burimit të njëjtë, më shumë se një e treta e popullatës së rajonit ka emigruar.

Ajo që shqetëson më së shumti është që trendi vazhdon. Për shembull, numri i lejeve të lëshuara për qëndrim të personave nga rajoni në BE nga 2011-2012 e këtej rritet gjithnjë dhe për atë periudhë tre vjeçare (2016 -2019) është zmadhuar pothuaj për tre herë. Vazhdimisht rritet edhe numri i lejeve të lëshuar me arsye – punë (përkundër, për shembull, shkaqe familjare). Sipas barometrit Ballkanik të Këshillit rajonal për bashkëpunim, 43% e të intervistuarve në rajon do të mendonin për të jetuar dhe punuar jashtë vendit, ndërsa 39% prej tyre në mënyrë aktive i shqyrtojnë mundësitë për këtë ose janë në fazë të përgatitjeve për t’u larguar.

Arsye tjetër për shqetësim është struktura e emigrantëve nga rajoni. Sipas analizës së Institutit të Vjenës për studime ndërkombëtare ekonomike nga viti 2018, pjesa më e madhe është  popullatë e re edhe atë 30-40% me kualifikime të larta. Rreth një e treta janë me kualifikime të ulëta, ndërsa pjesë më e vogël me kualifikime të mesme. Pasojat, veçanërisht nga emigrimi i kuadrove me kualifikime të larta janë shumë të mëdha. Alarmues është emigrimi i kuadrit shëndetësor, në arsimimin e të cilit shtetet e rajonit kanë investuar mjete të konsiderueshme.

Krahas asaj që motivi kryesor i shpërnguljes është ekonomik – punësim, pagë më e lartë dhe standard më i mirë jetësor, gjithnjë e më shumë si shkak për shpërnguljen përmenden edhe gjendjet e përgjithshme të mungesës së perspektivës, zhgënjimit nga mënyra e qeverisjes dhe nga institucionet, si dhe nga sistemi arsimor dhe shëndetësor.

Duket sikur asnjë shtet në rajon nuk ka përgjigje efektive për problemin. Pritja që vet procesi i aderimit në BE do të kontribuojë për zvogëlimin e emigrimit të mendjeve nuk është reale. Përkundrazi, përvojat e deritanishme tregojnë të kundërtën. Shtetet anëtare të BE-së, ndërkaq kuptohet edhe shtetet tjera të zhvilluara dëshirojnë të tërheqin numër sa më të lartë të fuqisë së punës të kualifikuar nga jashtë, që vetëm do ta zmadhojë rrezikun nga largimi i mendjeve nga Ballkani. Mbase ekspertët e Bankës Botërore me të drejtë konstatojnë që emigrimi është më tepër simptomë, se sa shkak. Së këtejmi, zgjidhjet afatgjata shihen në zgjidhjen e shkaqeve themelore për emigrim: krijim i vendeve të punës, stimulim i kuadrove të nevojshme në arsim të lartë, arsimim më cilësor dhe shërbime publike në përgjithësi, qeverisje e mirë dhe institucione… Stimulimi i të ashtuquajturit migrim qarkullues është një nga masat e mundshme shtesë që sugjerohen, mirëpo, kjo vetvetiu nuk mund ta zgjidhë problemin.

Shumë pak persona në shtet e kanë të njohur që Maqedonia ka pasur “Strategji nacionale për rrjetëzim, bashkëpunim dhe reduktim të emigrimit të kuadrove profesionale e me arsim të lartë 2013 – 2020”. Pa u futur në vlerësimin e cilësisë së saj, do të themi që analiza e zbatimit të saj, e përgatitur nga Rrjeti joqeveritar për parandalim të emigrimit të mendjeve tregon që janë zbatuar vetëm 11% e masave të parapara në atë. Shembull i mirë, sa për fillim, do të ishte që institucionet kompetente të bëjnë vlerësimin e këtij dokumenti dhe zbatimin e vet, para se t’i qasen përgatitjes së dokumenteve të reja të ngjashme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button