RMV, është miratuar Aneksi i Marrëveshjes për furnizimin me vaksina në raste emergjente

Qeveria e Republikës së Maqedonisë  së Veriut në mbledhjen e 46-të, shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për arritjen e një Aneksi të Marrëveshjes për marrjen e obligimeve nga  datë 19.11.2020, të lidhur midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Lidhjes  Globale të Vaksinave (GAVI) (GAVI ALLIANCE), për furnizimin e një vaksine të aprovuar për KOVID-19 përmes mekanizmit COVAX për sigurimin e qasjes globale dhe të barabartë në vaksinat e sigurta dhe efektive për KOVID-19, transmeton Portalb.mk.

“Për zbatimin e furnizim, vaksina patjetër të jetë e miratuar dhe pastaj Qeveria jep pëlqimin për arritjen e një Aneksi të Marrëveshjes ne të cilën  “vaksina e aprovuar” do të thotë vaksina kundër KOVID-19 në lidhje me të cilën GAVI ka hyrë në një Obligim për furnizim të avancuar dhe e cila ka parakualifikim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), standard / i kushtëzuar, autorizimin për lëshim në treg ose një autorizim për përdorim emergjent të vendosur nga Organi rreptësisht rregullator  ose një Listë  për përdorim në raste urgjente e OBSH-së”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndryshe, deri më tani përmes ueb-faqes “Vakcinacija.mk” 55.970 persona janë paraqitur për vaksinim kundër KOVID-19, ndërsa përmes mjekut amë, për vaksinim janë paraqitur 29.209 persona. Nga ky numër, 38.000 janë persona mbi 70 vjeç, informoi Ministria e Shëndetësisë,

“Sipas planit për vaksinimin e punonjësve shëndetësor, të parët që vaksinohen janë personeli mjekësor i cili ka punuar ose po punon me pacientë me KOVID nga Klinika e Sëmundjeve Infektive, SPQ “8 Shtatori”, Instituti i fëmijëve për sëmundje të mushkërive Kozle, klinikat interne të cilat hospitalizojnë pacientë. Nga java e ardhshme, vaksinimi do të fillojë për punonjësit shëndetësor në spitalet në të gjithë vendin, si dhe spitalet private”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë informoi sot se në dy ditët e fundit janë vaksinuar 453 punonjës shëndetësorë që punojnë në qendrat kovid.

“Imunizimi i punëtorëve mjekësorë zhvillohet normalisht dhe me kapacitet të plotë në spitalin modular të KIBFS në Shkup, ku janë vendosur 6 pika vaksinimi, punohet në dy ndërrime nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 8 pas dite, nga e hëna në të shtunë”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Me këtë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vendi ynë do të jetë një nga vendet e pakta në Evropë ku të gjithë punonjësit shëndetësorë që kanë trajtuar pacientë pozitivë për koronavirus do të kenë marrë vaksinën kundër KOVID-19.

“Vaksinat janë të sigurta dhe të zhvilluara në platforma të sigurta. Të dielën, nga Serbia morëm 4,680 nga 8,000 vaksinat të Pfizerit. Gjatë javës tjetër, pritet të arrijnë sasi të tjera nga Serbia në Maqedoninë e Veriut”, thuhet tutje në kumtesën e MSh-së.

Ministria informoi se deri në fund të muajit shkurt pritet të arrijnë 200,000 vaksinat nga Republika Popullore e Kinës.

Maqedonisë e Veriut, thonë nga ky institucion, përmes mekanizmit KOVAKS ka siguruar 833,000 doza të vaksinave. Dërgesa e parë që do të mbërrijë në vendin tonë do të jetë me vaksinën AstraZeneka, sasia e parë e së cilës është planifikuar të mbërrijë në mars. Nga kjo vaksinë për Maqedoninë e Veriut, janë paraparë ndërmjet 103,200 – 175,200 doza, nga të cilat rreth 35% duhet të arrijnë në dërgesën e parë, ndërsa pjesa tjetër në tremujorin e dytë të vitit. Vetëm 18 vende janë të përfshira në shpërndarjen e mekanizmit Kovax për vaksinat Pfizer, duke mos përfshirë vendet që kanë filluar me programet e tyre të vaksinimit kundër Covid 19.

Përndryshe në Maqedoninë e Veriut më 17 janar filloi vaksinimi i personelit mjekësor në hapësirat e Klinikës për Sëmundje Infektive në Shkup,

Vaksinën “Pfizer” të parat e morën dy punonjëse shëndetësore.

Dr. Dobrinka Naunova-Jovanovska dhe kryeinfermierja Gabriela Temellkovska nga stafi i Klinikës për Sëmundje Infektive janë të parat në vend që morën vaksinën kundër kovid-19.

“Është pa dhimbje, ndihem shkëlqyeshëm. Kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur veten nga infeksioni aktual gjatë gjithë vitit”, tha Dr. Naunoska.

Ajo shtoi se do të marrë dozën e dytë pas 21 ditësh, ndërsa imuniteti fitohet për 2 deri në 3 javë.

Kryeinfermierja Temellkovska tha se i fton të gjithë të aplikojnë për vaksinim, duke shtuar se tani e tutje personeli mjekësor do të ndihet më i sigurt, pasi do të zvogëlohet numri i pacientëve të rinj dhe se “do të fillojmë të kthehemi në jetën normale”.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, në deklaratën për media, theksoi se kryeinfermierja Temellkovska dhe Dr. Naunova Jovanovska janë pjesë e stafit të Klinikës së Sëmundjeve Infektive të cilat gjatë vitit të kaluar punuan ditë e natë dhe luftuan për të shpëtuar çdo jetë njerëzore.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut ka 6,378 raste aktive, ndërsa numri i të diagnostifikuarve me Covid – 19 që nga fillimi i pandemisë është 97,174 numri i pacientëve të shëruar është 88.778, ndërsa 3,018 pacientë kanë ndërruar jetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button