fbpx

Komuna e Çairit tre vite nuk ka arritur t’i përgatisë planet për garazhet në kate, Ministria e Transportit i ka kthyer kërkesat (VIDEO)

Kanë mbetur edhe disa muaj nga përfundimi i mandatit të kryetarëve të komunave, ndërsa kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu ende nuk ka përmbushur një prej premtimeve kryesore të tij – zgjidhjen e problemit me mungesën e parkingjeve, shkruan Portalb.mk.

Për më shumë se tre vite, komuna e drejtuar nga Ganiu, nuk ka arritur që t’i përgatisë në kohë planet urbanistike për realizimin e projekteve për garazhe në kate në këtë komunë, ndërkaq ky ka qenë një ndër premtimet me të cilin Ganiu ka fituar besimin e qytetarëve, për të drejtuar Komunën e Çairit deri në vitin 2021.

Edhe pse Ganiu, javën e kaluar paralajmëroi se gjatë mandatit të tij do të fillojnë procedurat për realizimin e projekteve për ndërtimin e garazheve në kate, duket se komuna nuk po punon me intensitet në këtë drejtim.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka kthyer mbrapsht kërkesat e Komunës së Çairit për planet e detajuara urbanistike për ndërtimin e dy garazheve në kate në territorin e kësaj komune, nga gjithsej katër sa ka premtuar. Këtë e ka konfirmuar për Portalb.mk zëdhënësi i kësaj ministrie, i cili tha se kërkesat i janë kthyer komunës, në mënyrë që të njëjtat të harmonizohen sipas ligjit të ri të urbanizmit. Kërkesat janë dorëzuar gjatë vitit 2020.

Parkingu te Teatri Shqiptar

“Nga Komuna e Çairit gjatë vitit 2020 janë dorëzuar dy plane urbanistike SSI04 bllok 7 do të thotë një plan urbanistik dhe një plan urbanistik për bllok 8, ku janë planifikuar parcela ndërtimore me ndërtimin e garazheve në kate. Por, që të dy planet urbanistike i janë kthyer Komunës së Çairit nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, që të harmonizohen me aktet ligjore dhe nën ligjore nga fusha e planifikimit urbanistik. Do të thotë ata i kanë dorëzuar, por ne ua kemi kthyer që t’i harmonizojnë planet. Nuk janë dorëzuar përsëri. Do të thotë në vitin 2020 ata i kanë dorëzuar njëherë, kolegët tanë i kanë kontrolluar dhe dy planet duhet të harmonizohen me aktet e reja ligjore dhe nënligjore nga ligji për urbanizëm dhe për këtë i janë kthyer komunës që të përpunohen. Tani nuk e di nëse komuna i ka përpunuar, por nuk i ka kthyer përsëri në ministri”, deklaroi për Portalb.mk, zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Ganiu javën e kaluar, duke iu përgjigjur pyetjes së Portalb.mk, tha se kanë filluar procedurat për realizimin e garazheve në kate, që kanë qenë në programin e fushatës së Ganiut, në zgjedhjet e kaluara lokale.

“Jemi duke punuar dhe jemi duke pritur planet detaje në të cilat janë paraparë garazhet në kate dhe ato janë në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe në qoftë se i kalojnë të gjitha ato filtra, pastaj mund të fillojnë edhe procedurat për t’i realizuar ato kullat ndërtimi ku janë paraparë edhe garazhet në kate”, tha ai.

Megjithatë, nga Ministria në fjalë, na thanë se Komuna e Çairit nuk ka dorëzuar sërish kërkesat e përpunuara dhe të harmonizuara sipas ligjit të ri të urbanizimit.

“Kontratën” e tij, Ganiu kishte parashikuar buxhet prej 1,156,293,957,00 denarë (18.8 milionë euro) për ndërtimin e 4 garazheve në kate në territorin e kësaj komune.

Premtimi për garazhe në kate

Ai kishte premtuar se do të ndërtohen garazhe në kate në “Saat Kullë”, për çka kishte parapara buxhet pre 176,668200 denarë, garazh në kate te Teatri Shqiptar, ku kishte paraparë buxhet prej 112,455000 denarë. Garazhe në kate po ashtu, ishin premtuar edhe te Sheshi Skënderbeu dhe te “Çairçanja”, për të cilat ishte paraparë buxhet prej 786,169857 denarë dhe 81,000000 denarë.

Por, deri më tani asnjëri ende nuk ka filluar të ndërtohet, derisa ka më pak se 8 muaj deri në fund të mandatit 4-vjeçar.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button