RMV, 18.174 qytetarë e kanë humbur vendin e punës nga fillimi i pandemisë

Nga fillimi i pandemisë para pothuajse një viti, vendin e punës e kanë humbur 18.174 qytetarë. Këtë e deklaroi sot në konferencë për media drejtori i Agjencisë së Punësimit, Abdush Demiri, i cili theksoi se në bazë ditore ka edhe deri më 7000 shpallje me të cilat kërkohen punëtorë në profesione të ndryshme. Ai tha se pandemia ka shkaktuar rritjen e personave të papunë, transmeton Portalb.mk.

“Në Agjencinë e Punësimit janë evidentuar 158.681 persona të papunë të cilët janë kërkues aktiv të punës dhe 90.293 kërkues pasiv të punës. Në ueb faqen në bazë ditore mesatarisht ka mes 6000 deri në 7000 konkurse aktive për vende të punës. Punëdhënësit kanë shpallur më shumë vende të lira të punës për punëtorë për punë të lehta të linjës së prodhimtarisë, punëtorë të përgjithshëm, punëtorë për mirëmbajtjen e higjienës në hapësira të punës, programer, shitës, kamarier, banakier, rrobaqepës, shofer kamioni, sigurim, punëtor për mirëmbajtje të higjienës në hapësira banesore dhe afariste, murator dhe të tjera”, tha drejtori Demiri.

Ai vlerëson se Qeveria me pakot e masave ekonomike ka ndihmuar që të ruhen vendet e punës.

“Me siguri numri i personave të papunë shënon rritje gjatë vitit 2020. Në kushte të krizës, në vitin 2020 Qeveria ka miratuar pako të masave ekonomike që t’i ndihmohet ekonomisë dhe të ruhen vendet e punës. Me pakon e katërt të masave, me masën e kartelës pagesore për konsum më të lartë ishin të përfshirë edhe kërkuesit pasivë të punës të evidentuar në Agjencinë e Punësimit”, theksoi Demiri.

Ai paralajmëroi se, së shpejti do të shpallet plani i ri operativ për masat dhe programet aktive të punësimit dhe shërbimet e tregut të punës për vitin 2021, i cili do të ketë një buxhet rekord të lartë deri më tani dhe do të jetë mbështetje për krijimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button