MBRETËRIA E GËNJESHTRËS

Te përralla “Teshat e reja të mbretit” nga Hans Kristian Anderseni kemi fëmijën që e thotë të vërtetën dhe mbretin e vetëbegenisur, që është i rrethuar prej hipokritëve dhe servilëve.

Kemi botën artificiale, hipokrite, servile, ireale, inferiore dhe botën e vërtetë, të fisme, të sinqertë, reale, superiore.

Pjesë e botës reale është fëmija që e thotë të vërtetën, sepse nuk është pjesë e mbretërisë së hipokrizisë.

Pjesë e botës së gënjeshtërt janë mbreti që gëzon privilegjet e pushtetit dhe tenton ta mbulojë paaftësinë me veshjet më të bukura, por edhe hipokritët e servilët, që e ruajnë statusin e tyre duke ia bërë qejfin mbretit.

Servilët dhe hipokritët s’e duan askënd. Ata i shfrytëzojnë dobësitë njerëzore për qëllimet e tyre. Ia “vërtetojnë aftësitë” padronit që i shërbejnë dhe nga i cili përfitojnë.

Pjesë e botës së gënjeshtërt janë edhe njerëzit që e shohin mbretin lakuriq, por nuk kanë guxim ta thonë të vërtetën.

Aty ku mbreti kujdeset për pamjen dhe jo për misionin e tij, fjalën kryesore e kanë hipokritët dhe servilët. Aty flitet për bukurinë që nuk ekziston dhe thuhet ajo që dikush duhet ta dëgjojë.

Elitat partiake dhe shtetërore janë si servilët e përrallës. E thonë atë që nuk e mendojnë dhe shohin diçka që nuk ekziston.

Në shoqëritë e pjekura fjalën kryesore e kanë njerëzit që nuk janë të infektuar nga viruset e hipokrizisë, servilitetit, ashtu si fëmija i përrallës.

Në shoqëritë tjera prijësit lakuriq kënaqen me lavdet e hipokritëve dhe servilëve.

Në përrallën gjeniale sinqeriteti dhe e vërteta triumfojnë mbi hipokrizinë, servilizmin, interesin e ngushtë dhe marrëzinë, por në jetë gjërat shumë rrallë ndodhin si në përrallë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button