Arbin Rushiti, basketbollisti nga Shkupi që synon NBA-në (VIDEO)

Arbin Rushiti është një basketbollist nga Shkupi i cili me këtë sport merret tashmë 12 vite. Në këtë rrugëtim të tij, familja ka qenë përkrahja dhe motivi më i madh, gjithmonë për të vazhduar më tej. I intervistuar nga Portalb ai trego për pjesëmarrjet e tij nëpër turne të ndryshme evropiane mes të cilave e veçonte turneun në Vjenë të Austrisë, si dhe synimet e tij në të ardhmen për të arritur majat e basketbollit evropian dhe botëror. Mesazhi i tij për të rinjtë ishte të punojnë fortë dhe mos të dorëzohen sepse suksesi ka për të ardhur.

Arbin Rushiti, basketbollist

Kur keni filluar të merreni me sportin e basketbollit?
Me basketboll kam filluar që nga mosha 7 vjeçare. Gjithmonë e kam dashur këtë sport, ndryshe nga sportet tjera të cilat poashtu i praktikoj. Më pëlqen edhe futbolli, noti, fitnesi por më së shumti që më ka tërhequr është basketbolli. Në familjen tonë basketbolli është pjesë e kamotshme, pasi që edhe babai im është marrë me këtë sport e poashtu edhe vëllai i madh. Pra, deri sot janë bërë 12 vite që unë merrem me basketboll.

 

 

 

Arbin Rushiti

Kush ka qenë përkrahja më e madhe për ju?
Në rend të parë familja, pastaj rrethi i ngushtë shoqëror. Gjithmonë e kam pasur përkrahjen e familjes edhe në momentet më të vështira. Në periudhat kur nuk kam qenë ndoshta i motivuar për të vazhduar ata gjithmonë i kam pasur afër. Besoj se për çdo njeri dhe sportist, familja është në rend të parë, pastaj vijnë të tjerët. Gjithë arritjet e mia ia dedikoj familjes. Ata janë më meritoret për gjithçka që unë jam deri më sot.

 

 

 

 

Arbin Rushiti

A mendoni se sportistët në përgjithësi vlerësohen në Maqedoninë e Veriut, dhe se ka perspektivë për të arritur sukses?
Personalisht mendoj se sportistët në RMV nuk vlerësohen dhe nuk e kanë përkrahjen e duhur nga shteti. Duhet më shumë përkrahje për çdo sportist. Të ri e të vjetër, maqedonas, shqiptar apo çfarëdo nacionaliteti tjetër. Ka shumë rëndësi kur ke përkrahjen e duhur nga institucionet shtetërore. Është motiv për të vazhduar drejt cakut, e gjithashtu edhe një vlerë e shtuar për shtetin. Duhet më shumë ndihmë për sportistët. Shpresoj që në të ardhmen do të përmirësohet gjendja dhe të kemi më shumë përkrahje.

 

 

 

Arbin Rushiti

Ju keni marrë pjesë në turne të ndryshme jashtë vendit sa i përket basketbollit, cilin prej tyre do e veçonit si një̈ nga eksperiencat më të bukura të kësaj fushe?
E vërtetë që kam marrë pjesë në disa turne evropian si në Francë ku jam zgjedhur lojtari më i mirë i turneut e poashtu jemi shpallur kampion si klub. Në Vjenë të Austrisë në turneun më të madh evropian kemi arritur sukses të mjaftueshëm. Për shijen time ky ka qenë turneu më i mirë dhe më profesional nga të tjerët. Kam marrë pjesë edhe në Graz të Austrisë ku jam shpallur lojtari më i mirë i ekipit. Sukses në këtë turne kemi arritur edhe si klub, ku morëm vendin e 3-të. E fundit është pjesëmarrja ne Munih të Gjermanisë, ku kam ngelur i kënaqur gjithashtu.

 

 

Arbin Rushiti

Çfarë synon Arbini për të ardhmen?
Synoj çdo gjë. Synoj të arrij majat e basketbollit, atij evropian dhe botëror. Caku është NBA, por sado që të arrij për mua do të jetë sukses i madh sepse e di prej nga vij. Me çfarë kushte jam përballur dhe çfarë sakrifica kam pasur si sportist. Për mua asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Dua gjithçka të marr nga basketbolli. Çdo gjë që mund të preket në elitë evropiane dhe botërore. Jam i motivuar më shumë se asnjëherë më parë dhe stërvitem fort çdo ditë. Me ndihmën e Zotit besoj se do t’ia dal.

 

 

 

Arbin Rushiti

Çfarë mesazhi do ju jepje të rinjve?
Mos u dorëzoni. Punoni fort. Mos e dëgjoni asnjë njeri kur ju demotivon, kur ju japin komente negative, ju fyejnë, ju ofendojnë, ju përbuzin, nuk ju vlerësojnë sa duhet. Gjithçka varet nga ju dhe nga askush tjetër. Ju e keni forcën në vetvete dhe nuk duhet t’ia lejoni askujt t’ua humbin atë. Besoni, luftoni, duroni dhe punoni shumë fort. Do të ketë ditë të këqija dhe të zeza por pastaj vijnë ditët e mira dhe plot shpresë dhe sukses. Duajeni punën dhe suksesi ka për të ardhur. Mos u dorëzoni dhe mos u mërzitni asnjëherë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button