Jankulloska në fjalët përfundimtare arsyetohet për shkatërrimin e sistemeve për përgjim: Nuk mund të ndjekin Mail, Viber Whatsapp

Me fjalë përfundimtare të mbrojtjes në Gjykatën Penale të Shkupit vazhdon gjykimi për rastin e përgjimit të paligjshëm “Target Fortesa”, i cili ka filluar më 22 dhjetor të vitit 2017-të, njofton Portalb.mk.

Fjalët përfundimtare të Gordana Jankulloskës

Ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, sot e para i dha fjalët përfundimtare për përgjimin masiv të mijëra qytetarëve prej vitit 2008 deri në vitin 2015, njofton Portalb.mk.

Jankulloska akuzohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, për ndihmë të akuzuarve Goran Grujevski dhe Toni Jakimovski që t’i shkatërrojnë sistemet për përgjim, gjegjësisht t’i shkatërrojnë provat.

Ajo tha se fillimisht duhet që të dëshmohet me shkatërrimin është kryer keqpërdorim, ndërkaq pastaj ajo të akuzohet për ndihmesë. Sipas saj, nuk ka diçka të tillë pasi që sistemet për përgjim “Verint” dhe “Najs Trak”, për të cilët ajo ka dhënë nënshkrim që të shkatërrohen kanë pasur vlerë 1 denarë.

Megjithatë, në akuzë thuhet se me shkatërrimin e pajisjes së MPB-së, shteti është dëmtuar për 1,5 milionë euro.

Jankulloska e sulmoi ekspertin e prokurorisë i cili e ka caktuar vlerën e pajisjes, si në aspektin e arsimimit dhe mosnjohjen e problematikës së sigurisë, ashtu edhe për subjektivitet gjatë vlerësimit të dëmit nga shkatërrimi i pajisjes për përgjim. Thelbi i mbrojtjes së saj është: nuk ka dëm – nuk ka vepër penale – nuk ka ndihmë në vepër penale.

Ajo është thirru në ekspertë tjerë të mbrojtjes, sipas të cilëve “Najs trak” nuk ka mundur fare ta përgjojë komunikacionin në internet. Nuk ka mundur që t’i ndjekë komunikimet e mailave, Facebookut, Twitterit, Youtubit, Viberit, Telegramit, as Whatsappit, as http protokoll, bisedat e telefonisë fikse. “Janë bërë përpjekje për avancim të sistemit, por pa sukses, ka mbetur joefikas”, tha Jankolloska.

Por, sistemet për përgjim nga të cilat dolën me qindra mijëra biseda të përgjuara, edhe pse kanë pasur mangësi, ashtu siç thotë Jankulloska, u shkatërruan dy muaj pasi që opozita e atëhershme në krye me Zoran Zaev filloi të publikojë të ashtuquajtura “bomba”, apo materiale të përgjuara.

Rasti Target Fortesa

Sipas akuzës, nëpërmjet tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në Policinë Sekrete, në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015-të në mënyrë të paligjshme janë ndjekur 4.286 numra telefonik për të cilët fare nuk janë dhënë urdhra gjyqësorë, a 1.541 numra edhe pas mbarimit të urdhrave gjyqësorë. Janë përgjuar mbi 20.000 qytetarë.

Prokuroria, në fjalët përfundimtare të seancës së fundit ka theksuar se edhe përskaj të gjitha pengesave me të cilat janë përballur gjatë hetimit, kanë arritur që të dëshmojnë se të akuzuarit i kanë kryer veprat për të cilat ngarkohen dhe kërkoi dënime maksimale me burg. Dy prokurorët kërkuan pesë vite dënim për përgjegjësit e përgjimeve të paligjshme dhe pesë vite dënim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për të akuzuarit e rastit.

Të akuzuar në këtë lëndë për përgjim ilegal janë ish drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, shefi i Drejtorisë së Pestë, Goran Grujevski, Nikolla Boshkoski nga DSK, Toni Jakimovski dhe gjashtë të punësuar në DSK, të cilët kanë kyçur dhe përgjuar bisedat telefonike.

Me urdhër të Grujevskit dhe miratim të ish ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, kur është zbuluar skandali i përgjimeve, pajisja e shtrenjtë me të cilën janë realizuar përgjimet e qytetarëve me vite, si e vjetra ashtu edhe e reja, është shkatërruar, për çka dëshmitarët dhanë përshkrim të detajuar.

Më shumë rreth këtij rasti mund të lexoni këtu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button